Fjala në Kuvend e deputetit Fatmir Xhafaj


I nderuar zoti Kryetar!
I nderuar zoti Kryeministër!
Të nderuar kolegë deputetë!

Ky është debati i parë i sesionit të parë të një legjislature të re. Një pjesë e madhe shkelin për herë të parë në këtë sallë dhe uroj që veç emocioneve të kenë edhe përgjegjësinë e madhe të përfaqësimit! Shumë nga ne janë me më shumë përvojë. Kanë pasur mundësinë të mësojnë nga veprime të mençura e nga jo pak gabime të bëra në këto vite demokracie parlamentare. Një pjesë jo e vogël ndër ne kanë provuar dhe pushtetin dhe opozitën e do të duhej që mjaftueshmërisht të kishin kuptuar se si disa gjëra ndër ne dhe kryesorja komunikimi mes nesh, në interes të qytetarit e në sy të qytetarit do duhej të ishte më i emancipuar, më i kulturuar dhe shumë më i përgjegjshëm.

Uroj dhe shpresoj që përvoja e krijuar në shumë ndër ne të shndërrohet në përgjegjësi për të rithemeluar një komunikim e një marrëdhënie të re midis kundërshtarësh, që i bashkon në thelb një interes, një qëllim: se si ta bëjmë jetën e njerëzve, të zgjedhësve tanë shumë më të mirë, më të drejtë dhe europiane! Kjo do të ushqente më shumë reflektim e urtësi nga NE dhe nga JU.

Reflektim nga ne se si të qeverisim më mirë duke përfituar nga gabimet e së shkuarës, por me sy e përgjegjësi nga e ardhmja. Urtësi nga ne për të peshuar me më shumë përgjegjësi votën e 1 milion shqiptarëve, për ta ushtruar me më shumë maturi pushtetin e maxhorancës së krijuar. Reflektim kërkohet edhe nga JU, opozita përballë nesh për gabimet dhe përgjegjësit e qeverisjes suaj, për të mbrojtur fort atë çka është pozitive dhe për tu ndarë qartësisht nga gabimet dhe përgjegjësit e keqqeverisjes suaj 8-vjeçare! Urtësi nga ju për të pranuar qetësisht rolin tuaj tëri si opozitarë duke demonstruar një opozitë të fortë, por konstruktive.

Është në interes të vendit, në interes të qytetarëve që në këtë sallë të ketë më shumë debat të kulturuar për programet, për projektligjet e jo për individët. Me dhimbje më duhet të them që ky fillim debati nuk po demonstron reflektim, përgjegjësi dhe urtësi. Çfarë keni pretenduar ju gjatë gjithë këtyre ditëve dhe sot në këtë sallë?
Pretenduat se programi nuk u dha në kohë për të bërë pyetje e për tu përgatitur për seancën! Ju dhanë programin e kohën e kërkuar në dispozicion. Nëse ju kujtohet në 2005 ne kërkuam kohë dhe nuk na i dhatë kurrsesi duke na futur në një seancë maratonë. E megjithatë ne ju bëmë jo pak, por rreth 185 pyetje!!! Ju sot Asnjë!!! Ky ishte bllofi i parë juaji në këtë betejë të parë politike parlamentare!

Pretenduat se programi nuk ka shifra dhe afate! Por në respekt të opinionit publik, të zgjedhësve tanë dhe në transparencë të së vërtetës le ti referoheni disa të dhënave! Në vitin 2005 ju erdhët në pushtet pas 8 vjet qeverisje të PS ? Më 9 shtator qeveria juaj paraqiti programin.

E kam riparë me kujdes atë seancë dhe më rezulton se në atë fjalim ka vetëm 6 referenca në shifra, 5 afate konkrete për angazhimet e marra dhe asnjë shifër monetare për përmbushjen e angazhimeve!! Ndërkohë që Programi i qeverisë Rama ka jo pak, por rreth 28 referenca shifrash me disa afate konkrete për angazhimet e marra dhe rreth 15 argumente në shifra monetare për përmbushjen e angazhimeve! Janë fakte kokëfortë për ata që duan të lexojnë e të kuptojnë, për cilindo që nuk do të bëj tellallin por deputetin, që do të bëj politikë e jo demagogji! Kjo që bëni ju është politikë me dy standarde! Po gjetkë e keni hallin! Te e vërteta!

