Fjala e plote e kryeministrit Rama në Roskovec

Jam shumë i kënaqur që sëbashku me shokët jemi këtu në Roskovec, për t’i dhënë mbështetjen tonë, mbështetjen e Aleancës për Shqipërinë Europiane, mbështetjen e gjithë koalicionit tonë, Majlindës, një gruaje me virtyte që ju i njihni. Një menaxhere shumë të aftë, e cila për këtë periudhë kohe ishte dhe deputetja juaj, por të cilës ne i kërkuam që të investohet fuqimisht për këtë garë, në mënyrë që ne, duke marrë besimin tuaj për Majlindën mund të kemi këtu në Roskovec, njeriun e duhur për t’i dhënë të gjithë mbështetjen e qeverisë, për t’i dhënë të gjithë vëmendjen e munguar për kaq shumë vite Roskovecit dhe për të realizuar sëbashku zgjidhjen e atyre problemeve që duhet të ishin zgjidhur me kohë në fakt, dhe që vazhdojnë ta mundojnë këtë zonë. Vazhdojnë t’i mundojnë njerëzit e kësaj zone, duke filluar që nga uji i pijshëm, tek kanalizimet, tek uji për të vaditur, tek pamundësia për të përballuar përmbytjet, kur ka shira të mëdhenj, sepse kanalet kullues kanë vite pa u pastruar. Më tutje tek çerdhja, kopshti, shkolla për fëmijët, për vajzat dhe djemtë. E sigurisht, patjetër dhe tek ajo pjesë që e përmendi Majlinda që ka të bëjë me jetën e komunitetit.

 

Në fakt kjo është edhe arsyeja pse do votohet në 21 qershor. Kjo është dhe arsyeja pse ne jemi shumë të bindur që në 21 qershor vota që njerëzit kanë në dispozicion është një mundësi shumë e madhe për ta investuar në drejtimin e duhur për familjen e tyre, për komunitetin e tyre, dhe për të transformuar bashkinë e re ku jetojnë.

 

Ju e keni parë besoj përpjekjen e madhe që bën SHQUPI për ta çuar vëmendjen në drejtimin e gabuar. Përpjekja e madhe që bën për t’iu thënë se sa shumë të pakënaqur duhet të jeni, se sa shumë të revoltuar duhet të jeni dhe se sa të shumtë duhet të bëheni që të votoni SHQUP-in.

 

Por në fakt, në 21 qershor vota është për familjen që jeton në një komunitet, për familjen e secilit prej jush, sepse me votën e 21 qershorit, çdo familje, çdo prind do të vendosë se kë duhet të zgjedhë për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve që ka familja, për t’i dhënë përgjigje shqetësimit se kush është njeriu i duhur për ta pasur në krye të bashkisë. Kush është skuadra e duhur për ta votuar për Këshillin Bashkiak, në mënyrë që fëmija i vogël që kemi në shtëpi të ketë çerdhen që mungon, ose në mënyrë që çerdhja ku çojmë fëmijën të jetë me kushte më të mira. Po ashtu, kush është njeriu që duhet votuar për të pasur mundësi që fëmijëve tanë këtu në Roskovec t’i japim shkollën, t’i japim edhe kushtet që të shkojë në shkollë, por jo vetëm për të mësuar, por edhe për edukimin e tyre fizik edhe për argëtimin e tyre shoqëror. Kush është njeriu i duhur që meriton besimin tonë në mënyrë që bashkia e re të na krijojë ne mundësinë që të kemi ujë të pijshëm, të na krijojë mundësinë që më në fund pas kaq shumë vitesh, në bashkinë tonë të ketë kanalizime të ujërave të zeza. Tek kush duhet ta investojmë votën tonë që të mos kemi më thatësirë në tokën që zotëron familja jonë. Kujt duhet t’ia japim votën që të kemi një transport normal urban në bashkinë tonë, se sot nuk është më një bashki e vogël me një territor të vogël, por është një bashki e madhe me një territor ku njerëzit meritojnë të lëvizin normalisht dhe të kenë një transport publik normal. Po kush është njeriu të cilin duhet të votojmë për t’i dhënë më në fund zgjidhje problemit të plehrave. Të plehrave që enden lart e poshtë. Të plehrave që bëjnë xhiro nga njëra komunë në tjetrën, duke u kalbur mbi tokë, duke ndotur tokën, duke ndotur ajrin, duke ndotur mushkëritë e fëmijëve dhe të më të moshuarve. Këto janë problemet me të cilat merret bashkia. Këto janë problemet që zgjidhim ose nuk zgjidhim me votën e 21 qershorit. Këto janë problemet që duhet të trajtojë çdo familje përpara se sa të vendosi se për kë të votojë.

