Fjala e Rames ne konferencen vjetore te BSH

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?”, organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore” pranë Universitetit të Oksfordit:

Ashtu sikundër lindja e Krishtit shërben si vijë ndarëse për dy faza të historisë së njerëzimit, ashtu dhe krizat e mëdha financiare shërbejnë si kufi ndarës ndërmjet epokave të ndryshme ekonomike.

Edhe pse siç ka thënë nobelisti Paul Samuelson ajo çka realisht ne dimë për krizat globale është që në fakt dimë shumë pak. Ne sot mund të themi me siguri që përballja me krizën e fundit vuri në provë zbatimin e gjithë opsioneve të mundshme, politikave konvencionale dhe jo konvencionale për politikbërësit në gjithë botën, në vende të pasura ose në vende të varfra, në vende të zhvilluara ose në vende në zhvillim.

Në fjalorin e ekonomistëve qëndron gjithmonë shprehja se të gjitha krizat financiare janë njësoj, por asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Mënyra dhe shpejtësia, me të cilën kriza e fundit u shtri gjerësisht, sipas një efekti domino, ka sfiduar të gjitha pikëpamjet tradicionale mbi natyrën vetëkorrigjuese të tregjeve financiare dhe ka sjellë tanimë prej vitesh në plan të parë debatin mbi rolin e financës në rritjen ekonomike.

Sipas raportit të Bankës Botërore për Europën Juglindore ku dhe ne përfshihemi, thuhet se ndoshta asnjë rajon tjetër në Europë, nuk është më i ndjeshëm ndaj krizës së euros sesa vendet e Europës Juglindore, me sfida shumë serioze për këto ekonomi të vogla. Perspektivat e rritjes ekonomike të këtij rajoni varen gjerësisht nga faktorë të jashtëm, duke përfshirë dhe rimëkëmbjen e kërkesës së jashtme, veçanërisht në Europë dhe në stabilizimin e çmimeve ndërkombëtare të energjisë në nivelet aktuale.
Në fakt, pas një dekade me norma të larta të rritjes ekonomike, rajoni i Europës Juglindore u prek rëndë nga kriza ekonomike dhe fiskale në zonën e euros. Aktiviteti ekonomik në Europën Juglindore vuan nga një kërkesë e dobët e brendshme, nga një papunësi e lartë dhe nga sisteme bankare të ngarkuara me shumë kredi jo performuese.  
Raporti i Bankës Botërore thotë po ashtu se sfidat strukturore vazhdojnë të jenë përgjigjja për të gjetur rritjen në vendet e Europës Juglindore. Në këtë rreth thuajse vicioz qëndron në një model të ri rritje të bazuar në radhë të parë tek integrimi ekonomik rajonal, tek një ekonomi gjithëpërfshirëse dhe inteligjente përtej kufijve që ndajnë sot vendet e rajonit, duke i përcaktuar dhe madje dënuar si ekonomi shumë të vogla për të qenë të vetëmjaftueshme. Përtej mënyrës sesi lindi dhe sesi u përhap, kriza nxiti dhe zbatimin e disa politikave të posaçme, që ishin të paprecedenta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  

Autoritetet monetare në vendet e zhvilluara ishin të parat që aplikuan lehtësira monetare agresive, duke ulur normat e interesit dhe më pas duke përdorur bilancet e tyre, në mënyrë jokonvencionale për të injektuar likuiditetin. Në të njëjtën kohë rënia e prodhimit nga kriza solli nevojën për politika fiskale kundërciklike të përmasave që deri përpara krizës as nuk mund të imagjinoheshin.

Në ditët e sotme, bota e zhvilluar po merret me analizën e sukseseve të instrumentit jokonvencional, siç është dhe lehtësimi sasior. Rezerva federale, banka e Anglisë dhe së fundmi Banka Qendrore Europiane po e trumbetojnë suksesin e këtij instrumenti, në një botë që financiarisht mbetet ende e trazuar, e cila sipas cikleve të saj shënon, qoftë rritje, qoftë dhe rënie të mëdha. Kriza tregoi se lojtarët e tregut nuk ishin të përgatitur që të menaxhonin sistemin që e kishin krijuar vetë. Ajo na mësoi se tregu financiar nuk mund të vetrregullohet nga forcat e tregut dhe se bankat qendrore duhet të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm në mbikëqyrjen e shëndetit të sistemit financiar.

Autoritetet kombëtare duhet të ndërgjegjësohen se në një sistem të integruar financiar fuqia e politikave të tyre lokale është marxhinale. Për këtë arsye koordinimi i mbikëqyrjes financiare ndërmjet vendeve dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm të ekonomisë është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar në një sistem të integruar global që, siç e tregon edhe kriza më e fundit e refugjatëve na vë përpara zhvillimesh të paparashikueshme dhe të paimagjinueshme, vetëm deri pak kohë më parë. Kriza ka vënë në dukje faktin se bashkëpunimi ndërkombëtar ekonomik dhe integrimi janë bërë të domosdoshëm pasi asnjë vend nuk e ka më të mundur të trajtojë sfidat e reja i izoluar nga vendet e tjera. Për vetë natyrën kontaminuese që kanë të gjitha këto sfida.

Për herë të parë, në Konferencën e Vjenës, në 27 dhe 28 gushtin e shkuar që pasoi atë të Berlinit një vit më parë, vendet e këtij rajoni hodhën një hap të përbashkët për tu paraqitur me plane të përbashkëta, në funksion të integrimit të brendshëm të ekonomive të tyre dhe në funksion të integrimit të tyre me rajonin e gjerë europian.
Ky hap i parë është shprehje qoftë e vetëdijes që po formësohet në rajon se kjo është një situatë që nuk mund të përballohet në mënyrë të pjesshme dhe asnjë vend nuk mund ta përballojë i izoluar nga tjetri. Por, edhe e bindjes që po krijohet në Bashkimin Europian, se problematikat e vendeve të rajonit tonë janë domosdoshmërisht të lidhura me fatin e rajonit në tërësi, dhe se në ecurinë e secilit prej vendeve tona ka shumë rëndësi ecuria e të gjitha vendeve sëbashku.

Besoj që në këtë aspekt, qeveria shqiptare ka meritën dhe rolin e saj për të luajtur në vijim, sepse kjo është një qasje e re për të synuar për ta shndërruar këtë rajon në një destinacion shumë më tërheqës investimesh, ku, kur dikush ndërmerr hapin për të investuar, nuk investon thjesht në Shqipëri apo në një vend tjetër të rajonit, por investon në një ekonomi më të gjerë sesa ekonomia e secilit vend.

Jemi të gjithë dëshmitarë të transformimit të jashtëzakonshëm që ka pasur në dy dekadat e fundit për nga të gjitha aspektet rajoni dhe vetë Shqipëria, si dhe për një proces shumë të thellë ristrukturimi të ekonomive të rajonit në kuadrin e një transformimi organik të gjithë kontinentit dhe njëkohësisht nën presionin e pashmangshëm të globalizimit.

Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian ka kontribuar si një tërheqje unikale për të synuar reforma dhe transformime strukturore që pa këtë rrugë do të ishin të pasynueshme dhe madje do të dukeshin si të panevojshme, jo vetëm për të nxitur rritjen ekonomike, duke hapur dhe zgjeruar tregjet, por edhe për të krijuar bazën në kuptimin e legjislacionit dhe të hartimit të politikave të posaçme ekonomike në funksion të një objektivi, që është sa objektiv i vetëdijshëm aq edhe presion i pashmangshëm i procesit të transformimit që imponon globalizimi.  

Investimet e huaja në tremujorin e parë të këtij viti, sikurse i ka certifikuar Banka e Shqipërisë kanë shkuar në 258 milionë euro, duke bërë një kërcim prej 90 milionë eurosh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm kompani të huaja janë 30% më shumë të regjistruara në vitin 2014 sesa një vit më parë. Eksportet në gjysmën e parë të këtij viti kanë shënuar një rritje prej 11.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, të gjitha këto janë shenja inkurajuese që nuk mjaftojnë. Ne jemi të vetëdijshëm se ndonëse Shqipëria e përballoi krizën financiare dhe ashtu sikundër e nënvizoi guvernatori përballoi me sukses të plotë edhe kërcënimin që vinte nga një përshkallëzim i krizës në vendin fqinj, duke siguruar norma rritëse pozitive dhe stabilitet financiar, kriza në tërësi ka vënë në dukje dobësitë fiziologjike të një sistemi që faktikisht e kishte ezauruar hapësirën për rritje të mëtejshme. Norma tërësore e rritjes ekonomike, parë fazat para dhe pas krizës pësoi një përgjysmim duke reflektuar situatën në  eurozonë si dhe vështirësitë në sektorin energjitik. Ajo që ne vëmë re, në mënyrë të vazhdueshme dhe që duhet të na bëjë të gjithëve jo thjesht të reflektojmë, - sepse besoj se faza e reflektimit është e garantuar, por të veprojmë në mënyrë sa më unitare, - është se bizneset e prodhimit vendas, faktikisht kriza i nxori plotësisht në dritë me të gjithë dobësinë e tyre si struktura të paformalizuara që nuk garantonin asnjë siguri për një vazhdim normal dhe ambicioz të akreditimit të sektorit bankar.
Faktikisht, sot ne jemi në kushtet kur me gjithë progresin e ndjeshëm të bërë në raport me kreditë e këqija, të  mos harrojmë se për 7 vite rresht kreditë  e këqija njohën vetëm rritje dhe prekën tavanin e 25 %, që përbënte një kërcënim serioz, ashtu sikundër përbënte dhe një pikë që ishte më e larta në gjithë këtë rajon kaq të sfilitur  nga kriza dhe sot po prekim nivelin e poshtëm të 20 %.

Ajo që vihet re shumë qartë është se për të shkuar më poshtë ka nevojë për një forcim strukturor të vetë bizneseve në Shqipëri, për një transformim të mentalitetit dhe të vetë mënyrës se si bizneset në Shqipëri janë të strukturuara dhe të gatshme për t’ju qasur bankave sepse faktikisht ndodhemi në një udhëkryq në këtë aspekt.
Bankat janë të gatshme me likuiditet, por biznesi vendas nuk është i gatshëm për të qenë në lartësinë e sfidës së të qenit i mirëstrukturuar dhe për ti motivuar me projekte të besueshme kërkesat e veta për kreditim.

Faktikisht besoj që pavarësisht imperfeksionit, ma ha mendja  të natyrshëm të përgjigjeve që ne kemi zgjedhur ti japim pikëpyetjeve me të cilat na ka ballafaquar kriza, Shqipëria ka hyrë në proces rikonceptimi të modelit të vet të zhvillimit ekonomik dhe të transformimit të natyrës së ekonomisë së vet, duke synuar një ekonomi,  që orientohet në mënyrë shumë më të qëndrueshme nga prodhimi vendas dhe nga eksportet.

Sektori i tregtisë, ashtu si dhe sektori i prodhimit e kanë rritur vazhdimisht peshën e tyre ndaj kredisë për bizneset, ndërkohë që është shumë e qartë që dy janë sektorët më të vlerësuar si tërheqës për sektorin financiar; bujqësia dhe energjia elektrike.

Pavarësisht ndryshimeve të mëdha strukturore që kanë ndodhur në gjithë këto vite, mbetet ende sot dhe gjithë ditën e qartë për të gjithë se bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe faktikisht sektori me kontributin më të madh në ekonominë vendase me 22 %. Prandaj dhe duke e parë këtë sektor si një sektor strategjik, si një sektor me potenciale të mëdha transformimi të brendshëm dhe transformuese për ekonominë e vendit, ne jemi fokusuar në mbështetjen sistematike dhe agresive në rritje, të zhvillimit  të prodhimit dhe të formalizmit të bizneseve në sektorin bujqësor, si dhe me shtimin e kapaciteteve prodhuese, nëpërmjet mbështetjes financiare të investimeve, ashtu dhe me trajnime dhe zhvillim të kapitalit njerëzor.

Faktikisht jemi në vigjilje të çeljes  të një programi të ri inovativ për bujqësinë, falë edhe mbështetjes, jo vetëm morale të guvernatorit dhe BSH dhe të mirëkuptimit që kemi gjetur në banka të nivelit të dytë për të krijuar kushtet që duke filluar nga viti i ardhshëm të krijojmë një akses shumë më të gjerë në kreditim për investimet në bujqësi, duke vendosur një fond garancie shtetërorë për to.

Sidoqoftë është e qartë që ekonomitë janë sisteme shumë komplekse dhe shumë dinamike që zhvillohen edhe nga sistemet sociale dhe sjelljet  e personave që i popullojnë këto sisteme dhe këtë nëse duam të sjellim një shembull, mund ta shohim fare qartë në këtë fazë të re transformuese që përcaktohet nga operacioni kundër informalitetit. Shifrat e vetëm 45 ditëve janë mbresëlënëse, jo në kuptimin e suksesit, por në kuptimin e një materiali shumë voluminoz të dhënash për të analizuar në thellësi se në çfarë sistemi social dhe sistemi sjelljesh ne kemi jetuar për vite të tëra, në raport me ekonominë dhe se çfarë transformimi mund të sjellë në ekonomi, transformimi i këtij social dhe i këtij sistemi sjelljesh, në raport me detyrimin e gjithsecilit për të kontribuar sipas asaj që përcakton ligji, në raport me fitimin e tij.

Nga ana tjetër është shumë e qartë që kriza financiare na ka mësuar se sa e rëndësishme është për një vend të fokusohet në politika që kanë si synim një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë të mbështetur në burime të sigurta rritje. Modeli ynë ekonomik i shumë viteve u bazua në dy burime që sidoqoftë ishte e qartë se nuk do të ishin aty për një kohë të gjatë, remitancat dhe bumi në ndërtime. Ndërkohë që burimet e sigurta të rritjes mbeten përgjithësisht të paadresuara dhe të pashfrytëzuara me politika zhvillimi afatgjatë.

Sidoqoftë, sot është e qartë se ngado të rrotullohemi ,konvergjenca drejt BE mbetet kryefjala, e çdo modeli dhe çdo metode për të siguruar rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme ekonomike.

Nga ana tjetër ne besojmë se sot meqë bëhet fjalë për konferencën vjetore të BSH, është dita për të thënë se BSH vazhdon të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm me sukses. Vazhdon të mbetet një garante shumë e fortë e një stabiliteti financiar që pavarësisht kërcënimeve ka rezultuar të jetë i qëndrueshëm dhe nga ana tjetër vazhdon të mbetet një pikë shumë e besueshme referimi, gjë kjo që nuk është fort e zakonshme dhe e shpeshtë në një vend si i yni.

Së fundi dua të nënvizoj se ne si qeveri mbështesim dhe do të mbështesim në vijimësi çdo përpjekje që do të çojë drejt uljes së nivelit të kredive të këqija më tutje, si një nevojë për riparimin e defekteve dhe mangësive në sistemin  e kredidhënies.

Por njëkohësisht siç e thashë duhet të veprohet në mënyrë harmonike, edhe nga faktorë të tjerë dhe në radhë të parë edhe nga ana e biznesit për tu modernizuar dhe për tu ristrukturuar  në funksion të kërkesave shumë më ekzigjente dhe natyrshëm shumë më ekzigjente të bankave kur vjen puna tek kreditimi.

Sidoqoftë reformat duan kohë dhe për të pasur rezultatet të dukshme ka ende mundim, ka ende sakrifica dhe ka ende nevojë për një nivel sfidues durimi në kohë. Kemi hapur një operacion në front të gjerë dhe unë besoj se jemi ende në kushtet kur operacioni vazhdon dhe pacientit nuk mund ti kërkojmë të vrapojë.

Por ajo që është me siguri e vërtetë është se po krijojmë kushtet për të adresuar potencialet e lartë të zhvillimit që ka vendi ynë jo thjeshte në vetvete, por dhe si një pikë kyçe në rajon dhe në funksion të vetëdijes se jo vetëm këtu por dhe në vende të tjera të rajonit për një treg të integruar, në mënyrë që jo vetëm të rrisim nivelin e mirëqenies sonë kombëtare, por edhe të jemi nesër shumë më të mbrojtur nga kërcënimet që sjell hapja dhe globalizimi dhe siç tregoi kriza e fundit financiare që janë shumë më të forta, - edhe pse jo të menjëhershme por të përshkallëzuara në kohë, - për zona më të dobëta nga pikëpamja e strukturës së tyre dhe nga pikëpamja e ekonomisë së tyre siç është zona e Rajonit tonë.

Shumë faleminderit për ftesën!

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Morali fake i gazetarëve inkuizitorë që janë opozitarë në Tiranë dhe qeveritarë në Prishtinë