Fjala e Tahirit në konsultimin publik
me operatorët e shitjes së karburantit

Fjala e Tahirit në konsultimin publik<br />me operatorët e shitjes së karburantit
Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në konsultimin publik me operatorët e shitjes së karburantit me pakicë, mbi marrjen e masave shtesë të sigurisë me temë “Siguria sukses për biznesin”:

Përshëndetje të gjithëve,
siç jeni në dijeni ne kemi miratuar në parlament ligjin “Për masat shtesë të Sigurisë Publike”, i cili parasheh analizën e riskut që bën Policia e Shtetit dhe bashkëpunimin pastaj me të gjithë operatorët privat, në mënyrë që bashkërisht të bëhet e mundur marrja e atyre masave të cilat do të parandalonin ngjarjet kriminale. Kemi vlerësuar që një ndër sektorët më sensitivë ndaj ngjarjeve kriminale gjatë pesë viteve të fundit është sektori i juaj i shitjes me pakicë në pikat e karburanteve.

Së pari, dua t’ju garantoj që për Ministrinë e Punëve të Brendshme ju jeni partner themelor në ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët dhe për sipërmarrjen.

Ne besojmë shumë që mënyra më e mirë për të ndërtuar qytete më të sigurta kalon vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me ju. Kemi një provë definitive që është mjaft elokuente për atë që mund të bëjmë bashkërisht, provën me qytetarët.

Në Tiranë pas ndërtimit të sallës së re të Komandimit dhe numrit 112, për të gjithë emergjencat është gjashtë-fishuar numri i telefonatave nga qytetarët. Në qoftë se ishim në rendin e 10-11 mijë telefonata në muaj, sot jemi në rendin e mbi 60 mijë telefonata nga qytetarët, të cilët lajmërojnë shqetësimet edhe më të vogla me besimin ose me investimin e besimit tek Policia për të zgjidhur çështje të cilat deri dje konsideroheshin të parëndësishme.
Kjo nga njëra anë, është një kontribut jo i vogël i qytetarëve për të ndarë bashkërisht përgjegjësinë e sigurisë. Nga ana tjetër, është një provë ose një test konstant, angazhim për Policinë e Shtetit për të zgjidhur qytetarit, për cilindo shqetësim që ai ‘reklamon’ pranë Policisë së Shtetit.

Jo rrallë është konceptuar siguria si një investim ekskluziv i Policisë. Madje shpesh media, në opinionin publik, në diskutimet e shumta lidhur me sigurinë në vend ‘gishti i përgjegjësisë’ drejtohet gati në mënyrë ekskluzive ndaj Policisë së Shtetit, pavarësisht se kontributi që duhet të japim të gjithë mbetet ende shumë i madh. 
Po pa asnjë dyshim më së pari institucionet publike dhe pastaj domosdoshmëria për t’u bërë bashkë me qytetarët e me sipërmarrjen për ta bërë Shqipërinë edhe më të sigurt.

Premisë e domosdoshme për sukses në biznesin tuaj është pa asnjë dyshim siguria. Ndaj është shumë e rëndësishme, që në mënyrë të përbashkët ne të japim llogari para jush për masat që ka marrë Policia për ta bërë sipërmarrjen tuaj dhe sipërmarrjen në tërësi më të sigurt, por në këmbim të marrim angazhimin tuaj, për të bërë gjithçka është e nevojshme, që në nivelin minimal të masave paraprake ne të bëjmë ç’është e mundur për të parandaluar ngjarjet kriminale.

Dhe në qoftë se ka një rëndësi themelore hetimi dhe zbulimi, vënia para përgjegjësisë e të gjithë atyre që bëjnë ngjarjet kriminale, ka një rëndësi po kaq themelore marrja e masave për të parandaluar këto ngjarje kriminale.

Për ne është e domosdoshme që veçanërisht në sektorin e furnizimit ose shitjes me pakicë të karburantit të zhdukim faktorët nxitës për të gjithë ata që duan të bëjnë një vepër penale duke grabitur apo vjedhur paratë “cash” në duart e operatorëve shitës në çdo pikë karburanti.

Statistikat e Policisë së Shtetit në vitet e fundit falsin qartë për një fenomen jo pak shqetësues lidhur me vjedhjen dhe grabitjen e pikave të karburantit.
Nga viti 2011 deri në 2016 janë mbi 170 vjedhje dhe janë zbuluar jo më shumë sesa 40% e tyre. Kjo sepse jemi përpara një lloj fenomeni kriminal, i cili ka vështirësi në hetim dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. 
Gjeografia e këtyre ngjarjeve është praktikisht gjithë Shqipëria pa kursyer edhe kryeqytetin.

Shpesh ky fenomen përsëritet në të njëjtat pika të shitjes së karburantit. Për këtë arsye lind e domosdoshme një vlerësim paraprak i atyre që konsiderohen faktor rreziku për ne, por që për autorët e mundshëm të këtyre veprave penale janë faktor nxitës ose faktor ftues. Duke parë eksperiencën botërore dhe konsideruar situatën e këtyre viteve, unë iu jam adresuar me një letër, nëpërmjet të cilës kam synuar dhe synoj ndërtimin e një bashkëbisedimi paraprak, mbi të cilin duhet të shohim mënyrën se si të marrim masat që këta faktor nxitës apo ftues t’i bëjmë zero, në mënyrë që të eliminojmë me aq sa është e mundur vjedhjen dhe grabitjen e pikave të karburantit në të gjithë Shqipërinë.