Ndërkohë, nga ana tjetër SHQUP-i thotë votoni SHQUP-in se nuk vazhdohet më kështu. Çfarë kuptimi ka që të vazhdojmë të paguajmë të gjithë drita? Të kthehemi aty ku ishim gjysma të paguaj, gjysma t’i vjedhë. Gjysma të paguaj dhe për gjysmën tjetër.

SHQUP-i thotë nuk ka më kuptim të vazhdojmë kështu. Ç’domethënë kjo që të mos kemi mundësi, që ku të ketë një shesh të bëjmë një përshesh, edhe kush të dojë të ndërtojë pa leje si të dojë. Prandaj kthehemi aty ku ishim. SHQUP-i thotë si do vazhdojmë kështu? Do vazhdojmë akoma me taksimin e ndershëm. Çfarë kuptimi ka kjo të kthehemi akoma aty ku ishim. Që shoferi i kryeministrit të paguajë më shumë taksa se kryeministri, që një furrë buke në Roskovec të paguajë më shumë taksa se sa hoteli i 15-katëshit në Tiranë.   

SHQUP-i thotë na jepni votën që të kthehemi aty ku ishim, ta grisim këtë hartë territoriale. Çfarë kuptimi ka të kemi një bashki të re në Roskovec, më mirë të kemi jo katër, por dhjetë komuna. Ndërkohë, asgjë për problemet me të cilat duhet të merret bashkia. Asgjë për problemet që duhet të zgjidhë vota e 21 qershorit. Edhe sikur ta zëmë për një moment që hajde t’i dëgjojmë, por çfarë lidhje kanë këto probleme me bashkinë? Ku hyn Majlinda dhe kryetarja e bashkisë e Roskovecit me dritat apo me ndërtimet, apo me taksat, kur është fjala për ligjet dhe për rregullat që ka vendosur parlamenti. Atyre kjo nuk iu intereson, sepse atyre nuk iu intereson nëse mbas 21 qershorit këtu do të ketë një kryetar bashkie që do të punojë më mirë për të zgjidhur ato probleme që i takojnë bashkisë.  

 

Atyre ju duhet që pas 21 Qershorit këtu, të vazhdojë ky batakçiu që keni, - është hera  e parë që e them diçka për një kryetar bashkie, ose një kandidat të tyre, por ky e  meriton vërtete atë fjale. Jo vetëm e meriton, por unë jam i bindur që pas 21 qershorit  ai meriton më shumë dhe më shumë do të ketë.

Ju duhen kryetarë bashkish,  të cilët të rrinë tek dera e bashkisë dhe ti thonë njerëzve: - “S’kemi çfarë bëjmë për çerdhen. S’bëjmë dot gjë  për shkollën. Ujë s’ka, as punë s’ka. Kanalet nuk i pastrojmë dot, se është qeveria e poshtër, prandaj hajde të rrëzojmë qeverinë”.

Mirë ju kemi falur atyre të enjten dhe ja kemi bërë hallall që të enjten të rrimë e të dëgjojmë broçkullat e tyre dhe që ju të rrini para televizorit dhe të shikoni ditën e sherrit. Por ne nuk kemi ndërmend që 7 ditë që ka java të bëhen 7 ditë sherri politik në çdo bashki të Shqipërisë. Sepse nuk është sherri që ju intereson qytetarëve, janë punët dhe zgjidhja e këtyre problemeve që kanë vite që nuk zgjidhen. Ata thonë që ne po ju kërcënojmë, që Kryeministri po i kërcënon duke iu thënë njerëzve se po votuat kandidatë e PD do të mbeteni pa ujë, pa punë, pa bukë. Unë nuk e them këtë. Unë e them më thjeshtë: Po votuat kandidatët e PD, do merrni veten më qafë se asgjë nuk do ndryshojë. Do merrni në qafë qytetin dhe bashkinë tuaj se asgjë nuk do ndryshojë. Jo vetëm asgjë nuk do ndryshojë, por do të jetë e pamundur që ne ta mbështesim komunitetin dhe ta mbështesim bashkinë ashtu siç duhet. Unë e kam këtë nga eksperienca. Kemi 18 muaj në detyrë dhe më thoni ju mua, a ka ardhur ndonjëherë ky, që keni këtu ju, të trokasë edhe të thotë, ja kush është një problem i madh që unë dua ndihmë nga qeveria për ta zgjidhur. 

