Fjala në Kuvend e Kryeministrit Edi Rama

Fjala në Kuvend e Kryeministrit Edi Rama
"Kur ha një milionë shuplaka, mendjet o të vijnë, o të ikin aq larg sa duhen vite për t’i kapur. Jo unë, jo ne, dikush tjetër, fatkeqësisht i njohur si krahu i armatosur me shifra dhe të dhëna të rreme i qeverisë së ikur, INSTAT-i, dora vetë, sapo e ka publikuar një dokument shumë interesant për këtë diskutim, që vazhdon për programin.

Dokumenti thotë, se në 4 vitet e fundit varfëria nuk është tkurrur, por është shtrirë më tutje, duke përfshirë nën hijen e saj më shumë familje të zakonshme shqiptare. Nga 2008-a në 2012, sipas INSTAT-it dora vetë varfëria në qenkej rritur nga 12.4% në 14.3% çka do të thotë se edhe vetë INSTAT-i juaj pranon se 30 mijë shqiptarë më shumë kanë rënë në humnerën e varfërisë. E vërteta është ende më e hidhur, shumë më e hidhur, por për sot le të mbetemi këtu.
 
I nderuari zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuara deputete dhe deputetë të nderuar,

Në paraqitjen time të programit të qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, i thashë Kuvendit se ka perënduar një kohë e vjetër dhe ka filluar një kohë e re, në radhë të parë në këtë Kuvend. Sot po e marr këtë fjalë me një provë të ndryshimit që ka ndodhur. Nuk dyshoj, se të gjithëve ju kujtohej koha, jo shumë e largët, kur ky Kuvend bëhej skena e ndërhyrjeve pa vend, pa orar, pa kriter dhe as karar antiopozitar e kryeministrit, që kapte mikrofonin pasi fliste një deputet i opozitës.

E pra, pas këtij diskutimi, gjysmë maratonë për programin e qeverisë sonë, që ndoqa fund e krye pa lëvizur që këtej, asnjë minutë s’ia mora këtij Kuvendi për t’u marrë kohë diskutantëve, jo e jo, po për të sharë sipas traditës, një deputet të opozitës edhe pse dëgjova jo pak  fjalë të pagdhendura në adresën time apo jo pak fjalime të pakalueshme në sitën etike në adresën e qeverisë. Përkundrazi kam shënuar me dhjetëra fletë me çka kam arritur të dëgjoj dhe aq sa kam arritur të kuptoj, ashtu si gjithë ministrat, nga gjithçka u mundua të thoshte deri tani opozita mbi programin e qeverisë. Ky nuk quhet kodi i heshtjes, po Kodi i Mirëqeverisjes, që duam t’i japim shqiptarëve, duke filluar që nga vendosja e premtuar e standardeve europiane të dëgjimi të opozitës dhe të komunikimit me publikun dhe me opozitën, pa asnjë dyshim.

Çdo ditë të re, Shqipëria do të hyjë në këtë botë të re, sepse shumica e re do ta respektojë përditë këtë kod.

Ju ikët nga salla pa e dëgjuar paraqitjen time të programit të qeverisë, fatmirësisht jo të gjithë dhe gjej këtu rastin t’i falënderoj ata që nuk e ndoqën atë vijë të kërrusur sjelljeje. Ikët duke sharë e dhe bërtitur. Dhe, vijuat jashtë duke u ankuar para popullit për gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës së opozitës, por përmbajtja e fjalëve që dëgjuat sot e mot nga unë në këtë sallë nuk ka të bëjë as me urrejtjen ndaj jush e as me dhunën mbi ju. Përmbajtja e fjalëve të mia është e vërteta ime, mbi të shkuarën, të sotmen e të ardhmen. Unë nuk jam zgjedhur që t’u pëlqej juve kur flas, largqoftë.

As idetë apo mendimet e mia të gëzojnë medoemos pëlqimin tuaj dhe as që qeveria që unë drejtoj t’i ngjajë qeverisë suaj, mos o Zot, që e çoi Shqipërinë në drejtim të gabuar dhe pikërisht për këtë mori ndëshkimin shembullor jo nga ne, por nga ata që u bënë 1 milionë. E, që njësoj si në atë marsin e lavdishëm, patjetër, të historisë sonë të 92-shit vendosën pikërisht, sepse siç e provuat deri tani meritoni të rrini aty dhe jo të qëndroni këtu.

Kam 15 vjet që ju ndjek pa mundësi prezence dhe as të drejtë replike në këtë sallë, ku besoj se emrin tim gjithë këto mure do ta mbajnë mend përjetësisht për aq shumë sa e keni përgojuar, cenuar, përbaltur. Personalisht, me fis e me farë. Por dëgjojeni dhe mbajeni mend mirë se çfarë do t’ju them sot.

Jo vetëm kur mora fjalën për herë të parë në këtë Kuvend, seancën e shkuar, por për aq vite sa detyra do ma kërkojë të marr fjalën në këtë sallë, personalja, fisi dhe fara e kundërshtarit s’kanë qenë dhe s’do të jenë ndonjëherë pjesë e përmbajtjes së fjalës sime. Por ama, nga ana tjetër, sa më parë ta fshini nga mendja iluzionin se unë do t’ju kursej në këtë foltore për të pabërat e lebetitshme që ka bërë keqqeverisja juaj, aq më të lehtë do ta keni të ngjiteni në nivelin e minimumit jetik të mirësjelljes mes njerëzve, këtu, në mes të Europës, dhe padyshim do t’u afroheni më shumë interesave të vendit dhe të zgjedhësve tuaj me të cilat jeni shumë larg në këtë zanafillë të jetës suaj opozitare. Sidoqoftë në të gjitha rastet sjellja juaj është zgjedhja juaj.

Opozita e sotme është e lirë të mos nxjerrë mësime nga obobobo ç’i panë sytë në kutitë e votimit. Ne kemi detyrën që çdo hap ta hedhim duke mësuar nga libri i trashë i arsyeve që e çuan në opozitë qeverinë e vjetër. Në kujën që vutë pasi dolët nga salla iu ankuat publikut se nuk e kishit marrë programin. E gënjyet. Se nuk ishte e vërtetë. Pastaj ju betuat se qeverisë së 1 prillit do t’ia vinit shpatullat në mur me pyetjet tuaja. E gënjyet për të dytën herë. Megjithëse nuk ishte 1 prill, pardje. Sepse nuk bëtë asnjë pyetje. Dhe pastaj për orë e orë, të tëra, deri tani i thatë çnuk i thatë qeverisë, por programit të qeverisë dhe për programin e qeverisë asgjë nuk thatë. E gënjyet për të tretën herë.

Por këtë radhë sepse nuk keni faj. Nuk keni faj sepse nuk e dini, ose të paktën e keni harruar, ka kohë, se ç’është një program qeverie që i paraqitet Kuvendit për votëbesim. A e gënjyet tre herë se tjetër ju thotë koka që keni këtu, tjetër ju thotë koka që keni te SHQUP-i, tjetër koka që keni rrotull dhe që e sjell rrotull opozitën si trup pa kokë, kjo është një pyetje të cilës mund t’i përgjigjeni vetë, kur ta gjeni kokën.

Siç ju thashë herën e shkuar ne jemi këtu për t’i ngritur kokën Shqipërisë jo për të gjetur kokën tuaj. Dhe do t’ia ngremë kokën Shqipërisë me këtë program.

Sa për shqiponjën që mori të sharat e një zonje në sallë unë e mirëkuptoj zonjën. Të gjithë e dinë që shqiponjat arrijnë ta njohin njëra tjetrën, pikërisht, se jo të gjitha janë njëlloj. Por, ajo që zonja nuk di, dhe nuk ka faj, është se me rregullat e heraldikës dhe të shteteve serioze s’duhet të jenë identike me njëra tjetrën të tëra shqiponjat që përdorim.

Po që të mos i marrim kohë publikut dhe Kuvendit duke hyrë në të thella në punë shqiponjash besoj se mjafton për t’i qetësuar fakti se shqiponja që ka mbajtur në sup gjatë qëndrimit në kryeministri paraardhësi im, ajo e verdha e hallakatur, ishte e ndryshme nga ajo e flamurit, por nuk ishte gabim nga pikëpamja e rregullave të heraldikës. Paçka se estetikisht ishte po aq e bukur sa qeveria juaj. Ndërkohë që, siç e tha më të drejtë zonja opozitare shqiponja jonë estetikisht s’ka të sharë. Edhe qeveria jonë, po ashtu, të jeni të sigurt se nuk do ketë të sharë.

Për dijeni kur programi dhe qeveria të miratohet, atëherë, as programi dhe as një dokument zyrtar i qeverisë s’mundet dhe s’do të mbajë tjetër stemë përveçse atë të Republikës. Ndërsa në logot e konferencat, website-ve dhe letrave jo zyrtare kryeministri e ministrat mund dhe do të mbajnë këtë shqiponjë. Kaq për, sot, lidhur me këtë fushë, ku mësimet e tjera do t’ju japim kur të vijmë këtu për projektligjin e ri të kësaj fushe.

Tani gjithë sa thatë sot gjithë ditën për programin gjithë përgjigjet e pyetjeve që ja premtuat popullit se do të na i bëni, që nuk i bëtë, dhe për gjithçka pastaj u detyruat të përgjigjeni vetë ju vunë në pozitën që të flisni pa kuptuar asgjë, sepse asgjë nuk keni kuptuar. Megjithatë, unë do vazhdoj t’ju dëgjoj deri në fund, nesër dhe do mbaj shënim për çdo gjë, që mund të kuptoj nga shprehjet e moskuptimit tuaj në këtë foltore. Vetëm një gjë dua t’ju them atyre që do ta marrin fjalën më tutje se këta që e morën shkuan e vanë. Mos u ngutni të thoni si paraardhësit tuaj dhe si parafolësit tuaj se s’ka në botë program si ky, se ky është hartim, se programi qeverisë janë male shifrash dhe me radhë. Mos u ngutni! Se këta që folën tani në fund kanë bredhur shumë nëpër botë, po botë demokratike në mendje nuk kanë futur. Dhe prandaj Shqipërinë nga shinat e rrugës dhe e botës demokratike e kanë nxjerrë.

Jo unë, jo ne, dikush tjetër botërisht i njohur si krahu racional i mendimit ekonomik të qeverisë, këshilltar ekonomik i paraardhësit tim shkruante sot: “Programi i qeverisë Rama ka ide racionale dhe të dobishme”. Ka shpëtuar Selamiu i shkretë, deputet nuk u bë, por gjeti kokën e vet.
Uroj që ta gjeni kokën, më herët se vonë, se përndryshe asgjë nuk do të vazhdoni të kuptoni ndërkohë që, fatmirësisht, Shqipëria e ka kuptuar që në 23 qershor se ku e keni vendin, atë vend plotësisht e meritoni.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ndeshja delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa

Ndeshja delikate në Ballsh, Thomas Brdaric: Na duhet disiplinë, Vllaznia luan për tri pikë! Kemi mungesa