Fjala e Ramës në konferencën për reformën zgjedhore

Faleminderit për falenderimet! Në fakt besoj që në radhë të parë dhe jo për formalizëm, por për hir të së vërtetës i takon një meritë të posaçme Kryetarit të Kuvendit, i cili që përpara mbylljes së sesionit të vitit të kaluar publikoi shqetësimin dhe njëkohësisht angazhimin për të çelur si asnjëherë më parë, në një kohë shumë të arsyeshme, procesin e diskutimeve dhe për t’i hapur rrugë komisionit të posaçëm për reformën e mëtejshme të zgjedhjeve.

Sigurisht që kjo është edhe një shprehje e vullnetit të shumicës qeverisëse, që ka një histori të vetën lidhur me çlirimin e zgjedhjeve në Shqipëri nga kthetrat e të shkuarës. Nuk duhet ndonjë mund i madh për t’u kthyer në historinë e afërt të vendit dhe për të kujtuar 2009-n apo 2011-n në Tiranë, ashtu sikundër nuk duhet asnjë mundim i veçantë për të thënë se bazuar në këto dy zgjedhje që përmenda, Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet një forcë e madhe, e vendosur dhe shtytëse për të modernizuar procesin zgjedhor në Shqipëri.

Sigurisht që jemi të bindur po ashtu, jo thjesht për faktin se rruga drejt përsosjes është e pambarimtë, por për realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri, ka ende shumë vend për përmirësime, ka ende shumë vend për korrigjime, ka ende shumë vend për të modernizuar procesin, duke synuar minimizimin e shfaqjeve negative në këtë proces, që për hir të së vërtetës kanë ardhur duke u tkurrur, por vazhdojnë të jenë të pranishme në çdo zgjedhje në Shqipëri.

Besoj, po ashtu, që falë betejave të mëdha pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe pas zgjedhjeve të vitit 2011 në Tiranë, janë siguruar disa arritje me rëndësi të madhe, që ishin jo vetëm të pamendueshme, por edhe u penguan në mënyrë shumë brutale në të shkuarën. Mjafton fakti që sot është një normë e gjithëpranuar e drejta për të kërkuar transparencën e çdo pjese të procesit zgjedhor, duke siguruar me ligj, garancinë e çdo aktori në proces për të parë dhe dritën e procedurës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, për të pasur një ide të qartë se çfarë progresi është bërë në këtë drejtim.

Po ashtu jam i bindur se ka ende dallime të natyrshme në optikën e të vështruarit të zgjedhjeve në Shqipëri, për këdo që i vështron ato si për herë të parë. 
Nëse zgjedhjet e 2015-s do të vështroheshin si për herë të parë, sigurisht që optika është e ndryshme nga optika e vështrimit të tyre si pjesë e një procesi dhe mbi bazë krahasimore me atë çka ndodhur në zgjedhjet e 2009-n apo 2011-n. E njëjta gjë vlen edhe për 2013-n. Të mos harrojmë që pavarësisht kontestimeve tradicionale të humbësve, qoftë zgjedhjet 2013, qoftë zgjedhjet 2015 janë procese të gjithëpranuara, në radhë të parë nga vetë zgjedhësit dhe legjitimiteti i fituesve, që është një legjitimitet i bazuar tek ky gjithëpranim popullor, ka bërë të mundur edhe çeljen e një rruge pa kthim, reformash që i kanë munguar vendit për 20 e kusur vite.

Nga ana tjetër, ne jemi shumë të angazhuar dhe këtu mund ta shpreh me plot gojën, angazhimin e koalicionit tonë dhe të aleancës mes PS dhe LSI për të adresuar të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR.

E për këtë arsye, disa kohë më parë sesa Kryetari i Kuvendit të kërkonte nga të gjitha palët angazhimin e menjëhershëm në këtë proces, ne kemi ngritur grupin tonë të përbashkët të punës, për të bërë një analizë të hollësishme, të përgjegjshme, profesionale të raportit dhe për të dhëne kontributin tonë personal në adresimin e rekomandimeve të raportit, përmes tryezës së përbashkët të komisionit të reformës zgjedhore. 

Pa dashur të zgjatem në detaje, pasi jam i bindur që të tjerët do të flasin me detaje, dua të theksoj dy elementë. Elementi i parë është nevoja për të kapërcyer traditën dhe për të depolitizuar komisionet zgjedhore. Besoj se sot jemi në kohë për ta bërë këtë hap. Është një hap që për hir të së vërtetës është kërkuar tradicionalisht dhe para çdo reforme zgjedhore nga partnerët ndërkombëtarë dhe në mënyrë të posaçme nga ekspertwt e ODIHR, por është një hap që të gjithë kemi nguruar ta hedhim për një sërë arsyesh që dihen.

Këtu do të ishte dhe ndryshimi më i madh që mund të sillte reforma e re zgjedhore, në rast se sigurisht do të kishim dakordësi për këtë, pasi ndryshe nga reformat e tjera, kjo është një reformë për rregullat e lojës. Ne jemi shumë të vetëdijshëm dhe e ruajmë shumë të freskët në çdo aspekt të punës dhe të vendimmarrjes sonë, edhe gjendjen e brendshme kur ishim në opozitë, për faktin se reforma zgjedhore duhet të garantojë të gjitha palët.

Në rast se për reformat e tjera, konsensusi është i dëshirueshëm, por nuk është absolutisht i domosdoshëm, për këtë reformë besoj se konsensusi është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm, pasi nuk mund t'i privohet asnjë pale mundësia për të hyrë në fushën e betejës zgjedhore me rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë, duke përdorur vullnetin e shumicës.
Së dyti, mendoj se kërkon një diskutim çështja e reklamave elektorale. Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe është pjesa më errët nw shumë aspekte. Besoj duke u bazuar më shumë tek analiza jonë e përbashkët sesa tek shembujt, pasi shembujt janë nga më të ndryshmit, - ka vende shumë demokratike që kanë të njëjtin sistem, pra, që i lejojnë reklamat pozitive apo negative pa limit, ka vende që i lejojnë në mënyrë të limituar në kohë, ka vende që i ndalojnë. Shembujt janë nga më të ndryshmit. 

Unë besoj se për ne është e nevojshme të bëjmë një diskutim, pasi nuk do të ishte në këndvështrim tim, e paudhë ta shkurtonim këtë zë në shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë. Sigurisht që mund të ketë zgjidhje edhe të ndërmjetme. Ne si PS nuk kemi ndonjë formulë të përcaktuar. Në këtë reformë jemi shumë të interesuar që të trajtojmë sëbashku me palët e tjera, problematikën në tërësi, pa imponuar asgjë, por, megjithatë, diskutimi në këtë pikë do t’ia vlente.

Duke e mbyllur do të doja të nënvizoja edhe domosdoshmërinë për të adresuar në mënyrë më të qartë dhe mundësisht më efikase, edhe çështjen e korrupsionit zgjedhor, i cili krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, por mbetet një shqetësim, sidomos në zonat më të varfra dhe sidomos në rastet kur prevalon një mendësi tradicionale e fisit apo e klanit.
Jam i bindur që reforma territoriale-administrative na ka dhënë një bazë të re, shumë solide, edhe për të pasur një proces zgjedhor më të mirë. Jam i bindur se transformimi strukturor i organizimit të shtetit në nivelin e dytë ka shënuar një hap kolosal në luftën kundër korrupsionit dhe ka sjellë një ulje drastike të këtij fenomeni, që në nivelin e dytë të qeverisjes ka qenë shumë i përhapur. Mjafton t’i hedhim një sy historisë së pronës dhe maleve me letra false të pronave të grabitura, padrejtësisht. Apo edhe historisë së investimeve publike në shumë zona të Shqipërisë, ku çka shkruajnë bilancet e komunave nuk reflektohet në gjendjen fizike të infrastrukturës ku pretendohet se është investuar dhe për të mos u zgjatur në gjithë zinxhirin e këtij korrupsioni shumë të përhapur, që padyshim e ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe cilësinë çdo procesi zgjedhor në Shqipëri, qoftë për zgjedhjet vendore, qoftë ato politike.

Në kushte e reja është pak por e sigurt se kemi një bazë shumë më të shëndetshme dhe shumë më të favorshme për të zhvilluar zgjedhje me një cilësi më të lartë. Jam i bindur që do t’ia dalim dhe jam i bindur që do të çojmë më tutje, me një përpjekje të përbashkët dhe falë edhe udhërrëfyesit, që na është vënë në dispozicion nga OSBE/ODIHR nëpërmjet raportit, do të mund të bëjmë më të mirën, sigurisht duke mos e fshehur pikëpamjen time të gjithhershme, që kur ka konsensus jo domosdoshmërisht bëhet më e mira.
Shumë faleminderit!

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave