Fjala e Rames ne anetaresimet e reja ne PS

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit që jeni këtu sot, për të na dhënë mundësinë që të vijojmë me takimet e vazhdueshme të pasditeve, për të çuar përpara një proces me shumë rëndësi për Partinë Socialiste. Procesin e riorganizimit, hapjes dhe forcimit të Partisë Socialiste, qoftë duke u reformuar nëpërmjet reformimit të strukturës sociale të organizatë të Partisë Socialiste, qoftë edhe duke u rritur në numër nëpërmjet prurjeve të reja, që janë në këndvështrimin  tim, treguesi më kuptimplotë i mbështetjes që kanë reformat në këtë periudhë. Nëse reformat nuk do të kishin mirëkuptimin dhe mbështetjen e një shumice të konsiderueshme, nuk do të ishte e lehtë që të organizonim një proces hapjeje dhe të kishim kaq shumë prurje të reja, kaq shumë anëtarësime me interesimin e moshave të ndryshme, grupeve të ndryshme shoqërore, për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste.
 
Unë nuk e kam dyshuar në asnjë moment që njerëzit do t’i mirëkuptonin reformat, sepse në thelb ka qenë prej kohësh një dëshire e nevojë e brendshme e njerëzve për të pasur shtet.
 
Megjithatë, ne bëmë një gabim dhe besoj që është një gabim që është përgjegjësi e imja, fjala vjen, që e vonuam fillimin e reformës së energjisë, për shkak të një ngurrimi të madh të pjesës dërrmuese të njerëzve që e përgatiten atë reformë, se mos kjo reformë do të na dëmtonte në mënyrë të pariparueshme politikisht.
 
Duhet ta kishim filluar më parë, menjëherë. I mbetur krejtësisht në minorancë në ato diskutime, unë ngurrova për të dhënë vendimin final që ta fillonim atë betejë aq të madhe, që solli një transformim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Kini parasysh që, sikur ajo që ne bëmë, vendosja e një raporti të qartë mes  konsumatorëve të energjisë dhe kompanisë, duke vënë një vijë të kuqe dhe të pakapërcyeshme për vjedhjen e apo për mospagimin e energjisë, të ishte bërë 20 vjet më parë, ne do të kishim fituar 60 vjet investime në shëndetësi. Para, të cilat në fakt i kemi shpenzuar për të mbushur gropën e vjedhjeve dhe të borxheve të pashlyera të konsumatorëve. Apo do të kishim fituar 40 vjet investime në arsim dhe 30 vjet investime në bujqësi.
 
Parafytyroni ku do ishim sot, nëse gjithë këto para do t’i kishim investuar në shëndetësi, në arsim apo  në bujqësi, nuk do kishim sot asnjë shkollë dhe asnjë kopsht e çerdhe që do të ishte duke u shembur, ose që do t’u mungonte komuniteteve nga Tropoja deri në Sarandë; Nuk do të kishim sot, asnjë qendër shëndetësore jashtë kushteve optimale, asnjë mungesë në infrastrukturën e spitaleve bashkiake dhe rajonale dhe do e kishim mbyllur përfundimisht, një investim që vazhdon  prej kaq shumë vitesh në QSUT.
 
Sikur ne të kishim filluar me kohë operacionin kundër informalitetit dhe sikur atë që ne kemi bërë në 2 vjet, duke siguruar rritje të ardhurash me +1% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, ta kishim bërë prej vitesh, ne do të kishim përfituar edhe më shumë para sesa çfarë thash lidhur me energjinë. E sëbashku me paratë e fituara nga ndalimi i vjedhjeve dhe moslejimi i akumulimit të borxheve për 20 vjet me radhë dhe paratë e fituara nga kjo e dyta, ne do të kishim 200 vjet investime në shëndetësi. Pra, në 20 vjet do të kishim investuar sa për 200 vjet.
 
Këto shifra që mund t’i kthejmë nga shumë anë, për të krijuar një kuptim të vlerës që ka puna që po bëjmë, vlejnë edhe për diçka tjetër, për të kuptuar që i kemi lënë vetes kaq shumë fushë abuzimi dhe vetëpëlqimi me abuzimin në gjithë këto vite, sa kemi krijuar një prapambetje organike shumë të madhe. Një prapambetje që nuk kapërcehet lehtë, sepse është prapambetja e një gjenerate.
 
Sikur pastrimin e xhunglës së librave, të mbushur me marrëzi dhe jashtë standardeve ndërkombëtare të metodologjisë, të didaktikës, të cilësisë së informacionit ta kishim bërë me kohë dhe sikur futjen e librave të Oksfordit, të Kembrixhit, të Pirsonit ta kishim bërë me kohë, ne sot do kishim në Shqipëri, 414 mijë të rinj, mes moshës 25-30 vjeç, që do të ishin të kualifikuar shumë më shumë seç janë dhe që do të kishim shumë më tepër shanse, që si forcë e kualifikuar pune të ishin konkurrues, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në tregun e jashtëm.
 
