Shqiptarja.com publikon të plotë fjalimin e ish-liderit të UÇK-së Jakup Krasniqi, të mbajtur në Gjykatën Speciale në Hagë, 18 shkurt 2026.

***

I nderuar kryetar i gjyqit, të nderuar gjyqtarë e përmes jush përshëndes po ashtu të gjithë qytetarët e Kosovës që dje e festuan pavarësinë e tyre, qytetarët që jetojnë dhe në liri, në pavarësi dhe me drejtësi. Qëndroj sot këtu para jush të nderuar qytetarë jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra, për dinjitet njerëzor nga një popull ose në një popull që e refuzoi që të zhdukej, të zhdukej nga politikat e krimit dhe të gjenocid të Serbisë. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se pesë vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, angazhimin tim politik dhe jetësor për jetë e liri, jam angazhuar që herët dhe për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi, kundër politikave të persekutimit dhe të gjenocidit të regjimit serb të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës. Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe liritë themelore Ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Kjo me është bërë, pa i shkaktuar padrejtësi askujt, pa i rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi kam rrezikuar jetën time jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-1973, së bashku me familjen time, me bashkëkombasit e mi me bashkëfshatarët e mi, në besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova për çlirim dhe barazi për të gjithë.

Theksoj veçanërisht periudhën pas 11 qershorit të vitit 1998 kur dola hapur me emrin tim të plotë dhe pa maskë si zëdhënës i UÇK-së. Rreziqet ishin të jashtëzakonshme, por nuk u shqetësova për sigurinë time sepse më udhëhiqte përkushtimi im ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së tyre. Sot ndodhem në vitin tim të 16 të burgimit vetëm se luftova për liri pavarësinë e popullit tim. Thashë në vitin e 16, se 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe.

Dalja ime publike më 11 qershor 1998 tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi pak kohë pas masakrave serbe në Qerez, Nikoshan dhe Prekaz, ku humbën jetën 83 njerëz shumica prej tyre fëmijë gra dhe të moshuar të paarmatosur, të vrarë në shtëpitë e tyre. Këto vrasje brutale shënuan një pikë kthese të ndërgjegjes për një brez të tërë shqiptarësh. Çfarë me shtyri të ndërmarr këtë akt jashtëzakonisht të rrezikshëm për atë kohë? Robëria e gjatë, persekutimet, dhunimet dhe ekzekutimet e pandërprera dhe vrasjet që shënuan gjithë shekullin XX. Këto akte mizore nuk me fyen, përkundrazi më bënë të vendosur që drejtësia të mos thyhet mbi shpinën e Tiranisë që përjetuam. Dashuria për jetën dhe lirinë më bëri ta marr këtë rol. Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën, ai e zgjedh atë kur çdo derë tjetër drejt dinjitetit është e mbyllur. Mu mohua dhe me u ndalua e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur si i lirë dhe e çdo njeriu të arsyeshëm që e njeh vlerën e dinjitetin njerëzor dhe barazinë e të gjithëve, e drejta për ta dashur hapur vendin tim për të punuar për të dhe të përcjell dhe për të përcjellë atë që kam mësuar përmes dekadash jete dhe sakrificash. Por këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020.

Akuzat e prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në gjithë federatën jugosllave brenda një dekade të vetme. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie e sidomos jo drejtësisë që shoqëritë demokratike pretendojnë ta mbërrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish -shtypësve, ajo duhet të qëndrojë mbi prova të besueshme dhe mbi të vërtetën. Padrejtësia e këtij rasti është e shkruar në vetë aktakuza. Mua më atribuohen role, autoritet dhe përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve, ishte shpifje. Figura e përshkruar në dokumentin e prokurorisë nuk është njeriu qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve që erdhën këtu dhe patën guximin ta thonë të vërtetën për atë se kush isha dhe kush nuk kisha. Ata nuk erdhën për të më mbrojtur mua, por për t'i mbrojtur faktet, realitetin tonë historik të Kosovës. Dëshmitë e tyre konfirmuan një realitet të thjeshtë, unë nuk zotëroja pushtetin, komandën apo funksionet që më atribuohen në këtë rast. Kur e vërteta thuhet thjeshtë, ajo nuk ka nevojë për zbukurime.

E gjithë bota e di se NATO-ja ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO edhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin. Pa atë ndërhyrje dhe mbështetje ndërkombëtare, liria jonë nuk do të ekzistonte, por pa rezistencën tonë fisnike ajo nuk do të ishte arritur kurrë. Veprimet e UÇK-së dhe veprimet e mia si gjatë luftës ashtu dhe pas saj, në çdo rast i dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar. Zëra të besueshëm e kanë dëshmuar këtë, ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht por historia do ta kuptojë pse vepruam, jo vetëm faktin se jemi të akuzuar.

Duhet të flas për realitetin historik që e rrethon këtë çështje. Krimet dhe persekutimet nga forcat serbe që e formësuan atë periudhë janë të pandashme nga veprimet që ju kërkohet të gjykoni. Ato nuk janë zhurmë në sfond, janë të shkruara në historinë publike me shkronja shumë të mëdha për t'u fshirë. Ato mbeten pjesë e realitetit që ju kërkohet të gjykoni. Bashkohem me avokatët e mi duke ju kërkuar gjykatës të nderuar ta mbani fort në mendje atë histori sepse gjykimi pa kontekst rrezikon ta ngatërrojë pasojën me shkakun, ju lutem mos e bëni atë gabim. Lufta jonë nuk ishte unike në histori. Çdo komb kërkuar lirinë nga një pushtim i paligjshëm është përballur me akuza se rezistenca është kriminale. Megjithatë e drejta ndërkombëtare pohon se popujt që i rrezikojnë persekutimit sistematik nuk janë armiq të drejtësisë, ata po vendosin në pah pikërisht parimet mbi të cilat qëndron drejtësia.

Brezi ynë i kishte e kishte një vizion, jetën në liri, barazinë, demokracinë sundimin e ligjit. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Gjykatës të nderuar, populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë demokracinë barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminal. Qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj, te i gjithë populli i saj që ata të jetonin me dinjitet siguri dhe me të drejta të barabarta. Çdo akuzë që thotë të kundërtën është vazhdim i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë. Për të gjithë veprimtarinë time politike, të nderuar gjyqtarë jam vërtetë krenar. Zëri im qëndronte për lirinë. Bëra atë që besova se kërkonte fisnikëria njerëzore. Asnjë dëshmitar nuk ka thënë ndryshe, ju kërkoj t'i shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive dhe aty do të gjeni të vërtetën. Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit, ajo varet prej tij. Gjykatës të nderuar, e përsëris me respekt edhe njëherë Populli ynë kurrë nuk planifikoi shkatërrim apo torturë. Ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësi, asgjë më shumë asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri, nëse dashuria për lirinë gjykohet si krim atëherë vetë historia do të dënohet. Qëndroj para jush ashtu siç kam qëndruar gjatë gjithë jetës time i përgjegjshëm ndaj së vërtetës dhe i pafrikësuar prej saj. Ja kushtova jetën time bindjes njerëzit e meritojnë lirinë. Nëse kjo bindje gjykohet si krim atëherë historia e vetë do të japë verdiktin e saj shumë kohë pasi kjo gjykatë të ketë folur. Ju kërkoj ta gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim dhe nuk do të gjeni një ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domosdoshmëria nga besimi në fitore dhe në demokraci. Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejt këtu, atëherë drejtësia jo që do të më shërbejë mua, por do të nderoj parimin që krijoi këtë gjykatë. Unë këtu po e përfundoj fjalën time duke kërkuar drejtësi e cila shihet qartë. Faleminderit për vëmendjen tuaj!