Shqiptarja.com publikon të plotë fjalimin e ish-liderit të UÇK-së Rexhep Selimi, të mbajtur në Gjykatën Speciale në Hagë, 18 shkurt 2026.

***

I nderuar trup gjykues, më lejoni t'i përshëndes familjen dhe miqtë e mi lart në galeri si dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Është hera e tretë edhe shpresoj të jetë e fundit që unë e marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Këto pesë vite nuk kanë qenë të lehta për ne, po as të parëndësishme për historinë e vendit tim. Megjithatë le të shërbejë gjithë kjo si një mundësi dhe shans i mirë për drejtësi. Pas gjithë këtyre viteve ka edhe një element pozitiv, shpresoj se trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë.

Në fjalën time në këtë sallë në prill të vitit 2023, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar. Sot pas gjithë këtij rrugëtimi rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë, akuzat ndaj nesh janë tërësisht e pabazuara dhe të padrejta. Unë nuk jam ngritur sot këtu ta mbroj veten time sepse këtë gjë dinë më së miri dhe e kanë bërë avokatët e mi. Nuk jam këtu as për t'ju treguar ju për drejtësinë sepse ju e dini më mirë se çdokush atë. Unë sot jam këtu për tu kërkuar nga ju që pikërisht ta ushtroni atë, drejtësinë. Edhe pse kanë kaluar gati tre vite nga fillimi i këtij procesi prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për t'ë njëllosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare.

Megjithëse prokuroria që në fillim të paraqitjes së saj, të fjalës përfundimtare, deklaroi se nuk kërkon dënimin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion shënjeshtër e saj ishte pikërisht shtab i përgjithshëm i UÇK-së, ushtria çlirimtare dhe në veçanti qëllimi i saj, që ishte pavarësia e Kosovës. Madje krijohej përshtypja sikur vetë pavarësia po trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjithësi me përgjegjësi shtabin e përgjithshëm të UÇK-së Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si citoj: “Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë apo me tutje shtabi i përgjithshëm deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”. Është e vështirë të kuptohet kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë, kundër nesh me veprime me pretendime për veprime konkrete apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës. Kjo mbetet për t'u vlerësuar nga ju i nderuar gjykues.

Po aq problematike është përpjekja e prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dysh në ata që ishin për pavarësi dhe në ata që ishin për autonom,  sikur të donte që me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për ta ilustruar këtë po perifrazoj atë që prokuroria deklaroi në paraqitjen e provave javën e kaluar. Citoj “Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovës, partitë politike që mbështesin autonominë konsideroheshin tradhtare”. Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur kurrë asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht asnjë që e mbështeste ndonjë autonomi në Serbi. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë ashtu siç ishte dhe vetë qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësi si kërkesë radikale dhe autonominë si moderne është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj. Sikur prokuroria përpiqet të na ndajë ne shqiptarëve mes veti dhe ta barazojë UÇK- me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë asnjërën e as tjetrën.

 Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një plan kriminal do të thotë ta vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit. Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë por thellësisht i padrejtë. Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrëmbuara është thjesht të përpiqesh ta rishkruash historinë. E historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi, Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut. Kur Serbia dhe Millosheviç vrisnin moshatarët e mi, helmonin nxënës dhe studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid. Çfarë duhej të bënim ne, të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve.

Në këtë sallë gjyqi dëgjuam dëshminë e gjeneralit Clark i cili gjatë një takimi që kishte pasur me kasapin e Ballkanit ai ia kishte deklaruar hapur qëllimet e tij për shqiptarët. Tha citoj: “Millosheviç më tha se e dimë se si të sillemi me shqiptarët, duhet vrarë të gjithë”. Edhe ne e dinim këtë, sepse Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish çfarë duhej të bënim ne? Ta prisnim radhën për t'u vrarë apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona? Asnjërën dhe as tjetrën. Prandaj duhej të rezistonim. Prandaj unë besoja se Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje, kishte nevojë për njerëzit të gatshëm ta jepnin edhe jetën për vendin e tyre kishte nevojë për dikë siç ishte Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj unë ju bashkova Adem Jasharit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja, ishte reagim ndaj dhunës sistematike dhe mohimit të dinjitetit. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Të nderuar unë isha pjesë e një ushtrie vullnetare, 100% vullnetare e përbërë nga civil, mësues, studentë, bujq, punëtorë, prindër njerëz. Njerëz që u detyruan t'i marrin arën sepse nuk kishin rrugë tjetër. Në një pjesë të parashtrimeve të saj prokuroria në mënyrë të çuditshme dhe në formë akuze me cilëson si një njeri person i afërt me Adem Jasharin dhe si organizator që gëzonte respekt. Nuk është e qartë nëse kjo është menduar si akuzë apo si vlerësim. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jashait është nderi më i madh që mund ta kisha, po ashtu konsideroj edhe nder edhe cilësimin si një nga themeluesit kryesorë të UÇK-së. Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza atëherë problemi nuk qëndron te unë, por tek ata që i trajtojnë nderin dhe përgjegjësinë historike si faj. Po, kam mbajtur armë. Armët për ne ishin në mbijetesë, shumë nga bashkëluftëtarët e mi kanë vdekur duke i siguruar ato. Ne kërkuam ndihmë dhe armë edhe nga vendet mike përfshirë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që është trajtuar edhe në këtë sallë.

UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk ishte plane për të sulmuar civil apo kundërshtarë politik. Ushtria çlirimtare e Kosovës nuk ishte parti politike, ishte ushtri çlirimtare. Madje edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalej në qershor e vitit 1999 dhe do të vazhdonte deri në ditën e sotme, unë ende do të isha ushtar i atdheut tim. Kuptohet nëse nuk do të isha vrarë deri më tani për çka gjasat ishin reale. Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Liria paqja dhe demokracia rrihen duke u përballur me agresionin, prandaj edhe NATO na mbështeti, prandaj na mbështetën edhe vendet tuaja.

Prokuroria në dosën e saj përfundimtare kërkon dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata saqë në thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha sikur do të kthehem në Kosovë tash e tutje varet nga vendimi juaj, por prokuroria duhet ta kishte kuptuar se kurdo që të kthehem unë do të kthehem në Kosovën e lirë. Në Kosovën për të cilën jam krenar që i kam dalë zot në kohën më të duhur dhe për lirinë e së cilës kam qenë dhe mbetem i gatshëm ta jap edhe jetën sa herë që do të kërkohej nga unë. Në respekt të secilit prej jush në këtë sallë besoj se po të ishin vendet tuaja në rrethana e njëjta me ato ç’ka përjetuar Kosova do të vepronit njësoj. Jam i bindur se dhe ju do të luftonit për njerëzit dhe vendet tuaja ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj para se vendet tuaja të bëheshin të lira e demokratike.

Gjatë luftës ndodhin shumë gjëra, ka kaos, frikë veprime individuale dhe dhimbje të akumuluar nga vitet e të tëra me shtypje. Lufta gjithmonë le pasoja dhe viktimat e saj. Pikërisht këto viktima kanë nevojë për drejtësi të mbështetur mbi të vërtetën sepse drejtësia që nuk mbështetet në të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë dhe shkatërron vetë qëllimin e saj. Pas gjithë asaj që dëgjuam nga palët gjatë këtyre viteve kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të mbështetet vetëm në ato që është provuar jo në ato që është sugjeruar në fakte jo në hamendje në ligje, jo në përshtypje. Jam besimplotë se drejtësia dhe vetëm drejtësia do të na kthejë në atdhe neve që jemi këtu të akuzuar.

Në fund dëshiroj t'i falenderoj ekipet tona të mbrojtjes dhe në veçanti ekipin tim të udhëhequr nga Geoffrey Roberts për angazhimin profesional në mbrojtjen time në mbrojtje të së drejtës dhe mbi të gjitha në mbrojtje të luftës sonë të drejtë. Por, mbi të gjitha i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë në pafajësinë tonë, mbështetja e tyre ka bërë që prangat që më kanë rënduar të mos i ndjej si barrë, veçanërisht kur ato prangat tanë nuk i rëndojnë Kosovës ashtu siç kanë rënduar gjatë gjithë kohës sa ishte nën pushtimin e egër të Serbisë. Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të mirë për atdheun e tyre janë njerëz me fat. Duket se unë jam njëri prej tyre. Faleminderit!