Praktika e do që duhet të keni kujdes maksimal vetë, për të shuar me sa është e mundur, çdo premisë që shërben si masë lehtësuese për ata që duan të kryejnë një vepër penale të tillë në biznesin që ju ushtroni. Ju marr shembull, sot në botë, gjatë orëve të natës nuk gjen operatorë që shet me para në dorë karburant në pikën e karburantit.
Pra këtë “entitetin njerëzor”, këtë të punësuarin i cili shkëmben paratë me klientin gjatë natës për të shitur karburant, sot në botë nuk e gjen.
Dhe ka edhe një arsye përveç eficiencës së biznesit. Arsyeja është eliminimi në maksimum i këtij faktori nxitës. Që është personi që gjatë orëve të natës ka sasi të konsiderueshme “cash” në dorë për shkak të shitjes së karburantit dhe që mund të bëhet pre e atyre që kërkojnë para të shpejtë nëpërmjet këtij akti kriminal. Dhe që si gjahun më të mirë gjejnë operatorin shitës në pikën e karburantit, të pambrojtur, me para në xhep dhe fare të ekspozuar ndaj rrezikut.
Është kjo arsyeja që sot në botë, ka lindur e domosdoshme dhe sot të paktën gjerësisht e aplikuar, pikat e vetëshërbimit gjatë natës, të paktën në shitjen e karburantit.
Operatorë mund të ketë i cili ndihmon dhe asiston konsumatorin, po jo që shkëmben para me konsumatorin. Pra mjafton kjo masë, mjafton kaq për ta bërë me interes zero, për cilindo keqbërës vjedhjen apo grabitjen e një pike karburanti. Kësisoj praktikisht e bën të pamundur. Është njëlloj si sistemi bankar.
Sot ka automate ku mund të tërhiqen para dhe nuk ka operatorë banke që të jep para në dorë gjatë natës. Është njëlloj si shumë sektorë të tjerë  të cilët shërbimin gjatë natës e klasifikojnë të automatizuara apo të elektronizuara. Kjo sepse pa asnjë dyshim ka një interes biznesi nga pas, pra një interes të efektivitetit të sipërmarrjes, por ka dhe një interes për investimin e përbashkët të sigurisë.

Nëqoftëse bëjmë një provë në një qytet, supozoj Tirana, që ka parametra sigurie shumë më të lartë sesa qytetet e tjera; bëjmë një provë që çdo pikë karburanti të mos ketë operatorë që të shesin karburant me lekë në dorë, por që asistojnë qytetarët në vetëshërbim dhe paratë futen në një automat elektronik, siç janë këto të bankave, atëherë është provë e mjaftueshme për të vërtetuar që vjedhjen zbresin në nivelin zero. I kemi hequr shoqërisë një kërcënim jo të vogël kur vjen puna të ngjarje kriminale që kanë të bëjnë me këtë sektor. Dhe mbi të gjitha ju kemi hequr juve një mundësi që të dëmtoheni realisht, jo vetëm nga pikëpamja financiare por dhe nga pikëpamja e investimit në biznesin dhe sipërmarrjen tuaj.

Është kjo arsyeja që ne kemi hapur këtë dritare komunikimi për t’u këshilluar bashkërisht në mënyrë paraprake, në lidhje me masat që Policia mendon duhet të marrim në sektorin tuaj.

E para dhe më e domosdoshmja, është eliminimi i parave “cash” gjatë natës në të gjitha pikat e karburantit në Shqipëri. Dhe kjo bëhet duke përdorur teknologjinë, duke përdorur mundësinë që paratë të mos i mbaj në xhep operatori shitës i karburantit, por të jenë të paktën gjatë natës të jenë pjesë e komunikimit që ka qytetari, konsumatori me një automat elektronik që garanton siguri maksimale.

E dyta masë e domosdoshme është sistemi i kamerave. Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet tuaja personale për të pasur një sistem kamerash në çdo pikë karburanti. Thuajse të gjithë pa përjashtim këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes suaj se duhet ky investim për të qenë më të sigurt. Thuajse të gjithë pa përjashtim e keni bërë këtë mbi bazën e njohurive personale apo profesionale, pa një konsultim paraprak me Policinë, sepse kjo çështje nuk ka qenë as në vëmendjen e Policisë më parë.
Detyrimet ligjore të ligjit për sigurinë publike imponojnë bashkëpunimin dhe në këtë sektor, pra konsultën paraprake me ju, analizën e riskut dhe vendosjen e standardeve minimale edhe për vendosjen e kamerave në pikat e shitjes së karburantit në Shqipëri.
Unë do të doja që ky standard të ishte deri në nivelin e njohjes automatike të targës dhe memorizimin automatik të personit dhe targës në komunikim të vazhdueshëm online non stop me policinë. Në mënyrë që policia të dijë që në atë moment, nëse një targë që paraqitet në atë sekondë në një pikë karburanti është e falsifikuar apo jo dhe kjo sot nga pikëpamja teknologjike është fare e lehtë. Kjo mund të na marrë kohë, kjo pa asnjë dyshim do të na marrë energji dhe jo pak burime financiare, por duhet të hedhim hapin e parë me garantimin e një sistemi që mundëson një nivel minimal të kritereve teknologjike, të sistemit të kamerave.