Nëse nuk do t’i kishim yshtur rreth 30 mijë vet drejt universiteteve piramidë dhe nuk do t’i kishim nxjerrë nga xhepat, familjeve shqiptare, 148 milionë euro, për të marrë fëmijët e tyre diploma pa pikë vlere, por do kishim hapur me kohë, hullinë e arsimit profesional, bazuar në sistemin gjerman, siç ne e kemi hapur prej 2 vitesh, do të kishim të paktën 250 mijë të punësuar më shumë në moshën 25-30 vjeç. Faktikisht do të kishim një papunësi rinore shumë herë më të ulët dhe do të kishim një fuqi tërheqëse për investimet e huaja shumë herë më të madhe, pasi një nga arsyet dhe themelorja, sipas vetë sipërmarrësve, që pengon investimet e huaja dhe të brendshme në disa fusha që kërkojnë kualifikim, është mungesa e këtij kualifikimi.
 
Prandaj, ne sot  gjendemi përpara faktit që hapjes sonë i përgjigjen kaq shumë njerëz dhe mund t’i përgjigjen edhe më shumë njerëz, nëse ne organizohemi si duhet.
 
Në një anketë të bërë përpara fillimit të këtij procesi ka qenë surprizë për të gjithë ne, që pyetjes “A jeni i gatshëm të anëtarësoheni në Partinë Socialiste” i përgjigjen pozitivisht 11%. E dini ç’domethënë 11% e një kampioni që përfaqëson popullin shqiptar? Dhe pyetjes “A jeni të gatshëm ta konsideroni Partinë Socialiste” i përgjigjen 16%. Ndërkohë që pyetjes “A jeni të gatshëm të anëtarësoheni në Partinë Demokratike” iu përgjigjën pozitivisht vetëm 3%. Pra, 11% PS-në dhe 3% PD-në. Ndërsa pyetjes “A jeni të gatshëm ta konsideroni Partinë Demokratike” iu përgjigjën pozitivisht vetëm 7%. Pra, 16% PS-në dhe 7% PD-në.   
 
Ajo që neve na duhet është që t’ua krijojmë njerëzve mundësinë që të anëtarësohen, - natyrisht nuk bëhet fjalë që të fusim të gjithë popullin në parti. Nga ana tjetër t’u krijojmë të anëtarësuarve kushtet që të ndjehen të nevojshëm dhe jo thjesht një numër më shumë në një strukturë që funksionon vetëm ditën e fillimit të fushatës elektorale.
 
Kjo na duhet reciprokisht. U duhet atyre që anëtarësohen, që të ndjehen të dobishëm dhe që ta përdorin Partinë Socialiste në funksion të aspiratave të tyre dhe të nevojave të grupit të interesit apo të komunitetit që përfaqësojnë, na duhet neve, për të rritur fuqinë mbështetëse për reformat.
 
Reformat që ne po bëjmë janë reforma që kanë një rëndësi të madh për atë që Shqipëria do të jetë pas 15, 20 vjetësh, siç mungesa e tyre 20, 15 apo 10 vjet më parë na solli këtu dhe na vë përpara atyre fakteve që janë rrëqethëse dhe atyre shifrave që janë tronditëse. Tronditëse, nëse do t’i imagjinonim si shifra që do t’i kishim pasur në dispozicion për t’i investuar dhe nuk do t’i kishim lënë rrugëve, për të mbushur gropat e vjedhjeve të energjisë dhe të evazionit e informalitetit nga të katër anët, me iluzionin absurd se rregulli dëmton të varfrin, ndërkohë e kundërta është e vërtetë, është mundësia numër një që u duhet krijuar të varfërve, për të dalë nga varfëria.
 
Reformat kudo krijojnë rezistencë. Po diskutonim me Pandin, pasi ai e ndjek me shumë vëmendje politikën dhe jetën e Amerikës, faktin që edhe në Amerikë, lobet farmaceutike bëjnë rezistencë shumë të madhe. Nëse ka 40 vjet që flitet për reformën në sistemin shëndetësor dhe reforma ka hasur vështirësi të jashtëzakonshme, aq sa Presidenti Klinton dështoi dhe është një nga pak dështimet e presidencës së tij, pasi kundërvënia e lobeve, e kombinuar me marrjen e shumicës së Kongresit nga republikanët, e pengoi ta çonte reformën deri në fund. E nëse sot, në fushatën presidenciale në anën e demokratëve, tema kryesore është thellimi i reformës në shëndetësi, kjo vjen si rezultat i rezistencës së lobeve që kanë shumë para. Por ka një ndryshim, që në Amerikë e bëjnë haptas, ballas, të organizuar, financojnë fushata dhe mbi të gjitha e bëjnë në një betejë shumë të egër argumentesh dhe nuk dalin t’i thonë atij që bën reformën, “ti je hajdut”.
    
Ndërkohë që këtu, ministrin tonë të Shëndetësisë e sulmojnë, siç sulmohen në vendet e pazhvilluara, reformatorët. Siç sulmohen aty ku ka pasur parasysh Gandi kur thoshte: “Çdo reformator duhet ta dijë se në fillim do të ndeshet me përqeshjen, pastaj me përbaltjen dhe vetëm nëse i reziston përqeshjes dhe përbaltjes, do t’ia dalë.”
 
Ka një fakt, ndër të tjera, që sot, në Shqipëri, ilaçet kushtojnë 30 % më pak se dy vjet e gjysmë më parë. E dy vjet e gjysmë më parë, Shqipëria dhe Meksika, ku çështja e ilaçeve është një çështje shumë e  qartë, e gjithëpranuar, pengmarrjeje e shtetit nga një mafie e organizuar që kontrollon çmimet, ishin të vetmet vende në botë që kishin çmime më të larta sesa në vendet e origjinës, 30 %.
 
E thënë ndryshe, 70 milionë dollarë, ne ia kemi hequr nga xhepi një grushti njerëzish apo një grushti kompanish dhe ia kemi kthyer familjeve, paratë, të cilat deri dy vjet e gjysmë përpara i shkonin këtij grushti njerëzish. Ky grusht njerëzish, një kombinim i biznesit me politikën, nuk mund ta pranojë këtë gjë, me qetësi. Përkundrazi reziston dhe financon përbaltjen. Ata, të cilët i japin zë këtyre interesave, janë ata që deri dje i mbronin këto interesa, qeveria e vjetër. T’i thuash opozita, Partisë Demokratike, është një eufemizëm. Fatkeqësisht, Shqipëria sot ka një problem madhor, që nuk ka opozitë. Ka dy qeveri, një qeveri të rënë nga kali dhe një qeveri të votuar për t’i grahur kalit të reformave.
 
Qeveria e vjetër nuk ka sesi të bëjë gjë tjetër, për sa kohë nuk është zgjuar dhe nuk ka kuptuar se nuk është më qeveri, sepse akoma nuk është ngritur nga fusha e disfatës së zgjedhjeve të 2013-s dhe e ka të pamundur të ngrihet për shumë arsye.
 
Ajo që ndodh me ministrin e Brendshëm është një gjë unikale dhe besoj që padyshim mund të hyj në Guinness. Nuk besoj se mund të ketë një rast tjetër që një ministër në dy vjet e gjysmë të sulmohet 1300 e kusur herë, ose pak a shumë 4 herë në ditë, mesatarisht, duke llogaritur të gjithë konferencat e shtypit, deklaratat, fjalimet e posaçme në parlament.
 
E për çfarë sulmohet?! Sulmohet si kriminel, si bashkëpunëtor në krim e kështu me radhë. Tipikisht për të njëjtën arsye. Nuk po hyj të marr shumë gjëra, por po marr vetëm Lazaratin. Lazarati nuk ishte ajo fusha me bar joshës dhe me ca ordinerë me automatik aty, që i rezistuan policisë për 5 ditë. Lazarati ishte një bankë parash të zeza që qarkullonte miliarda dhe këto miliarda diku shkonin dhe nuk shkojnë më. Flakët mbi plantacionet e barit joshës, faktikisht ishin flakët që dogjën bankën. Ata që ishin aksionerë të kësaj banke, çfarë mund të bëjnë tjetër, përveçse të investojnë para dhe fuqi politike dhe mediatike, për të inkriminuar ministrin e Brendshëm.
 
Nuk është një gjë që ndodh në Shqipëri për herë të parë dhe s’ka të bëjë fare me asnjë teori konspiracioni. Është fakt. Nuk i takon kësaj qeverie dhe nuk është Shqipëria e sotme e gatshme për të ndërmarrë një operacion zbardhjeje te financimeve të këtyre lloj fushatave. Kjo rezistencë, e cila përshkallëzohet në formën e një ezaurimi nervor, ku qeveria e vjetër thërret në ndihmë pularinë për të sulmuar qeverinë në detyrë, është shprehje  e faktit që rezistenca është rezistencë kundër reformave, nuk është rezistencë kundër Saimir Tahirit si person, apo Ilir Beqes si person, apo edhe meje si person. Ka patur dhe persona të tjerë në pozicionin tim, që janë sulmuar barbarisht dhe në momentin kur nuk kanë qënë më kryeministra, nuk është marrë më njeri me ta. Është çështje interesash.
 
Beteja që ne na pret është një betejë  ku pa as më të voglin dyshim, ne kemi të gjitha mundësitë që jo të fitojmë, por të triumfojmë dhe të marrim një rezultat edhe më të mirë sesa ai i 2013-s. Por nga ana tjetër është një betejë që do të jetë e vështirë dhe vështirësitë ne duhet te do t’i përballojmë nëpërmjet të vetmes fuqi që kemi, që është Partia Socialiste dhe nëpërmjet të vetmes fuqi që përmban brenda vetes, arsyet më pozitive të të qenit fëmijë i këtij vendi dhe qytetar i ndërgjegjshëm i këtij vendi.
 
Partia Socialiste ka bërë shumë gabime në historinë e vet. Edhe qeveria e Partisë Socialiste, sot, ka bërë gabimet e veta, pot mbi të gjitha, Partia Socialiste që nga dita e parë e ekzistencës së vet e deri më sot nuk ka regjistruar asnjë tradhti kombëtare. As edhe një! Nuk i ka rënë ndesh asnjëherë, interesit kombëtar. Këtë gjë, qeveria e vjetër nuk e thotë dot për veten e vet. E ky është një ndryshim shumë i madh.


Ashtu sikundër është ndryshim shumë i madh fakti që kur qeverisin ata, është cikli i shkatërrimit dhe kur qeverisim ne, është cikli i ndërtimit. Edhe ky është fakt.  


Sot janë të gjitha kushtet që ne të bëjmë shtet, duke u bazuar tek eksperienca dhe tek pasioni që na ka sjellë këtu të gjithëve. Pasioni që mban Pandin këtu, megjithëse nuk i ka mbetur asnjë fije floku e zezë, pasioni që më mban mua këtu, megjithëse nuk më ka ngelur asnjë fije floku më e gjatë sesa maja e thoit dhe pasioni që ka sjellë këtu, gjithë këto vajza me flokë të gjatë, të të gjitha ngjyrave, që na bëjnë një komunitet shumë të larmishëm dhe shumë të fortë dhe që na japin mundësinë që ta përjetojmë jetën politike si një mundësi për të qenë të dobishëm për vendin tonë dhe njerëzit tanë. Kjo është Partia Socialiste!


Secili nga ne dhe këtë e them pa formalizëm, që nga Pandi që është më i vjetri dhe deri kush është më i riu këtu, mund të bëjë një kontribut të rëndësishëm dhe nëse kjo vlen për ne, se Pandin e përmend si përfaqësuesin tonë më të denjë, kjo vlen edhe për ju që jeni më të rinj. Por duhet që ju të jeni aktivë dhe të mos mjaftoheni me marrjen enjë karte, apo me regjistrimin e emrit, apo thjesht me votimin për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste.


Na thonë neve nuk bëjmë zgjedhje. Ne deri tani i kemi bërë nja 5 mijë procese zgjedhore në pak muaj, që do të thotë se kemi zgjedhur me votë të fshehtë, kryetarë partie dhe kemi zgjedhur dhe delegatë kongresi. Nuk i kam numëruar, por mund të jenë edhe mbi 5 mijë. Kemi një organizatë për një qendër votimi, kemi 5500 qendra votimi. Duke llogaritur aty ku ende nuk janë bërë votimet e që vazhdojnë, duke llogaritur edhe votimet për delegatë, mbi 5000 procese zgjedhorë në harkun e dy muajve.


Këta që nuk kanë zgjedhur kurrë, por vetëm janë emëruar nga Saliu, i cili nga ana e vet është zgjedhur vetëm një herë dhe që atëherë nuk është zgjedhur më. Flas në parti, se në politikë është zgjedhur disa herë në Kavajë, por edhe Kavaja më në fund u dorëzua dhe nuk e mbajti dot më e i dha duart. Prandaj e ka merak të madh Elvis Roshin, se në fakt nuk është e lehtë të jesh gjithë ai burrë mitologjik dhe të të mundi një që duhet të ulësh kokën, për t’i parë majën e flokëve. Por ja që e mundi, e përzuri nga Kavaja dhe ia tha përpara. E di që këtë që po them do ta shënojnë tek kushtet për të riparë marrëdhënien me parlamentin, por kjo është çështje e tyre. Ne nuk i ndihmojmë dot, ndonëse nuk e meritojnë ndihmën tonë, edhe pse mirë do të ishte që të kishim opozitë. Do të ishte shumë mirë, madje.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim