Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dëshmoi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij dhe duke theksuar se veprimtaria e tij gjatë luftës ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Në deklaratën e tij para trupës gjykues, Thaçi akuzoi ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç si “të vetmin njeri që po bënte plane për një gjenocid tjetër”, duke shtuar se ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të ndjekjes nga regjimi i Beogradit.

"I vetmi njeri që po bënte plane ishte Millosheviçi, për një gjenocid tjetër. Unë u detyrova që ta lëshoja Kosovën, sepse regjimi i Millosheviçit më kishte ndjekur.  Po i njëjti regjim në mungesë do të dënojë presidentin Clinton, edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe shumë të tjerë. Duke parë masakrat e popullit tim, nuk mund të rrija indiferent, vendosa që të kthehesha në Kosovë", tha Thaçi. 

Ai theksoi se, përballë masakrave dhe vuajtjeve të popullit shqiptar, nuk mund të qëndronte indiferent dhe për këtë arsye ishte kthyer në Kosovë, pavarësisht rrezikut për jetën e tij dhe familjes.

“Nuk mund të qëndroja indiferent, ku populli im po shfarosej. Të njëjtën gjë do të bënit edhe ju nëse populli juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar. Është ofendim, për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për lirinë, është ofendim për dhjetëra mijëra viktimave të vrarë gjatë masakrave", shtoi ai. 


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë, 4 ish-krerët e UÇK-së: Akuzat janë të rënda, ne jemi të pafajshëm! Po kërkoni të rishkruani historinë e Kosovës