Sot ndër ju ka praktika shumë të suksesshme lidhur me aplikimin e sistemit të kamerave, shumë prej jush janë avangardë në kriteret teknike të sistemeve që keni përdorur dhe ky është një rast për t’ju falënderuar, por kjo është vetëm shenja më e mirë e potencialit që kemi për të bërë më shumë bashkë dhe e mundësisë që kemi për të garantuar kushte më të mira. Unë kuptoj që shumë prej jush mund të mendojnë që e gjithë kjo ka një kosto financiare, pra ky investim i juaj për automatin elektronik për sistemin e kamerave ka një kosto financiare.

Ne jemi shumë të gatshëm të mos hedhim asnjë hap përpara pa bërë një konsultë  me ju edhe mbi këtë çështje, sepse ne besojmë që kjo duhet të jetë një sipërmarrje e përbashkët e juaja me ne, me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
Por unë jam shumë i bindur që investimi për të blerë në pesë pika shitje sot karburantin në një pikë të caktuar, ku një prej këtyre të jetë elektronike për natën, unë besoj se ky është investim relativisht i vogël krahasuar me rrezikuan apo ekspozimin e rrezikut që kemi përballë ngjarjes kriminale dhe akoma më keq një investim fare i vogël përballë dëmit që mund të shkaktoj një ngjarje kriminale nga pikëpamja financiare, pikëpamja e imazhit dhe nga pikëpamja e biznesit. Ndaj është shumë e nevojshme që në balancën ndërmjet investimit të përbashkët për të garantuar më shumë siguri dhe investimit zero dhe ekspozimin maksimal ndaj rrezikut, unë them që ka ardhur koha  të investojmë pak sot për të bërë të ardhmen më të sigurt.
Cilido investim pavarësisht se unë besoj që nuk bëhet fjalë për fatura të pa përballueshme i shtrirë në kohë mund të ndihmoj që nesër e tutje ju të jeni me rrezikun zero përballë çdo ngjarje kriminale dhe kjo më duket investimi më i mirë që mund të bëjmë për sipërmarrjen dhe qytetarët në çdo qytet që ju ushtroni aktivitetin tuaj.
Ne jemi shumë të hapur për të ndërtuar një bashkëbisedim transparent me ju pasi iu konsiderojmë partnerët tanë kryesor në zhdukjen e kriminalitetit në këtë sektor. Ashtu siç jemi shumë të hapur për të planizuar ose për të përcaktuar ndërmarrjen e disa hapave konkret të cilat do të garantonin më shumë siguri për ju, qytetarët edhe për komunitetin në tërësi. Sot jemi në nivelin e një këshillimi reciprok, lidhur më këtë çështje.

Me hyrjen në fuqi të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike’’ Policia e Shtetit do të ndërmarrë një vlerësim të riskut në çdo sektor dhe pas saj të diktojë me detyrim marrjen e masave shtesë të sigurisë. Sot nuk jemi aty. Sot jemi te bashkëbisedimi paraprak, këshillimi reciprok për t’u bindur bashkërisht mbi domosdoshmërinë që keni për të marrë të tilla masa dhe për ta bërë sipërmarrjen tuaj më të sigurt.
Unë jam shumë i bindur që do keni shumë më shumë për të thënë. Ne do kemi shumë për të mbajtur shënim, por unë besoj që sot do të jetë një hap deçiziv për të garantuar sigurinë nesër.
Nëse automatet elektronike të marrëdhënies financiare ndërmjet konsumatorit dhe shitësit të karburantit do ishin vendosur 5 vite më parë, sot vjedhjet e karburanteve do ishin zero. Vjedhjet me dhunë të karburanteve do të ishin zero. Jeni bërë dëshmitarë të gjithë të ngjarjeve më të fundit në Tiranë, ku vjedhjet e karburanteve nga një person i arrestuar tashmë nga policia ishin seri e zakonshme, thuajse e përnatshme, gjë që tregon riskun që kemi, por tregon edhe domosdoshmërinë që kemi për marrjen e këtyre masave.
Nëse vendosim në zbatim këtë plan minimal të parandalimit të këtyre ngjarjeve, ngjarjet e vjedhjeve dhe grabitjeve në sektorin tuaj do të jenë zero dhe ky është përfitimi më i madh për ju dhe për shoqërinë në tërësi. Unë ju falënderoj dhe jam këtu së bashku me Drejtorin e Policisë së Shtetit, bashkë me zyrtarët më të lartë të policisë për të dëgjuar dhe mbajtur shënim sugjerimet tuaja.
Ju faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin