TIRANË- Shqipëria i tha lamtumirë 2024 dhe mirësevjen 2025 me fishekzjarre, drita, lutje e trokitje gotash për një vit më të mbarë e të begatë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kryeqyteti, Tirana priti Vitin e Ri me një koncert madhështor e spektakël fishekzjarresh. Atmosferë festive u ndje në çdo qytet.
Tirana mirëpriti vitin e ri me një koncert madhështor në sheshin "Skënderbej," ku mijëra qytetarë u mblodhën për të festuar bashkë momentin magjik të ndërrimit të viteve. Atmosfera festive u ndez nga performancat e artistëve të njohur, duke i dhuruar publikut një mbrëmje të paharrueshme mes muzikës, dritave dhe fishekzjarrëve.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijoi traditën e përvitshme për të pritur në shesh me artistë dhe qytetarë Vitin e Ri duke uruar më shumë gëzim, shëndet, mbarësi, më shumë punë dhe "më pak stërkëmbësha dhe xhelozi“.
Ky vit e gjen Tiranën si kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut
Nga nesër Tirana do të jetë kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut dhe kur më pyesin shumë njerëz ku do të isha sot në darkë, thashë: Nuk ka një vend më të mirë, më të bukur dhe më të dashur se Tirona jonë e madhe”, theksoi Veliaj.
Edhe në sheshet kryesore të qyteteve të tjera si në Korçë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Vlorë, Fier u ndje atmosfera festive me fishekzjarre, të cilën Report Tv e përcolli në një transmetim të drejtëpërdrejtë. Qielli ndriçoi nga fishekzjarret duke dhuruar një atmosferë magjike që u shijua nga qindra qytetarë.
E siç e do tradita nata e ndërrimit të viteve, mblodhi në tryezë familjarë e miq, të cilët sëbashku shijuan gatimet tradicionale e trokitën gotat për shëndet e mbarësi. Kishte nga ata që e mirëpritën Vitin e Ri 2025,me hedhje fishekzjarresh nga ballkonët dhe tarracat e banesave të tyre.
Koncerti në sheshin Skënderbej, me këngëtarë të njohur si Xhensila Myrtezaj, Sardi Strugaj, Ardit Çuni, Elgit Doda solli atfmosferë mjaft të gëzuar që vijoi deri në orët e para të mëngjesit.
Edhe Shqiptarja.com dhe Report Tv urojnë shqiptarët: Gëzuar Vitin e Ri 2025!
Foto: Tirana 1 janar 2025
Ashtu si në të gjithë Shqipërinë edhe në Lezhë bashkimi i akrepave të orës që lajmeruan ardhjen e Vitit të Ri 2025 u prit me një atmosfere të gëzueshme. Qindra qytetarë sfiduan temperaturat e ulëta dhe mbushën rruget dhe sheshin kryesor të qytetit, duke u bërë pjese e festimeve
Epiqendra e festes ishte lulishtja pranë memoralit të Gjergj Kastriotit, ku për disa minuta qielli u ndriçua nga magjia e fishezjarreve të shumta të cilët u hodhen në mënyre të organizuar nga bashkia, por edhe vetë qytetaret.
E gjithë atmosfera festive u monitorua nga forca të shumta policie të cilët ishin vënë në gadishmeri, ndërsa i pranishem në terren ishte dhe vetë drejtori i Policisë Vendore Altin Mena.
Blutë u vendosen në disa pika ku herë pas herë ndërhynë për normalizimin e qarkullimit, pasi fuksi i lartë i automjetëve krijoj një trafik të rënduar. Sipas raportimeve nata e ndërrimit të vitëve ka kaluar e qetë dhe pa incidente.
Nata e ndërrimit të viteve e gjeti Beratin plot gjallëri të banorëve të cilët kishin dalë në qendër për të shijuar spektaklin e fishekzjarreve të organizuar nga bashkia e qytetit.
Në rrugët e qytetit ka pasur prezencë të shtuar të forcave të policisë,që kanë qënê në gadishmëri të plotë,jo vetëm për të garantuar qarkullimin normal në rrugët e Beratit por edhe për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Hedhja e fishekzjarreve në Krujë
Edhe Kruja dhe Fushë-Kruja e pritën ndërrimin e viteve me hedhje fishekzjarresh, por me pak atmosferë festive edhe për shkak të temperaturave të ulëta.
Gjithsesi spektakli i fishekzjarreve nuk mungoi, teksa Bashkitë dhe qytetarët e respektuan traditën e përvitshme të pritjes së ndërrimit të viteve si përherë.
Saranda gjatë festës së ndërrimit të viteve
Edhe qyteti i Sarandës ka lënë një spektakël fishekzjarresh në mesnatë, me rastin e ndërrimit të viteve.
Viti 2025 është pritur më së miri, si nga qytetarët, ashtu edhe nga Bashkia, teksa rrugët dhe sheshet ndriçonin.
Megjithëse me numër të pakët qytetarësh në shesh për shkak të temperaturave të ulëta, qyteti ka qenë një magji feste.
Me pamjet e kapura nga lart, dritat vezullonin dhe pasqyronin edhe në detin pranë, duke i dhënë një panoramë gati piktoreske.
Festimet e ndërrimit të viteve në Lushnjë
Qyteti i Lushnjës e ka pritur vitin e ri 2025 me hedhje fishekzjarresh, shashkash dhe kapsollash, teksa tymi dhe mjergulla nga lëndët piroteknike pushtoi rrugët dhe të gjithë sheshin.
Qytetarët sfiduan temperaturat e ulëta duke iu bashkuar festës dhe ceremonisë së hedhjes së fishekzjarreve nga institucioni lokal.
Zhurma që krijuan lëndët piroteknike kanë shqetësuar jo pak qytetarët, por ndërrimi i viteve është pritur ashtu si përherë, duke e nisur festën para se të shkonte mesnata.
Hedhja e fishekzjarreve në Gjirokastër
Një atmosferë jo e ndezur në Gjirokastër mesnata e sotme dhe pritja e ndërrimit të viteve.
Mbizotëroi qetësia, teksa Bashkia ndoqi traditën e përvitshme të hedhjes së fishekzjarreve dhe krijimit të ndjenjës së ardhjes së vitit të ri.
Situata ishte e qetë dhe pa incidente, teksa policia monitoroi rrugët. Temperaturat e ulëta shoqëruan momentin e festimeve të ndërrimit të viteve.
Ndërrimi i viteve në Kukës u prit me atmosferë festive si kudo.
Qytetarët në sheshin kryesor dolën për të ndjekur hedhjen e fishekzjarreve nga Bashkia, traditë e përvitshme, teksa atmosfera e zbehtë për shkak të mjegullës së dendur që po mbizotron në Kukes, shtuar këtu edhe tymin e krijuar nga hedhja e mjeteve piroteknike nga ana e qytetarëve, sikur e ndali pak hovin e festës.
Gjithashtu kjo e shoqëruar edhe me temperaturat e ulëta.
Festimet e natës së sotme në Elbasan
Elbasani mirëprit gjithashtu Vitin e Ri 2025 para se të binte mesnata dhe të ndërroheshin vitet.
Me qindra qytetarë kanë mbushur sheshin kryesor në Elbasan, duke shikuar spektaklin e fishekzjarreve të hedhura nga Bashkia.
Policia ndoqi situatën nga afër për të shmangur problematikat e sigurisë dhe rendit dhe nuk u raportua për ndonjë incident.
Qyteti u ndez nga zhurma dhe ngjyrat e fishekzjarreve, teksa atmosfera festive ka qenë e veçantë.
Festa e qytetarëve në Korçë
Edhe Korça, një qytet tradicional festimesh dhe serenatash, nuk ka qëndruar pas qarqeve të tjera të mëdha për të festuar ndërrimin e viteve.
Qindra qytetarë janë parë në sheshin e qytetit minuta para se të vinte mesnata dhe të hidhnin fishekzjarret e para dhe deri tek shashkat dhe kapsollat nga ana e fëmijëve.
Spektakli i fishekzjarreve dhe festa zgjati deri në orët e para të mëngjesit, teksa u organizua edhe ceremonia e hedhjes së fishekzjarreve nga Bashkia. Dhe pavarësisht temperaturave të ulëta, sheshi ishte i mbushur.
Deri tani, gazetari i Report TV, Armand Braho, informoi se nuk raportohet për problematika me rendin dhe sigurinë, apo dhe shëndetin e qytetarëve.
Festimet e qytetarëve të Vlorës për ardhjen e 2025-ës
Edhe Vlora priti ndërrimin e viteve si zakonisht, me festime në shesh, koncert dhe hedhje fishekzjarresh.
Qindra qytetarë sfiduan temperaturat e ulëta dhe i janë bashkuar festimeve duke uruar, përqafuar dhe kënduar.
Zhurma e fishekzjarreve nisi minuta para se të ndërroheshin vitet dhe qielli është ndricuar nga numri i madh i fishekzjarreve të hedhura, por nuk munguan as kapsollat.
Por nuk raportohet për ndonjë incident deri tani.
Festimet sot në Fier
Edhe Fieri priti ndërrimin e viteve me festë fishekzjarresh dhe hare.
Mijëra qytetarë dolën në shesh dhe shumë të tjerë festuan me hedhje fishekzjarresh e kapsollash nga banesat dhe sheshet e lagjeve. Qielli ndriçoi, teksa qytetarët sfiduan temperaturat e ulëta.
Por pati edhe një lajm të mirë paralel me festën në shesh. Në maternitetin e Fierit ka qenë një djalë fëmija i parë i vitit 2025, teksa ora shënonte 24:00.
Mjekët thanë se fëmija ka lindur i shëndetshëm dhe erdhi në jetë nga një nënë nga Marinëza, 50 cm i gjatë dhe pesha 3650 gramë.
Kryebashkiaku Beci dhe qytetarët presin ndërrimin e viteve në shesh
Edhe Shkodra ndezi festën e ndërrimit të viteve me koncerte dhe fishekzjarre.
Qindra qytetarë të pranishëm në sheshin e qytetit dhe mes tyre vetë kryebashkiaku Benet Beci.
Atmosfera festive u shoqërua nga hedhja e fishekzjarreve gjithandej dhe më pas nga koncerti festiv i organizuar me këtë rast.
Festimet në Durrës
Qyteti i Durrësit ka ndezur i pari atmosferën e festës së hedhjes së fishekzjarrëve në mes të sheshit, ku ndriçonin edhe pemët e Vitit të Ri.
Qytetarët kanë sfiduar temperaturat e ulëta për të shijuar magjinë e fishekzjarrëve, teksa edhe një re tymi e lënë pas prej tyre mbuloi sheshin.
Oshëtima dhe kërcitja e fishekzjarrëve u ndoq nga mijëra qytetarë, teksa u hodhën edhe nga të tjerë prej banesave të tyre. Qielli i Durrësit ndriçoi nga ky spektakël, duke bërë edhe mirazhe dritash në det.
Po kryetari bashkisë do jetë?
PërgjigjuLexoje cfare thote