Fjala e Ramës në takimin “Për ekonominë lokale dhe jetën komunitare” në Berat


Mirëmbrëma të gjithëve!


Faleminderit për mikpritjen dhe për faktin që temperatura nuk është më e përshtatshmja për të zhvilluar një takim në një mjedis të hapur, por organizatorët menduan se ky ishte vendi i duhur për të folur për çka kemi bërë këtë vit dhe çka dëshirojmë të bëjmë vitin e ardhshëm me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, që adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë nevojat e komuniteteve dhe që merr një rëndësi shumë të veçantë në kushtet kur ka filluar zbatimi i reformës historike administrative-territoriale.


Është vendi i duhur, sepse qeveria jonë i ka kthyer sytë, pas shumë e shumë vitesh, nga Berati si një nga pasuritë më të çmuara të vendit tonë dhe si një nga zonat më të harruara padrejtësisht në vendin tonë. I kemi kthyer sytë nga Berati dhe jemi krenarë, sepse arritëm më në fund ta lidhim Beratin me pjesën tjetër të Shqipërisë me një rrugë të standardeve europiane, rrugën Lushnje-Berat. 


Kjo rrugë u kthye në një odise për një gjeneratë të tërë. Fëmijët që lindën në vitin 1990 u tundën, pasi u tundën mirë e mirë në barkun e nënave, sa herë kalonin rrugën për të dalë nga Berati dhe për të shkuar drejt Lushnjes, Durrësit apo Tiranës, u bënë 25 vjeç dhe nuk arritën dot një ditë të dilnin dhe hynin nga ky qytet i bekuar nga Zoti, i ndërtuar mrekullueshëm nga njerëzit e tij dhe gati i mallkuar për 25 vjet rresht, për shkak se politika dhe qeveria në Tiranë asnjëherë nuk e pa vlerën dhe nuk bëri asgjë për t’i shtuar asaj vlerë të jashtëzakonshme që ka Berati, kujdesin që do të kishte treguar çdo qeveri dhe që tregon çdo qeveri në botë ndaj një pasurie të tillë, siç ne në Shqipëri kemi Beratin.


Nga ana tjetër jemi po ashtu shumë krenarë, sepse një program i shumëkeq përfolur nga gjithfarë skeptikësh, por edhe gjithfarë injorantësh, që është programi i “Rilindjes Urbane”. I akuzuar dhe i treguar me gisht si një program për të harxhuar paratë publike pa efiçencë, në fakt, ai na ka dhënë këtu në Berat, rezultate të drejtpërdrejta, pikërisht aty ku ne besojmë që ky program mund të sjellë rezultate të mëdha, tek ekonomia vendore, tek nxitja dhe mbështetja e sipërmarrjes vendore, përmes, në radhë të parë, një rritje spektakolare të numrit të turistëve në Berat.


Ky numër është rritur në mënyrë shumë të ndjeshme, por unë dua t’ju siguroj se ne jemi larg së qenit të kënaqur, pasi kemi bindjen se potenciali që ka Berati dhe jo vetëm qyteti i Beratit, por i gjithë Qarkut i Beratit, është një potencial që, nëse do të dimë dhe jam i sigurt që së bashku do të dimë ta shfrytëzojmë siç duhet, do të sjellë në një kohë jo të largët, shumëfishimin e turistëve dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të familjeve të këtij qarku.
 
Ne kemi mbaruar një sërë projektesh me rëndësi në Berat, që janë vetëm çelja e rrugës së programit të Rilindjes Urbane dhe që do të vazhdojnë në vitin e ardhshëm me vazhdimin më tutje të kësaj pedonaleje, edhe në pjesën tjetër të bulevardit deri tek stadiumi i ri dhe që do të shtrihen në të gjithë qarkun, deri në Çorovodë. Po ashtu do të përfshijnë për herë të parë, si pjesë e programit të Rilindjes Urbane, edhe fermën, përmes infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit, që me ligjin që miratuam dje kalon në përgjegjësinë e bashkive. Së bashku me bashkitë, vitin e ardhshëm do të bëjmë për ujitjen dhe kullimin në zonat e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor, ku përfshihet edhe Berati, më shumë seç është bërë në 25 vjet të marra së bashku.
 
Nga ana tjetër, ky Fond ka një rëndësi themelore pikërisht për atë për të cilën akuzohet më shumë, që ky Fond financon një program që sjell të bukurën në mjediset e qytetit, ku njerëzit kanë jetuar për vite të tëra, si në mes të një udhëkryqi pa asnjë pikë referimi. Sjell të bukurën si një instrument për të nxitur energjitë pozitive dhe për të zhvilluar pa as më të voglin dyshim, ekonominë. Por t’ju shpjegosh injorantëve se ç’lidhje ka zhvillimi ekonomik me të bukurën është kohë e humbur.
 
Duke e rikthyer qytetin si mjedisin e bashkëjetesës mes njerëzve, përmes rindërtimit apo nganjëherë ndërtimit nga e para të shesheve qendrore të qyteteve, ne e kemi filluar punën tonë, aty nga e ka filluar çdo qytetërim dhe çdo komunitet në historinë e civilizimeve, kur ka vendosur të jetojë së bashku, nga qendra. Nga qendra që është zemra e qytetit dhe që ka po të njëjtën rëndësi që ka për organizimin e njeriut zemra, për t’u shtrirë më tej përtej qendrës, në fazat e tjera të programit.
 
Ne kemi realizuar 47 projekte vetëm për zemrat e qyteteve, në një vit të vetëm. Ndërkohë që natyrshëm është e mirëkuptueshme, në të gjithë vitet e tjera të marra së bashku, asnjëherë, asnjë bashki dhe asnjë komunitet nuk u mbështet me asnjë qindarkë për të pasur qendrën, për të pasur hapësirën që është pikë referimi e çdo komuniteti, në çdo qytet normal të botës ku jetojmë.
 
Kemi investuar në qendra, jo për të mbetur në qendra, por për t’u shtrirë edhe më tutje. Pa dyshim që nuk kanë qenë vetëm qendrat në fokus të investimeve tona. Ne vetëm në vitin 2015 kemi financuar 166 projekte të reja, 90 prej të cilave janë në bashki që nuk janë qendra qarku, sepse e kemi parë me rëndësi të madhe që ta prekim pothuajse të gjithë Shqipërinë dhe t’i japim jo vetëm qyteteve qendra qarku, siç është edhe Berati, por edhe qyteteve më të vogla, mundësinë që të fillojnë të rikrijojnë komunitet përmes hapësirave të rikualifikuara urbane. Nëse do të bënim një diferencë do t’ju thosha se investimet në këto bashki me të vogla, në tërësi janë më të mëdha sesa investimet në tërësi tek bashkitë e mëdha.
 
Financimi ka shkuar për projekte që nuk kufizohen vetëm në një qark, por përkundrazi shtrihen edhe midis qarqeve.
 
Nga ana tjetër është me rëndësi të them se projekti ynë i infrastrukturës vendore përmes programit të Rilindjes Urbane, është më i madhi në gjithë programin, me 105 projekte për infrastrukturë. Ndërkohë që pjesën tjetër e mbulon programi i arsimit dhe programi i inovacionit, pa lënë pas edhe programin e kulturës.
 
Nëse i referohemi totalit të projekteve, janë 365 dhe duke përfshirë edhe vitin 2016 shkojmë mbi 400 milionë dollarë investime, që janë investime për rritjen e ekonomive vendore dhe për rritjen e cilësisë së jetës së komuniteteve, duke prekur të gjithë moshat dhe duke ju krijuar hapësira të gjitha moshave.
 
Edhe tek ky program na u desh të shlyenim borxhe, njësoj si në çdo sektor tjetër. Faktikisht, nëse nuk do të kishim qenë të detyruar të shlyenim borxhe, pa dyshim do të kishim bërë edhe më shumë.
 
Ne kemi rritur në mënyrë progresive mbështetjen financiare për këtë program. Nëse në vitin 2012, ajo ishte 56 milionë dollarë, të cilat u shpërdoruan nëpër rrugë për qëllime mirëfilli elektorale apo klienteliste, në 2013-n ishte 75 milionë dollarë, shumica edhe ato të shpërdoruara nëpër rrugë për qëllime elektorale apo klienteliste, në 2014-n ne e çuam në 101 milionë dollarë, në 2015-n në 150 milionë dollarë dhe në 2016-n, përsëri mbi 150 milionë dollarë.
 
Nga ana tjetër, nëse nuk do të kishim shlyer 53 milionë dollarë borxhe, do të kishim mundur të ndërtonim 50 shkolla, të ndërtonim 70 kopshte, të ndërtonim 70 parqe, ose të ndërtonim 500 terrene sportive. Por zgjodhëm të shlyejmë borxhet me të njëjtin opinion si për të gjithë rastet e tjera, për të qenë ne të parët, qeveria, në rregull me detyrimet tona dhe për t’i dhënë mundësi vetes për të kërkuar që të tjerët të jenë në rregull me detyrimet e tyre.
 
Në periudhën 2012-2013 nuk u bë asgjë në asnjë qytet. Zero! Ndërsa ne u fokusuam me 47 projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin e qyteteve, në 47 qendra në 47 bashki. Nëse në periudhën 2012-2013 nuk u bë asgjë, zero, për t’i mbështetur komunitetet dhe bashkitë që të rehabilitonin hapësirat e gjelbra, - ju vetë e mbani mend shumë mirë se çfarë katandie ishte këtu në parkun qendror të qytetit të Beratit, - ne financuam 12 projekte si ky në zonat turistike të Shqipërisë. Nëse në periudhën 2012-2013 nuk u dha asnjë qindarkë, zero, për hapësirat sportive në komunitet, ne financuam 47 projekte të tilla dhe kemi sot, jo 47 terrene sportive, por 47 komplekse sportive komunitare në Shqipëri.


Investimet në art dhe në kulturë, ne i dyfishuam, për të bërë të mundur ndërhyrjen në teatro dhe njëkohësisht, edhe në monumente kulture.
 
Ndërtuam ose rindërtuam 154 shkolla dhe kopshte.
 
Ajo që është më e rëndësishmja është se ky nuk është një model i thjeshtë, për të plotësuar nevoja, por është një model zhvillimi për qytetet dhe jetën sociale në komunitet. Faktikisht foli zëvendëskryeministri, të cilin dua ta falënderoj publikisht, sepse është ai koordinatori i gjithë këtij programi dhe eksperienca e tij e vyer në historinë shembullore të suksesit si kryetar i Bashkisë së Korçës, njohja e tij shumë e spikatur e problematikave të brendshme të një komuniteti dhe e mekanizmave të zhvillimit të një qyteti kanë pasur rol kyç në suksesin e madh që ka ky program i Rilindjes Urbane. Ai nënvizoi ndërhyrjet në infrastrukturë në Berat, Korçë dhe Krujë, për të stimuluar modelet e zonave të zhvillimit të biznesit dhe ja ku jemi këtu, sot.
 
Unë vet kam marrë dozën time të mallkimeve nga disa prej pronarëve të këtyre dyqaneve, por kam qenë i bindur që një ditë të gjithë do të na falënderonin dhe i kam mirëkuptuar mallkimet e tyre kur këtu rruga ishte bllokuar, ishin hapur kanale dhe po bëhej investimi i parë që prej vitit 1969, kur unë isha 5 vjeç. Nga eksperienca ime në Bashkinë e Tiranës nuk jua kam marrë me të keq, sepse kam qenë i bindur që kur të mbaronte investimi, jo vetëm që ato humbje të shkaktuara nga bllokimi i rrugës do t’i kompensonin, por përkundrazi do të fitonin shumë më tepër, siç po fitojnë sot.
 
Është absolutisht e qartë që këto projekte kanë stimuluar turizmin. Nuk është vetëm Berati, por është edhe Gjirokastra, një tjetër pasuri e madhe që për 25 vjet u la të rrënohej në heshtje, si një i sëmurë në koma, për të cilin nuk kujdesej asnjeri dhe ku ne me projektet tona kemi stimuluar ndjeshëm rritjen e turizmit.
 
Por dua të nënvizoj dy gjëra.
 
Së pari, ne presim që kryetarët e bashkive të ofrojnë për financim projekte cilësore. Ajo që nënvizoj si pjesë tjetër të rëndësishme të këtij programi është se ky program ka sjellë rritjen e cilësisë së projekteve në mënyrë shumë të ndjeshme. 


Ajo çka gjetëm në 2013-n në sirtarët e programit ishte e pabesueshme. Projekte infrastrukture që ishin pa ekzagjerim dy faqe A4 ku shkruhej emri i projektit dhe ku bëhej një përshkrim sesi do të ishte rruga. Projekte infrastrukture pa asnjë lloj standardi, pa asnjë lloj kriteri në përcaktimin e prioriteteve, apo në marrjen e vendimit për investime. 


I jam vërtet mirënjohës disa prej drejtuesve të bashkive që kanë qenë shembullore edhe për të tjerët, në hartimin e projekteve dhe ekzekutimin e tyre.
 
Ne do të financojmë çdo projekt, pa dallim nëse kryetari ose kryetarja e bashkisë vijnë nga një parti apo një parti tjetër, nga shumica apo pakica, sepse ky është një program i Rilindjes Urbane për komunitetet dhe nuk është një vazhdim i programit të vjetër që deri në 2013-n financonte elektoralisht dhe bënte rrush e kumbulla fondin shumë më modest sesa ky i sotmi për zhvillimin e rajoneve.
 
Së dyti, dua të citoj një shkrimtar të madh amerikan, Edward Abbey, i cili thoshte se “Rritja për hir të rritjes është ideologjia e qelizave të kancerit”. Nuk ka shprehje më kuptimplotë, nëse i referohemi rritjes për hir të rritjes të investimeve të bëra në vitet e shkuara. Rrugë, rrugë, rrugë dhe rrugët na i lanë rrugëve. Na i lanë rrugëve dhe po bëjmë çmos, pasi kemi shlyer borxhet, të mbyllim projektet. Dhe jo thjesht t’i mbyllim projektet, por duke i ribërë projektet. 


Rruga Lushnje-Berat ishte një nga ato rrugë të lëna rrugëve, e filluar pa projekt në pjesën më të madhe dhe me një projekt skandaloz në pjesën ku kishte filluar. E filluar si të gjithë rrugët, pa financime. Shirita të prerë, daulle të zhurmshme, përbetime të mëdha për Shqipërinë që po kapte Gjermaninë dhe që sapo kishte lënë mbrapa Kinën dhe ndërkohë e dinë ç’kanë hequr me këtë rrugë, të gjithë ata që jetojnë në këtë qark. Si rruga Lushnje-Berat, të gjitha rrugët.


Zëvendëskryeministri përmendi vijën e liqenit të Ohrit. Një rrugë, të cilën e kemi riprojektuar nga e para. Një rrugë, projekti i të cilës ishte shëmbëlltyra më kuptimplotë e barbarisë urbane dhe jo e ripërtëritjes urbane. E kështu gjithandej.
 
Një rritje për hir të rritjes si një ideologji e qelizave të kancerit. Ndërkohë që ne nuk bëjmë rritje për hir të rritjes dhe nuk i shpërndajmë paratë që kemi për të investuar, si thërrime që shpërndahen në një tavolinë për t’i kënaqur të gjithë dhe që në fund, të gjithë mbeten të uritur.
 
Ne kemi marrë përsipër një barrë shumë të madhe në kushte shumë të vështira, por kemi një vizion strategjik të zhvillimit, kemi një program të qartë për çdo sektor, siç kemi dhe këtë program të qartë të Rilindjes Urbane.
 
Unë dua t’ju siguroj të gjithëve, që kur të vijmë në vitin e ardhshëm në Berat, në prag të vitit të ri 2017, do të ketë shumë më tepër se kaq, si gjurmë të reja të programit të Rilindjes Urbane. Duke filluar që nga ky bulevard i merituar dhe i munguar për Beratin prej shumë e shumë vitesh, i cili do të vazhdojë dyfish dhe shëtitjen herën tjetër do të mund ta bëjmë dyfish më të gjatë, në një mjedis që do të jetë shumë më i gjerë, shumë më tërheqës e shumë më mikpritës për të gjithë vizitorët e këtij qyteti që ka lindur, jeton e do të jetojë gjithmonë si qyteti i mikpritjes së veçantë.
 
Shumë faleminderit të gjithëve, edhe për faktin se mikpritjen në të ngrohtë se kam diskutuar asnjëherë këtu në Berat, por pas kësaj mikpritjeje në këmbë dhe në të ftohtë, kjo plotëson përfundimisht të gjitha kushtet që mirënjohja dhe respekti im për ju të jetë i pafundëm.
Shumë faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim nga Kosova për dhunën ndaj personazhit të TikTok, Gjykata e Durrësit liron Noizyn! Garanci pasurore 50 mln lekë të vjetra