Pretenduat, siç bëri parafolësi, se programi ka fjalë fyese e provokuese për opozitën!! Le t’ju referohemi përsëri fakteve. Shihni fjalën e z.Berisha në 2005 dhe do të gjeni një lumë me shprehje fyese e provokuese për qeverinë paraardhëse dhe opozitën me citime të tillë si: Administrata e nepotizmit, fodullëkut, inkompetencës, falsifikimit, korrupsionit dhe shpirtkazmërisë; Qeveria e krimit, trafikut, ryshfetit dhe korrupsionit;  Shqipëria vend i krimit të organizuar e trafiqeve kriminale më të rrezikshme në rajon dhe në  Europë etj., pa kaluar pastaj te kërcënimet, shantazhet e fyerjet emblematike ndaj opozitës socialiste në debatet kuvendore të këtyre viteve!! Shihni fjalën e Kryeministrit Rama dhe për më tepër programin e paraqitur. Asnjë fjalë të vetme fyese apo shprehje denigruese nuk e gjeni dot! Kjo që pretendoni ju është politikë me dy standarde! Po gjetkë e keni hallin! Te e vërteta!

Shihni paraqitjen e dy programeve tuaja qeverisëse 2005 dhe 2009 dhe provoni të gjeni qoftë edhe një vlerësim pozitiv për paraardhësit tuaj, apo qoftë edhe një fjalë të mirë për opozitën përballë jush! Asnjë! Përkundrazi! Veçse etiketime negative. Kurse Kryeministri Rama në disa deklarime publike, në fjalën e tij në seancën e mëparshme dhe vet programi qeverisës njohu disa arritje e punë të dobishme të qeverisjes së mëparshme dhe i shtriu dorën për bashkëpunim opozitës së sotme, duke demonstruar kështu një qasje ndryshe, një qasje të re me qeverisjen paraardhëse dhe me opozitën! Jo një sjellje denigruese e armiqësore si ajo e mëparshmja, por një qasje qytetare, një qasje europianiste!

Të nderuar kolegë opozitarë! Ju jeni kundërshtarët tanë, por kurrsesi jo armiqtë tanë. Armiqtë i kemi dhe duhet ti kemi të përbashkët. Armiqtë tanë të përbashkët janë varfëria, papunësia, korrupsioni e padrejtësia e plotë plagë të tjera që shqetësojnë realisht shqiptarët.

Ju krijuat një pseudolajm, për afatet e shifrat e programit dhe shmangët këto ditë lajmin kryesor, lajmin e vërtetë, lajmin që ju dhemb shqiptarëve. Shqiptarët – sipas vet INSTAT-it tuaj - janë më të varfër se një vit më parë. Sot në këtë vend që quhet Shqipëri e ku ju qeverisnit deri dje dhe ne kemi marrë përsipër të qeverisim nga sot, në këtë vend ku ne quhemi përfaqësues të popullit rreth 400 000 vetë jetojnë me rreth 4800 lekë në muaj ose me rreth 40 euro në muaj. E thënë ndryshe me më pak se 1/40 e pagës sonë mujore!!! Ky është lajmi i keq, ky është lajmi i vërtetë dhimbja që duhet të na bëjë ne të gjithëve të reflektojmë për më shumë përgjegjshmëri e urtësi në sjelljen e veprimin tonë.

Duhet të kuptojmë, se jemi vendi më i varfër i Europës. Shqipëria është si një makine që ka ngecur në baltë. Hajde ta shtyjmë të gjithë bashkë, nëse nuk doni, të paktën rrini, por mos prodhoni më baltë, sepse vendi nuk ka mundësi që të durojë përsëri atë që synojnë e demonstrojnë shumë prej jush në debatet që keni bërë deri tani me fjalime ku dominojnë fjalë të tilla si: vrer, hakmarrje, dhunë, hanxharë etj, shprehje e një gjuhe politike primitive.

Ne jemi këtu për të bërë debat se si duhet ta luftojmë varfërinë se si duhet të rrisim punësimin, se si duhet ta vëmë shtetin në shërbim të qytetarit, se si t’ju japim njerëzve drejtësinë e merituar! Qytetarët na kanë votuar për ti përfaqësuar për hallet e tyre, për ti mbrojtur në interesat e të drejtat e tyre dhe jo për tu kacafytur fjalë shumë përmes procedurash absurde për karriget e privilegjet tona.

Jo vetëm ky Parlament, por edhe vetë qeveria që po votëbesohet, ka nevojë jetike për kontributin e opozitës. Opozita si rregull voton kundër votëbesimit të qeverisë, edhe kur nuk ka motive për ta bërë këtë, por nuk shpjegoj dot mllefin dhe energjinë mohuese, penguese, denigruese, me të cilën shoqërohet ky qëndrim. Ndjehem i dekurajuar kur shikoj sjelljen arrogante të demonstruar nga përfaqësuesit më të lartë të kësaj opozite.

Ju, jo pa qëllim, po doni ta lidhni humbjen tuaj të thellë me premtimet elektorale të Edi Ramës! Disa nga ju shkojnë edhe më tej në marrëzinë e tyre. Shohin si fajtor ambasadorin amerikan e faktorët ndërkombëtar deri edhe disa personalitete të njohura ndërkombëtare në fushën ekonomike vetëm se bën mëkatin e madh i dhanë disa këshilla miqësore qeverisë së ardhshme! Gaboheni. Ka jo pak shembuj që do t’ju provonin lehtësisht të kundërtën! Gjetkë do duhet ti kërkoni përgjegjësitë për këtë ndëshkim spektakolar të sovranit më 23 qershor! Duhet ti kërkoni te modeli i përdorimit të pushtetit për interesa të ngushta personale dhe klanore, mungesa e transparencën në marrjen e vendimeve, babëzia për të shpërdoruar fondet publike, arroganca për t’u sjellë me pronën publike si të ishte pronë private, toleranca ndaj krimit dhe korrupsionit (veçanërisht e atij që kapte sferën e lartë shtetërore), e shumë të tjera që tashmë dihen.

Nuk është faji as i maxhorancës, as i qeverisë së saj pse ju  humbët në zgjedhje. Për verdiktin e popullit nuk mbahet mëri, nuk nxirret inat. Sa më shumë ta kuptojë këtë aq më shpejt opozita ka mundësinë të dalë nga qerthulli i qarjeve dhe sharjeve!! Druaj se qëllimi i vërtetë i kësaj fryme agresive, shqetësimi i vërtetë i disave prej jush nuk është programi dhe premtimet elektorale të Ramës, por nevoja për tu mbrojtur nga transparenca dhe ndëshkimi i nesërm.

Kush ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar duhet të paguaj, duhet të ndëshkohet. Vota e qershorit ishte votë për drejtësi ndaj abuzimit pa dallim, qoftë ky i djeshëm apo i sotëm, blu apo rozë, elitar apo urban. Ka ardhur koha për ti thënë disa gjëra me emrin e tyre. Kjo është në interes të qytetarëve. Është në interes të maxhorancës që e ka këtë sfidën kryesore, por është edhe në interes të vet opozitës pasi katarsisi distancimi nga abuzimi do ti bëjë edhe vet asaj mirë për tu ndarë nga dështimet dhe përgjegjësit e keqqeverisjes 8-vjeçare.

Qeveria ofron goditjen, ndëshkimin, por katarsisin duhet ta bëni vetë kolegë opozitarë. Litari që ju ka lënë qeveria arrogante e klienteliste po ju  pengon këmbët!! Këputeni këtë litar të mallkuar që të shpëtoni opozitën!

Të nderuar kolegë!
Qeveria Rama e në tërësi maxhoranca e sotme, nuk e ka sfidën me qeverinë Berisha. Sfida e saj nuk është të mund të djeshmen, por të fitoj të nesërmen. Qytetarët kanë votuar në mënyrë plebishitare për të pasur para së gjithash drejtësi dhe barazi para ligjit.

Reforma në drejtësi përbën realisht një pikë kyçe në prioritet e theksuara për procesin e integrimit në BE. Mungon besimi i publikut ndaj gjyqësorit, kritika të ashpra adresohen nga shoqëria civile, faktorët politikë e shoqërorë në vend dhe veçanërisht në mënyrë të përsëritur edhe nga partnerët ndërkombëtar përfshi dhe vet Komisionin Europian.

Ju konsideroni arritje disa reforma të pjesshme, numrin e ligjeve të miratuara si sukses ndërkohë që problemi sot nuk është aq mungesa e ligjeve, por zbatimi i keq i tyre, shkelja nga më i forti e më i pushtetshmi, mungesa e ndëshkueshmërisë.

Promovimet e kryera gjatë këtyre 8 vjetëve dhe veçanërisht në këto dy vitet e fundit janë tërësisht në shkëmbim të shërbimeve ndaj pushtetit të korruptuar, kanë zënë për fyti vet sistemin duke ushqyer paaftësinë, korrupsionin e abuzimin në të, duke e bërë gjyqësorin të pabesueshëm e të padrejtë për qytetarin, për biznesmenin, për partnerët, duke e shndërruar drejtësinë në mall që blihet e shihet sipas më të fortit, në mall që shkëmbehet me favoret e nënshtrimin ndaj pushtetit.

Një proces i tërë emërimesh klienteliste ka synuar kapjen e drejtësisë nga politika dhe njerëz të veshur me pushtet politik dhe ekonomik, përmes shkeljeve flagrante të kushtetutës dhe e ligjit që kanë vulën e KLD dhe Presidentit të Republikës.

Është e turpshme edhe ajo çka po ndodh me Shkollën e Magjistraturës, me emërimin abuziv të një drejtori të papërshtatshëm e militant dhe ndryshimin e rregullores për të korruptuar procesin e rekrutimit të kandidatëve duke deformuar kështu edhe të vetmen strukturë të sistemit që i kishte shpëtuar korruptimit dhe influencës politike.
Kërkohen masa radikale, reforma thelbësore për të bërë kthesën në sistemin e drejtësisë. Programi ka bërë përpjekje të mira të adresoj seriozisht një pjesë të tyre, por ende mbeten shumë çështje sensitive për tu adresuar.

Çmoj se Kuvendi duhet të ndërmarrë iniciativën për miratimin e një Strategjie Kombëtare për Reformat në sistemin e drejtësisë, në funksion të vendosjes së një marrëdhënieje të re ndërmjet politikës e drejtësisë, për t’i dhënë fund përpjekjeve për vënien e drejtësisë në shërbim të politikës. Një strategji gjithëpërfshirëse si domosdoshmëri për :

 - Fillimin e një diskutimi të gjerë për një reformë kushtetuese, që do t’i shërbejë rivendosjes së balancave ndërmjet pushteteve, pavarësisë së institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe plotësimit të detyrimeve në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

- Reformimin e procesit të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, duke përcaktuar saktë kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët dhe procedurat që ndiqen nga Presidenti dhe Kuvendi për këto emërime duke sugjeruar krijimin e një Këshilli të pavarur për Emërimet për përzgjedhjen e kandidatëve që emërohen në institucione kushtetuese nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit;
- Fillimin e një debati të gjerë, lidhur me domosdoshmërinë e forcimit të pavarësisë dhe eficiencës së institucionit të prokurorisë që do të fokusohet në : mundësinë e decentralizimit të organit të akuzës; Rikonceptimin e roleve të prokurorit dhe policisë gjyqësore; ridimensionimin e rolit dhe funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm; fuqizimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë;
Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie, të besueshëm, të pavarur, profesional, të shpejtë dhe efiçent. Ata meritojnë një sistem drejtësie ku të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe ku ligji të zbatohet njëlloj për këdo, pavarësisht nga pozita shoqërore apo institucionale.
Të nderuar kolegë!
Shpreh besimin e urimin tim që të gjitha objektivat, që ka përcaktuar në programin e saj Qeveria të arrihen. Të jeni të sigurt që këtë urojnë të gjithë shqiptarët edhe ata që kanë votuar maxhorancën, edhe ata që kanë votuar opozitën e sotme të partisë demokratike, sepse ky është interesi i vendit, interesi i të gjithë shqiptarëve.
Punë të mbarë!
Faleminderit!
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion