BERLIN- Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama me Kancelaren Angela Merkel, pas takimit mes tyre, të martën, në Berlin.

FJALA E KANCELARES GJERMANE MERKEL
Gëzohem që Kryeministri Rama ka ardhur tek ne për vizitë, për vizitën e tij të parë. Marrëdhëniet bilaterale, vitet e fundit janë zhvilluar shumë mirë. Edhe marrëdhëniet ekonomike janë zhvilluar shumë mirë. Gjermania është prej vitesh partnere e Shqipërisë. Ne duam që Shqipëria të marrë një zhvillim të mbarë.

Ne kemi folur në mënyrë shumë të hapur dhe në mënyrë intensive për zhvillimet që kemi para vetes. Ne jemi të mendimit se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektiva europiane është  e nevojshme për një zhvillim të mbarë të të gjithë rajonit, edhe për Shqipërinë. Për këtë është i nevojshëm një proces i thellë edhe në Shqipëri.

Kryeministri na informoi se cilat projekte të mëdha janë përpara vendit, por edhe për angazhimin dhe entuziazmin me të cilat ndiqen këto procese dhe këtu bën pjesë, natyrisht, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndërtimi i një sistemi juridik dhe pavarësia e drejtësisë. Ne e dimë gjithashtu se përmes perspektivës europiane, Komisioni Europian i ndjek me shumë vëmendje këto procese dhe në qershor do të paraqesë një raport për këtë çështje. Këto janë zhvillime që ne i ndjekim me shumë intensitet, me vëmendje të madhe, në Gjermani. I  uroj Kryeministrit gjithë të mirat në këtë punë kaq të vështirë, sepse nuk është shumë e thjeshtë të ndjekësh një rrugë të tillë.

Ne kemi folur për gjendjen në të gjithë rajonit. Kryeministri Rama bëri edhe një herë të qartë që vitet e fundit, në Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar disa gjëra, në drejtim pozitiv. Prandaj ne duhet të përpiqemi që, pikërisht në këtë vit, 2014-a, që është një vit përkujtimor, në 100 vjetorin e fillimit të Luftës së Parë Botërore, që 100 vjet më vonë, ne kemi mësuar nga historia. Kjo do të thotë që ne duhet të flasim me njëri-tjetrin, duhet bashkëpunojmë më ngushtë me njëri-tjetrin. Prandaj, unë e konsideroj perspektivën europiane jo si një perspektivë të çfarëdoshme, por për një vrull të nevojshëm.

Unë besoj se folëm në mënyrë intensive me njëri-tjetrin dhe patëm një kontakt të parë. Unë gëzohem për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe ju uroj mbarësi me qeverinë tuaj, një qeveri e re, një qeveri që ka edhe shumë gra dhe kjo na gëzon gjithashtu.

FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA
Mirëdita të gjithëve. Padyshim ishte një kënaqësi shumë e veçantë, kjo vizitë dhe ky takim, për të cilin dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Kancelares Merkel, duke përfituar kështu nga rasti, për t’ju thënë të gjithë atyre që na ndjekin drejtpërdrejtë në Shqipëri, se patëm një bashkëbisedim shumë miqësor, shumë të hapur dhe shumë intensiv, siç e tha edhe Kancelaria, lidhur me ecurinë e punëve në Shqipëri, lidhur me ecurinë e punëve në rajon, lidhur me rolin e Shqipërisë dhe me rolin e rajonit, për të çuar më tutje projektin e madh të integrimit europian.

Nga ana tjetër ishte një rast optimal, për t’i shprehur Kancelares mirënjohjen tonë për gjithçka që Gjermania ka bërë për Shqipërinë, në gjithë këto vite. Njëkohësisht, për të vënë theksin tek domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, për shkak se konsiderojmë se roli transformues i Gjermanisë, roli transformues në kulturën e sipërmarrjes i sektorit privat në Gjermani janë një mundësi dhe janë po ashtu, edhe një kërkesë legjitime, për të qenë shumë më prezent në rajon dhe sigurisht, edhe në Shqipëri. 
 
Nga ana tjetër e sigurova Kancelaren se qeveria jonë është plotësisht e vendosur për të ecur në rrugën e modernizimit, të reformave që do të garantojnë shumë më tepër cilësi jete dhe cilësi shërbimesh për njerëzit, të reformave që do të garantojnë luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe ky fillim i mbarë, i njohur prej të gjithëve është vetëm fillimi i një procesi ku Shqipëria kërkon të ecë më shpejt drejt Europës, por duke  e konsideruar gjithnjë, Europën, destinacionin brenda nesh dhe integrimin europian, një proces të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit tonë.

Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë gjithçka, ditë pas dite, që të meritojmë atë respekt dhe të meritojmë atë vend që shqiptarët aspirojnë, që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e Kancelares, me ndihmën e gjithë partnerëve tanë europianë, ne do të mund t’jua japim duke bërë si duhet gjithë detyrat tonë, në një proces që nuk është i shkurtër, por, nga ana tjetër, duke shprehur gjithmonë qartë, vetëdijen se për ne procesi i integrimit është një instrument i jashtëzakonshëm për modernizimin dhe europianizimin e Shqipërisë.

E së fundi, 2014-a është një vit i jashtëzakonshëm për Ballkanin. Është i pari vit në historinë e Ballkanit që ka ardhur pa konflikt, është i pari vit në historinë e Ballkanit ku s’ka një fqinj me pushkë drejtuar drejt fqinjit tjetër. Simbolikisht, ky është 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore dhe është viti i parë i një kapitulli të ri për gjithë rajonin tonë. Ne jemi të bindur se me mbështetjen dhe lidershipin e Gjermanisë dhe me mbështetjen e gjithë partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara dhe Europës së Bashkuar, ne do të mund ta transformojmë këtë moment të madh paqeje, në një hapësirë mundësish të reja për zhvillim ekonomik, social dhe padyshim, për integrimin rajonal dhe europian.
Faleminderit!

Zonja Merkel, cila është qasja e Gjermanisë ndaj statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në qershor, kujtojmë se Gjermania ishte një nga 5 vendet që kërkuan shtyrjen e statusit në muajin dhjetor dhe a ka një trajtim të diferencuar mes vendeve të Ballkanit perëndimor, kur Serbia, një nga vendet që edhe në krizën më të fundit, asaj ukrainase, nuk ka pasur një qëndrim të qartë ndaj Krimesë, por është një vend që është në proces negociatash me Bashkimin Europian. Pra, a ka një trajtim të diferencuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe kur do të jeni ju, për një vizitë në Shqipëri? 
 
Kancelaria Merkel: Në fillim, sa për sqarim, Ukraina nuk zhvillon negociata për një Marrëveshje Asociimi. Një pjesë është nënshkruar. Ky është një dallim. Kurse Shqipëria bën negociata për statusin e kandidatit. Kjo ka të bëjë me faktin që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor iu kemi dhënë perspektivën europiane dhe në fund të një rruge të gjatë do të kenë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ne i trajtojmë vendet në bazë të raporteve të Komisionit Europian. Komisioni Europian paraqet raporte për statusin, për gjendjen e punëve. Hapi tjetër që vjen tani për Shqipërinë është statusi i kandidatit. Ne në qershor do të marrim një raport të ri dhe me atë që dëgjova unë, do të ketë sigurisht edhe përparime. Komisioni do t’i ketë regjistruar këto përparime dhe ne do t’i shikojmë me një vështrim pozitiv dhe do të vendosim me një vështrim pozitiv për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Është gjithmonë një çështje se kur, nuk është një çështje nëse do ta marrë. Nuk duhet të keni frikë, se nuk do të jepet statusi i kandidatit, por vetëm raportet duhet ta bëjnë të mundur që t’ua japim. Ne folëm për këtë punë shumë hapur. 

Së dyti, Kryeministri, mua më ftoi për vizitë dhe unë i thashë se do ta respektoj këtë ftesë. Po të më pyesni pas një viti, unë do të kem qenë në Shqipëri.    

Zonja Merkel, Shqipëria prej vitesh bashkëpunon me FMN, por gjatë këtyre viteve, prania e investitorëve gjermanë nuk është aq shumë e ndjeshme. A biseduat ju me Kryeministrin Rama në lidhje me këtë çështje dhe si e shikoni ndryshimin?

Kancelarja Merkel: Po, unë fola me të për këtë. Ne folëm për faktin që projekte të caktuara të Organizatës Kreditore për Rindërtimin të regjistrohen shumë pozitivisht për Shqipëri, për sa i përket konfigurimit të infrastrukturës në Shqipëri.

Së dyti, Kryeministri do të ketë bisedime edhe me investitorët gjermanë. Ne do t’i inkurajojmë ata të vijnë në Shqipëri. Për investitorët gjermanë, për investitorët privatë ka shumë rëndësi siguria juridike. Ata duhet të kenë besim tek sistemi juridik dhe prandaj ne këmbëngulim shumë te reforma në drejtësi. Jo sepse e konsiderojmë të bukur që të funksionojë si duhet sistemi juridik, por ne kemi shumë sipërmarrje të mesme në gjermani, të cilat varen shumë nga fakti që ta investojnë kapitalin e tyre atje ku gjejnë dhe kushte të mira. Sa më shpejtë të reformohet sistemi juridik, aq më i madh dhe aq më i shpejtë do të jetë edhe interesi i investitorëve gjermanë për Shqipërinë. Domethënë, merren më shumë produkte nga Shqipëria, importohen në Gjermani. Unë jam e sigurt që edhe bilanci i importit dhe eksportit do të balancohet.

Kryeministri Rama: Unë do të shtoja edhe një herë tjetër që patëm një dakordësi të plotë me Kancelaren lidhur me domosdoshmërinë që rajoni si i tërë të zhvillohet në mënyrë më të integruar dhe bashkëpunimi rajonal, në aspektin ekonomik, të shkojë duke u forcuar. 

Sikundër, e përsëris, ne jemi shumë të dëshiruar dhe do të bëjmë gjithçka për të krijuar kushtet, për të tërhequr sa më shumë investime gjermane në Shqipëri. Investimet gjermane në Shqipëri, ne i shohim jo vetëm si burim të ardhurash, por edhe si një instrument të transformimit të kulturës së sipërmarrjes dhe të kulturës së punës. E për këto arsye, i konsiderojmë me një vlerë të dyfishtë. Prandaj do të vazhdojmë kontaktet edhe me sipërmarrjen këtu dhe kemi planifikuar për të çuar më tutje këto kontakte, në disa takime të mëtejshme me disa nga grupet e mëdha gjermane, në Gjermani.