Në 18 muaj asnjë kryetar bashkie i PD nuk ka trokitur ne derën time përveç njërit që ka çuar vetëm një mesazh, që ju besoj e keni dëgjuar, por që unë prapë do ta përsëris, deri sa ta dëgjojë edhe shqiptari i fundit. “Zoti kryeministër, kemi probleme urgjente të komunitetit, dua takim urgjent. E unë i përgjigjem, nesër në zyrë. E ai ma kthen, -jo në zyrë se më shohin.”

Si mund të punoj unë nesër me një kryetar bashkie që ka frikë se e shohin. Ku ta takoj? Ta takoj tek pylli i Divjakës, natën? Mirë dakord se mund edhe të mos takohem. Më thoni ju mua, ky kryetari i bashkisë tuaj, - ndërkohë që unë problemet e Roskovecit i kam dëgjuar aq në detaje sa t’ju them të drejtën më ka zënë dhimbja e kokës duke dëgjuar Majlindën, se unë i thoja “O Majlinda duhet të kandidosh për kryetare bashkie, ajo më thoshte mua, e di ti çfarë problemesh ka Roskoveci? E fillonte ti tregonte. Kur unë i thoja pikërisht për këto duhet të kandidosh, ajo më thoshte, -Përpara se unë të them “po”  duhet njëherë që ti ti dëgjosh dhe të thuash, - Po, do ti zgjidhim këto. Duke patur parasysh gjithë këto probleme, a mendoni ju që nga kryetari i bashkisë ka ardhur ndonjëherë ndonjë projekt në qeveri? Ndonjë projekt që ti paraqitet qeverisë dhe ti thuhet, “ja projekti, na duhen këto para për të zgjidhur këtë problem”. Jo ky, por asnjë kryetar bashkie i PD nuk ka çuar ndonjë projekt serioz, për të marrë financime. Madje edhe disa projekte që kemi realizuar me mbështetjen e qeverisë në disa qytete që drejtohen nga PD ja u kemi dhënë me zor, sepse donim që mbështetja jonë të shkonte edhe tek bashkitë ku qeverisnin demokratët.

Besoj se është shumë e qartë kjo pjese. Ndërkohe dua të vë theksin tek tre arsye kryesore, pse zgjedhjet e 21 qershorit kanë një rëndësi të veçantë.

E para, gratë dhe vajzat. Për here te parë ne kemi në të gjithë këshillat bashkiakë, 50 % gra dhe vajza. Kjo për ne është diçka me një rëndësi shumë të madhe. Me një  rëndësi shumë të madhe sepse ne besojmë shumë fort që prania e grave dhe vajzave në vendimmarrje i jep cilësi vendimmarrjes.

Kemi kaq vite me këshilla bashkish dhe komunash, ku na mbytën burrat dhe burrat mbytën dynjanë. Mbushur me burra dhe rezultati mos e pyet.

Ndërkohë që jam i bindur se prezenca e kaq shumë grave do ti japi ekuilibër, do ti japi vetëpërmbajtje dhe gjykim shumë më të mprehtë, këshillave dhe bashkive, njësoj siç prania e gruas në shtëpi, mban shtëpinë. Imagjinoni ju burrat, sikur të iknin gratë një muaj, se në c’gjendje do të ishin shtëpitë tuaja.

Ja ashtu në atë gjendje kanë qenë bashkitë dhe komunat, se ato janë shtëpitë  e përbashkëta, shtëpi të mbetura në duar të burrave. Prandaj ju them të gjitha grave dhe vajzave që janë anëtare të këshillit që të bëjnë përpjekjen maksimale që sa më shumë gra dhe vajza të përfshihen në këto zgjedhje.

Sa më shumë gratë, sidomos gratë e atyre që janë me PD-në  të punojë që burrat ti thërrasin mendjes që në 21 qershor nuk janë zgjedhje për të mbajtur me gajret SHQUPI-n. Janë zgjedhje për ti dhënë një drejtim punëve të komunitetit, ku jeton familja dhe për ta patur më të lehtë jetën jashtë derës së shtëpisë. Së dyti, këto janë zgjedhje për familjen dhe jo në atë kuptimin që thuhet zakonisht, por në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sepse bashkia është institucioni që është më pranë dhe ka përgjegjësinë më të drejtpërdrejtë për mbarëvajtjen e një familjeje që banon në një territor që administrohet nga bashkia, mbarëvajtja e jetës që fillon jashtë derës së shtëpisë dhe zhvillohet jashtë derës së shtëpisë. Se nuk është  vetëm brenda mureve të shtëpisë, por është dhe jashtë mureve të shtëpisë dhe nga mënyra se si zhvillohet jeta jashtë mureve të shtëpisë varet shumë edhe gjendja shpirtërore dhe ecuria e gjerave brenda mureve të shtëpisë.

E së treti, këto zgjedhje janë për herë të parë si zgjedhje vendore, zgjedhje për fshatin. Fshati nuk ka qenë asnjë herë kaq i rëndësishëm dhe zgjedhjet nuk kanë qenë asnjëherë kaq të rëndësishme për fshatin, pasi përgjithësisht zonat e fshatit kanë qenë në administrimin e komunave. E komunat përgjithësisht për shkak se kanë qenë shumë të vogla, edhe në rastin më të mirë, kur kryetarët e komunave janë përpjekur për të bërë gjera, fuqia ka qenë minimale dhe kapaciteti për të ndërtuar shërbime dhe për t’ju dhënë qytetarëve shërbimet e duhura ka qenë minimal.

Ndërkohë, që me zgjerimin e territorit dhe me rritjen e kapacitetit të potencialeve dhe të mundësive, fshati ka një interes të veçantë që në zgjedhjet e 21 qershorit të votojë, sepse bashkitë e reja do të jenë shumë më tepër bashki të orientuara nga fshati, të orientuara nga bujqësia dhe blegtoria. Ne do ta kalojmë tek bashkitë menjëherë përgjegjësinë për kanalet ujitëse dhe kulluese, do ta kalojmë tek bashkitë menjëherë, përgjegjësinë për imputet bujqësore, për cilësinë  e tyre, për furnizimin dhe mbështetjen  e fermerëve. Ne do ta kalojmë tek bashkitë kapacitete dhe financa për të mbështetur sipërmarrjen në fshat për ta trajnuar dhe informuar dhe për ta bërë më të gatshme që të thithi para me projekte. Për të gjitha këto arsye fshati është në qendër të vëmendjes së kësaj fushate për ne, dhe në qendër të vëmendjes që bashkitë do të kenë ne territorin e tyre.

Unë besoj që ne të gjithë e dimë që Shqipëria hyri në rrugën e duhur, falë votës së 23 qershorit, për një koalicion që në boshtin e vet ka dy parti, PS dhe LSI, të cilat janë dy parti, por një forcë, forca që e udhëheq këtë koalicion. E si një forcë e vetme, ne kemi në këto zgjedhje, kandidatë që janë plotësisht shprehje e përfaqësimit dhe  e vullnetit tonë të përbashkët. Që do të thotë se çdonjëri prej kandidatëve është kandidati i këtij koalicioni, i kësaj aleance, i këtij programi dhe i kësaj fuqie.

Ndërkohë, në zgjedhjet vendore, ne do të bëjmë edhe një zgjedhje tjetër që është zgjedhja për këshillat. E në këto, partitë kanë secila listat e tyre dhe skuadrat e tyre. Sigurisht që ne do të vazhdojmë të qeverisim me koalicionin dhe me këtë bosht partneriteti, edhe kuvendin e ardhshëm të bashkive, edhe kuvendin e ardhshëm të Roskovecit. Por, ka shumë rëndësi që ta mobilizojmë maksimalisht votën edhe për këshillin bashkiak  dhe ka shumë rëndësi që vota për PS të shkojë dhe ajo në drejtimin e duhur, të shkojë për këtë ekip që ju patë dhe që u prezantua sot.

Jam i bindur që në Roskovec ne do të fitojmë dhe do të kthejmë faqen pas kaq shumë vitesh keqqeverisje, korrupsioni, grabitje të tokave, transformime të titujve të pronësisë, shkelje me këmbë të njerëzve të thjeshtë, të njerëzve të zakonshëm,  të njerëzve të butë dhe vendosje në piedestal të ca të fortëve që bëjnë sikur ja u ka falur Zoti këtë tokë, që në fakt është tokë  e këtij populli dhe ka nevojë të drejtohet nga një grua e votuar prej këtij populli.

Në këtë rast besoj se kemi zgjedhur një prej grave më të forta të grupit tonë parlamentar për të drejtuar këtë bashki, të cilës ne duam ti japim një rëndësi shumë të veçantë.

Kemi lënë edhe një bashkëbisedim të shkurtër, kështu që unë jam i gatshëm ti përgjigjem pyetjeve.

 

- Me këtë ndarje të re administrative, a do të funksionojnë si njësi vendore, dhe me çlloj administrate?

Shumë faleminderit! Patjetër që do të funksionojë. Do të funksionojnë siç nuk kanë funksionuar në fakt. Komuna do të jetë njësi administrative shërbimi, do të jenë si njësitë bashkiake të Tiranës, të cilat do të shërbejnë për të gjitha nevojat që kanë qytetarët për shërbime që lidhen me certifikatat, me dokumentet dhe njëkohësisht, edhe për shërbime që lidhen me informacionin ose dhënien e informacioni. Pra, njësitë administratave do të jenë pikat mbi të cilat do të mbështetet puna e bashkisë, për të pasur komunikimin më të afërt me qytetarët.  Ndërkohë ne kemi një projekt të qeverisë që synon që njësitë administratave t’i kthejmë në një sistem të ri brenda tre viteve, ku përmes teknologjisë të mund të japim më shumë shërbime online dhe në bashkëpunim me bashkitë, ne do të investojmë që këto shërbime online të jenë të mundura për çdo njësi dhe kështu një numër shumë i madh shërbimesh për të cilat njerëzit duhet të lëvizin jo deri në bashki, por duhet të shkojnë deri në Fier, apo duhet të ikin deri në Tiranë, do të mund të jepet drejtpërdrejt online, pa pasur nevojë për të shkuar gjëkundi, përveçse tek njësia administrative.

 

Përshëndetje zoti Kryeministër. Zonja Majlinda më përpara ka qenë deputete përse na e sollët si kandidate për kryetaren e bashkisë?

Pse e sollëm?  Sepse donim ta largonim nga Tirana, ngaqë atje na kërkonte shumë llogari që pse s’po bëni këtë për Roskovecin, pse s’po bëni atë për Roskovecin dhe ne i thamë dakord, shko ti fillo e para dhe ne mbas teje.

 

Dua që të ardhurat e ndotjes së ambientit, pse mos të ndahen tek qytetarët, tek populli. Duhet të ndahet pasuria kombëtare, a është ndarë ndonjë lek apo s’është ndarë, se ne nuk dimë gjë për këtë punë? Dhe diçka për sportin, meqë jam përfaqësues i klubit “Rrufeja”. Kemi 25 vjet që hahemi me vendorët, na thonë çfarë investime doni se i ka dalë pronari i fushës së futbollit?

Përsa i përket sportit, ti e di shumë mirë që ne pas kaq shumë vitesh rikthyem sportin në shkollë, rikthyem edukimin fizik. Praktikisht, ky është viti i parë, sigurisht jemi akoma larg atij niveli të edukimit fizik në shkollë siç dëshirojmë, por ama është rikthyer edukimi fizik në shkollë dhe ka filluar të bëhet një punë konkrete për të përmirësuar infrastrukturën sportive në shkolla. Prandaj ta kanë thënë ata, që të bëjmë ne më shumë për “Rrufenë”, ti s’duhet të lëshosh këto rrufe me lekë në dorë. Duhet që të na sillni projekte. Me Majlindën bashkërisht, ne do punojmë për të identifikuar se çfarë projektesh konkrete do bëjmë për terrenet sportive dhe për infrastrukturën sportive në përgjithësi, se nuk janë vetëm terrenet, duke filluar nga shkollat dhe pastaj, duke u shtrirë deri tek “Rrufeja” jote.

 

Ju falënderoj zoti Kryeministër që jeni sot këtu. Ju falënderoj gjithashtu për nismën që çuat në parlament, për pjesëmarrjen 50 % të grave në këshillat bashkiakë. Ky është një falënderim i veçantë në emër të të gjitha grave të zonës sonë. Kisha dhe një pyetje, a ka ndërmend qeveria nisma të tjera ligjore, në bashkëpunim me pushtetin lokal, për të mbështetur gratë në përgjithësi, gratë në nevojë, gratë e dhunuar, pasi në bashkinë tonë nuk ka asnjë lloj ndihme për këto kategori grash?

 

Majlinda është një nga protagonistet e këtij projekti, që ka qenë një projekt shumë fort i mbështetur nga unë dhe nga drejtuesit e të dyja partive tona, sepse dhe Partia Socialiste dhe LSI-ja arritjen e këtij objektivi e kanë në program. Por pa pasur edhe Aleancën e Grave në parlament, ku Majlinda ka një rol të veçantë, besoj se kjo do të kishte qenë më e vështirë për t’u arritur. Kështu që kjo u arrit tani, jeni 50 %. As 1% më shumë nuk e merrni nga ne, falas, siç e morët. Tani duhet të luftoni. Doni ta ktheni botën përmbys, kthejeni. Ne mundësinë po jua japim, ju atje jeni në këshill, shihni e bëni me burrat tani. Ndërkohë që përsa i përket programeve të veçanta, ne kemi shumë programe që janë kryesisht programe të Ministrisë së Mirëqenies, të cilat lidhen me gratë. Për shembull, ne bëmë një ndryshim për të cilin kemi marrë shumë duartrokitje edhe nga Banka Botërore, edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare, që ndihmën ekonomike ne s’ia japim më burrave, por ua japim grave. Pra, në emër të familjes që ka ndihmë ekonomike e merr gruaja, nuk e merr burri. Sepse burrat në shumicën e rasteve, nga momenti kur e merrnin deri tek shtëpia, me dy ndalesa një tek loto dhe një te kafeneja, e tresnin ndihmën ekonomike. Tani ju burrat mos bëni sikur nuk i dini këto. Se mirë unë se unë mund ta kem gabim, por siç thotë Gramozi, vetëm populli s’gabon. Dhe populli shqiptar ka një shprehje të bukur “do të vazhdosh një muhabet, vazhdoje me burrat, do të mbarosh punë, gjej disa gra”. Edhe nga eksperienca, ne nuk i kemi vendosur 16 % të kandidateve tona gra, thjesht sepse hajde të vëmë edhe disa gra. Jo, sepse kur vjen puna tek kandidatët, ne kemi vendosur fituesit, nuk kemi vendosur burra-gra. Dhe janë 16%. Majlindën e kemi vendosur këtu, jo se është grua, por se nuk ka burrë këtu sot, që të ketë më fitues dhe më burrë, në kuptimin që i jepni ju fjalës, për të bërë punën.

 

Dihet që pritshmëritë e qytetarëve të zonës tonë kanë qenë të mëdha dhe fatmirësisht, falë reformave dhe besimit tek ju, janë përsëri janë të mëdha. Ne kemi besim se ju do t’i bëni realitet. Kjo zonë, 80% të ekonomisë e mbështet tek bujqësia. Por dihet që bujqësia pa ujë mbetet e shkretë. 2 kilometra nga këtu ne kemi rezervuarin e dytë në republike, që në atë kohë vadiste në urën e Sheqit, por sot pa ngritje mekanike nuk vadisim asnjë hektar tokë. A mund t’ia premtoni kësaj zone rehabilitimin e sistemit të vaditjes?

 

Ndërsa për kandidatin na falënderuat kur e dërguam në parlament në 23 Qershor, ju faleminderit që na e rikthyet përsëri dhe ne ju garantojmë që në 21 Qershor do ta bëjmë kryetar të bashkisë.

Hape një temë që nuk mbaron në fakt. Së pari, të falënderoj për fjalët e mira që the për reformat, por një gjë dua që ta përsëris edhe këtu. Unë nuk mendoj që ne kemi bërë aq sa të mund të flemë qoftë edhe një natë rehat. Nuk kemi bërë aq sa për të arritur të flemë qoftë edhe një natë rehat. Nuk kemi bërë aq sa keni menduar ju, që të gjithë, kur keni dhënë votën në 23 Qershor. Por besoj që në 18 muaj, jo ne, por, absolutisht, askush që e di sesi bëhen gjërat përmes punës, nuk mund të mendonte dhe nuk mund të mendojë se do të ishin bërë të tëra ato që u zhbënë dhe u shpartalluan në shumë vite.

 

Nga ana tjetër, në 18 muaj është një kohë e mjaftueshme për të bërë një vlerësim në bazë të asaj që thotë populli: “Dielli duket që në mëngjes”. A duket dielli që në mëngjes apo jo, në këto 18 muaj, kjo është pyetja. Pra, a janë këto 18 muaj të mjaftueshëm për të na thënë që në reformën e energjisë, a kemi bërë gjënë e duhur dhe a e kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur? Sigurisht që sot, unë nuk mund të krenohem para askujt që e paguan rregullisht energjinë, për nivelin e shërbimit. Është ende larg së qeni një shërbim siç e meritojnë njerëzit, por në 18 muaj, ne kemi arritur të marrim një kthesë historike, sepse për herë të parë në muajin prill, kompania doli me paratë e veta. Pra, për herë të parë, kompania nuk doli me humbje. Që do të thotë që të gjitha ato para që deri dje përfundonin në gropë, sot do të fillojnë të shkojnë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Unë jam i bindur që në tre vitet e ardhshme, ju do të keni mundësi të shikoni të gjitha të mirat e këtij operacioni kaq të vështirë që ne po bëjmë me energjinë. Sepse do t’i japim fund faturave afrove, atyre luhatjeve të tmerrshme të tensionit, raporteve të vështira, shpesh herë, të shërbimit të klientit të kompanisë. Por ama për herë të parë po investojmë në këtë sistem. Llogariteni që sistemi ynë i shpërndarjes në 85% të tij është mbi 45 vjeç. Përfytyroni një makinë që 45 vjet nuk i është bërë asnjë servis, ku të çon ajo makinë?

 

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për reformat e tjera. Ne nuk kemi bërë aq sa t’ju themi, votuat në 23 Qershor, na sollët ne në qeveri dhe tani flini të qetë se kur i çoni fëmijët në shkollë dhe universitet, marrin shkollim sikur t’i çoni në BE. Këtë nuk ua themi dot, por, e para, në 18 muaj i kemi dhënë fund piramidave që thithnin gjithë ato para, kursime të prindërve, të investuara për t’i dhënë një universitet fëmijëve dhe që në fund u jepnin një diplomë pa asnjë vlerë. Së dyti, po bëjmë një pastrim radikal të të gjitha teksteve absurde, me të cilat ishte mbushur sistemi parauniversitar. Nëse në 18 muaj, nga tekste për të cilat vetë mësuesit ankoheshin të lebetitur, do të kalojmë hap pas hapi, në tekste të Oksfordit, të Kembrixhit, të Pirsonit në shkollat tona dhe brenda tre vjetëve, fëmijët tanë do të kenë në sistemin parauniversitar, tekstet e këtyre institucioneve prestigjioze botërore, besoj që është e qartë që ne jemi krejtësisht në drejtimin e duhur.

 

Flitet për ndihmën ekonomike. SHQUP-i thotë votoni për ne, që të kthehemi aty ku ishim. Domethënë të kthehemi aty ku ishim, që ky kryetari i  bashkisë këtu t’i japë ndihmë ekonomike kujt të dojë dhe pavarësisht se mund të kesh shtëpinë me tre kate dhe dy vetura, të marrësh edhe një ndihmë ekonomike që ta kesh për ta vënë 2, x, 1 për Kristiano Ronaldon. Ndërkohë që ne nuk është  e vërtetë që kemi shkurtuar 20 mijë të varfër nga lista e ndihmës ekonomike. Ne kemi shkurtuar 20 mijë njerëz që nuk e meriton ndihmën ekonomike dhe nga ana tjetër, për ata që e marrin ndihmën ekonomike e kemi trefishuar. Ishte nga 15 në 30 mijë, është bërë nga 40 në 80 mijë lekë. A është e mjaftueshme? Sigurisht që nuk është e mjaftueshme. Askush nuk thotë që jini të lumtur tani, se ndihma ekonomike u bë 40 mijë lekë, por ama është trefishi i asaj që ishte 18 muaj më parë dhe është shenja e duhur që ne shkojmë në drejtimin e duhur edhe në këtë drejtim.

 

Për të ardhur tek bujqësia. Nesër, ne do të paraqesim një program të ri mbështetjeje për bujqësinë, që është programi më i rëndësishëm i paraqitur dhe i mbështetur nga shteti në këto 20 vjet. Në vitin e parë, ne vendosëm të ndërpresim në një sasi të konsiderueshme të gjithë ato para që hidheshin lart e poshtë, duke i shpërndarë si thërrime, sikur gjoja mbështesnin fermerët, por në fakt, thjesht iknin dhe shumica pa lënë gjurmë. Ne kemi krijuar një skemë mbështetëse për sipërmarrjen, duke ju dhënë sipërmarrësve që janë në fshat mundësinë që të rrisin kapacitetin e tyre në infrastrukturë dhe teknologji, me synimin që të rrisin kapacitetet grumbulluese, kapacitetet përpunuese dhe kapacitetet eksportuese. Por edhe me qëllimin që duke rritur këto kapacitete, ne të shtojmë zinxhirin e njerëzve që përfshihen në prodhim, përmes krijimit të një zinxhiri vlere dhe një cikli të mbyllur.

 

Ne sot ishim në Lushnje tek një sipërmarrës, i cili falë mbështetjes që ka marrë nga qeveria, ka bërë një rritje të kapacitetit të infrastrukturës dhe teknologjisë, duke shtuar dy frigoriferë të mëdhenj të kompjuterizuar dhe faktikisht ka 5-ishuar eksportin, sepse ka rritur kapacitetin për të grumbulluar nga fermerët. Por një fermer, i cili ka 2 apo 3 dynym dhe është jashtë ciklit, çdo të bëjë me to? Mund të mbjellë domate, do t’i përdorë për konsum familjar për të mbijetuar dhe pastaj do të dalë tek rruga, me shpresën se po ndalon ndonjë makinë dhe po ia merr. Ndërkohë që një fermer që ka 5, 10 apo më shumë dynym dhe futet në këtë cikël, atëherë bën një marrëveshje me këtë sipërmarrës dhe kështu nuk ka më dhimbje koke se ku do ta shesë prodhimin, por paraprakisht ka marrë nga sipërmarrësi edhe farën e nevojshme për produktin që duhet grumbulluar, si dhe ka marrë edhe kontratën se për kaq kilogramë do të të jap kaq lekë. Nga ky moment, ai nuk është një fermer që mbijeton duke pritur që t’i dalë rasti për të shitur, por është një biznes i vogël. Kujtimi [sipërmarrësi] me këtë mbështetje që i kemi dhënë ne, ka krijuar një kapacitet për ta çuar punësimin në 3 mijë familje fermerë.

 

Mundësia për të mbështetur këto sipërmarrje nga buxheti i shtetit ka qenë e kufizuar. Ajo që do të bëjmë ne, është një program që do ta shpallim nesër, ku ne kemi përfshirë BERZH-in dhe disa banka të nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat do të vënë në dispozicion një shumë që mund të shkojë deri në 100 milionë dollarë në vit për sipërmarrësit. Dhe ndryshimi  midis sot dhe këtij programi është se nëse sot, sipërmarrësi duhet të shkojë vetë në bankë, duhet të çojë gjithë ato dokumente dhe mbi të gjitha duhet t’i paguajë bankës interesa që përgjithësisht nuk janë të favorshme për bujqësinë, sipërmarrësi nuk ka punë me bankën. Do të jetë AZHBR-ja që do të qëndrojë midis sipërmarrësve dhe bankave dhe do të jetë qeveria që do të paguajë garancinë dhe interesat. Kështu që, paratë që do të marrin sipërmarrësi, do t’i marrin pa interesa dhe ndërkohë do të jenë para të garantuara nga qeveria. Kjo besojmë që do të sjellë një rritje të madhe të investimeve në bujqësisë për prodhimin, për përpunimin,  për eksportin dhe nga ana tjetër do të na japë një rritje shumë të madhe të punësimit, në bazë të asaj logjike që unë thashë.

 

Sigurisht, përsëri mos harroni që jemi duke u marrë me gropa dhe me plagë e me histori që kanë 20 vjet që zhvillohen në hava, komplet rrumpallë. Prandaj, njerëzit duhet ta dinë se reformat nuk janë festa, nuk janë koncerte dhe as ndeshje futbollit. T’i nënshtrohesh një reforme nuk është njësoj si të shikosh rrufe në futboll. Ato janë operacione dhe masat që i shoqërojnë janë ilaçe. Por edhe pse nuk ka prind që thotë po i jap fëmijës një gjë të hidhur në gojë,  nuk ka prind që të thotë kur fëmija ka temperature, nuk po i jap ilaç, por po i jap karamele se do hidhërohet. Operacionet janë të nevojshme pe të rimëkëmbur sektorët dhe gjithë organizmin e ekonomisë dhe të shoqërisë sonë. Njësoj si në një operacion duhet kohë për të zhvilluar operacionin, pastaj duhet kohë për të rimarrë veten, pastaj duhet kohë për t’u vënë në lëvizje dhe për të vrapuar. Unë jam i sigurt që operacioni që po bëjmë do të na japë padyshim, mundësinë që ta shohim ekonominë dhe shoqërinë tonë shumë më në formë brenda pak vitesh dhe të fillojmë të fitojmë kohën e humbur, duke ecur në drejtimi e duhur dhe pa harruar që jemi në drejtimin e duhur, po destinacioni është ende larg dhe për të arritur në destinacion na duhet të vazhdojmë me këmbëngulje në drejtimin e duhur.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë