Fjalori Enciklopedik, datat e
gabuara dhe mangësitë

Fjalori Enciklopedik, datat e<br />gabuara dhe mangësitë
Shqiptarja.com (print) publikon analizën e Kolec Çefës për Fjalorin Encikopedik.


 
DISA DATA TË GABUEME NË FESH, BOTIMI I RI
Vlerësimi i Zef Jubanit si mendimtar patriot e si kontribues aktiv në lëvizjen mendore e kulturore shqiptare ka tërheqë artikuj e studime të herëpashershme, që i kanë dhanë plotësisht të drejtën të ketë zanin e vet në Enciklopedinë e re, aq ma lehtë, kur për këte përsonalitet janë zhvillue sesione përkujtimore e shkencore, madje, Prof. Jup Kastrati ka shkrue një monografi. Në monografinë e Prof. Kastratit (vëllimin e përmirësuem) faqe 9, 14 lexojmë se Jubani ka lindë me 1818-1860. Në epitafin që Zef Jubani la amanet ta vendosin në varrin e tij (megjithëse Prof. Jupi e ka rishkrue në mografinë e vet të përmirësueme), Zefi shkruen për vete: “Vdiq në moshën 60 vjeç”. Ndersa Prof. Jupi, disa rreshta ma tej shkruen: “Zef Jubani vdiq, më 30 janar 1880 në Shkoder”. Këto data përsërisin të gjitha studimet e derisotme që merren me këte problem. Këto data jepen edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i ri.
Tue ba një llogari fare të vogël, me këto të dhana, 1818 e vdiq 1860, Zefi nuk del të ketë jetue 60 vjeç, si përsëritet në të gjitha rasat e përkujtimore e studimore.
Atëherë kontrolluem regjistrat kishtarë që përmbajnë pagzimet e paraqesin datat e sigurta. Në fondin e Arqipeshkvisë Shkoder, F.132-A, D.1, data 15 fruer 1820 jepet fedja kishtare për Zef Jubanin:
“Unë i nenshkruemi kam pagzue fëmijën  për me i vu emnin Zef, i biri i Anton Jubanit e i Përina  Berti katolikë bashkëshortë të ligjshem. Dëshmitarë qenë Z. Dattormedio Paulo Romeri e Roza Guçia”.
 
Bio-bibliografë, studiues, kritikë  e artikujshkrues për Prof. Ernest Koliqin, mbrenda dhe jashtë  vendit, shqiptarë e të huej, madje edhe shokë, miq e bashkëpuntorë të ngushtë, pa u kundershtue edhe nga shkrimtari vetë, pohojnë  se Ernest Koliqi ka lindë  me 1903. Këte datë jep edhe FESH-i botimi i ri.
Por tue u mbështetë  nder të  dhana gojore e burime dokumentuese pohojmë  se ky vit asht dhanë  gabim. Në  bisedat e paharrueshme me Kardinal Koliqin, vëllanë  e prof. Ernestit, mbaj mend se më  ka thanë  ad litteram: “Ernesti ka kenë pak ma i madh se unë. Pak muej ma shumë  se koha e domosdoshme”. Po e përforcojmë  këte pohim me një  pasazh tjeter nga artikuli i vetë  E. Koliqit “Apa”: “Em at, biri ma i madh i tij (i Apës, shen.im) vetëm kur linda unë, i pari djalë  i djalit të  parë, pati lejen me ndezë  cingaren në  prani të  Apës”. Pra, shkrimtari pohon, se asht djali i parë, pra kuptohet ma i madh se Kardinali, i cili dihet me siguri se asht i datëlindjes 1902.
Le t’u drejtohemi burimeve të  shkrueme:
Në Regjistrin e amëzes së jezuitëve, në numrin 1113 lexojmë: “Ernest Koliqi, i biri i Shanit, lindun në Shkoder, me 20 maj 1901…”. Pa kurrëfarë dyshimi, vjetin e saktë të lindjes na e jep “Anuari i pagzimeve 1900-1965, ku asht regjistrue për Ernestin e Shanit të Pjeter Koliqit, viti i pagzimit 1901. Dhe për ta mbyllë çashtjen e datëlindjes së poetit, po japim feden e pagabueshme të pagzimit: “Shkoder, 21 maj 1901. Ernesto: “Unë Dom Zef Puka kam pagzue Ernestin, lindun dje prej Shanit të Pjeter Koliqit e Ages së Lacës së Zef Simonit, bashkëshortë të ligjshem. Nuni dhe nuna qenë Gjoni i Ndocit të Kolë Voglit e Drandja e Pjeter Bushatit”.
Edhe vjeti i vdekjes së Mons. Luigj Bumçit jepet gabim, 1944, në vend të vjetit 1945!
 
NJE SHEMBULL I MIRE
Një mendje e rysun dijetari e një dorë mjeshtrore na e ka paraqitë figurën e Bogdanit në FESH me të gjitha dimensionet e veta: fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, përmbledhtas, por qartë e me shije. Figura imponuese për shekullin XVII në penden sintetike të Prof. Mahir Domit ka dalë si shembull si mund të punohet një za enciklopedik, në mënyrë shkencore e me dinjitetin përkatës. Lexuesi merr një ide të qartë, por jo të plotë. Shtojmë:
Bogdani dhe shkolla shqipe
Bogdani asht një nga njerëzit ma të dijshem, ma të përkushtuem e ma vullnetmirë të shekullit XVII në vendin tonë. Si përvetësoi arsim e kulturë në Prendim, ktheu në atdhe me dëshirën e paster e me vullnetin e fortë, për t’i përhapë në popullsinë shqiptare, Por gjeti padrejtsi e pa civilizim, shfrytzim e mjerim, vorfni e padije, zvetnim e flligështi vesesh jo shqiptare. Edhe në atë klimë të egër anmiqsore plot furi fanatike, nisi veprimtarinë e tij me energji, me vullnet, me vetmohim për edukimin fetar e patriotik, për formimin intelektual e volitiv, tue ndergjegjësue masat në veprimtari fetare e shoqnore.
Imzot Pjeter Bogdani xuni vend nder malet e Rrollit, 1671 dhe themeloi shtëpinë ipeshkvore, një kishë dhe një shkollë për të rij. Propozoi për mësues D. Pjeter Valmin, (Vladanjin) nxanës i kolegjit ilirik.  
Që me 1665 shkruente se në dioqezin e tij e në Tivar nuk kishte asnjë mësues. Misionarët françeskanë mbajshin të rij, u mësojshin shkrim e lexim edhe dijet themelore teologjike. E Bogdani mbante marrëdhanie të mira me to, thonte fjalë të mira për to, do t’u falë atyne pasuninë e tij në Rrjoll. Herë pas here paraqet subjekte për mësues: Paraqet Fra Bernardo da Verona për mësues shkolle, i cili njef mirë gjuhën shqipe, ka përkthye Doktrinen e vogel, ka edhe cilësi të mira.
Mësues përpiqeshin të gjejshin nder ish nxanësit në Kolegjet, në Itali a Dalmaci. Me1671 P.Bogdani “I lutet Propagandës të emërojë në Rrjoll D. Pjeter Dajçin dhe D. Mark Xhustrin si mësues shkolle dhe të sherbejnë si misionarë me provizione të zakonshme prej 10 skudash në vit për mbajtjen e tyne dhe arsimimin e rinisë”. (Odette Marquet 259).
Ma vonë, propozon Dom Marin Gjinin që ka studiue në kolegjin e Fermos dhe “asht një përson shumë i mirë për këte punë”.         
Don Marinit i jepet detyra të mësojë të rijtë që do të shkojnë në kolegjin e Shkodres ose në Pult. Me 1677 D. Marin Gjini ishte mësues në Rrjoll ku sherbeu një vjet e gysmë e niset për Shkup.
Me shumë randësi, për të dhanat e ndryshme që paraqesin, janë letrat dergue eprorëve në Vatikan. Na po ndalemi te ineteresimi i Bogdanit për arsimimin e popullit tonë. Pjeter Bogdani i vullnohet me përkushtim, veç sherbesave fetare, edhe arsimimit të popullit. Ai tregon dëshirë të madhe e interesim të panderpremë për hapjen e shkollave. Kerkon hapjen e kolegjit në Raguzë (projekti i Eminencës). Pjeter Bogdani  mbante tre nxanës që i mësojshin françeskanët dhe kishin mësue me lexue e shkrue. Ai vetë, ditë diellesh e festash, u mëson doktrinën “me vazhdimsi e me fryt të patregueshem”, (si shprehet ai). I lutet Kongregacionit të Propagandës Fide t’i dergojë një mësues shkolle, veç Rrjollit, edhe një për fshatin Barbullush e propozon Pjeter Grubesën. Bogdani kerkon me kambëngulje t’u krijohen kushte të mira mësuesve të shkollave, t’u jepen rregullisht provizionet. Gjithashtu përpiqet vetë të zgjedhë elementin ma të vlefshem, për me vjelë frytin ma të dobishem. Ndër letrat e tij të shumta i lutet Propagandes Fide të dergojë në vendin tonë libra të vlefshem, si: Doktrina e krishtenë, fjalorë shqip, gramatika ilirike…“se asht gati krejt pa libra në gjuhë të vet”, sepse ndihet shumë nevoja e tyne në vendin tonë ku, në fakt, mungon çdo mundsi për të mësue. Bogdani, besojmë, ka njoftë autorët shqiptarë paraardhës, si: Budin, Bardhin… A thue këto libra i kerkon Propagandes? Ai vetë u kujdes për ribotimin  e Doktrinës së krishtenë të autorit Françesko Bernardo prej Verone, përkthye në gjuhën shqipe, madje e pagoi vetë dhe e shpërndau vetë. Nuk lente rasë pa lavdue klerikët që punojshin mirë, çmonte Fra Domenico dalla Grotte (në Grudë) “Zotnonte mjaft mirë gjuhën shqipe e ushtrohej tue mësue atë popullsi. Ishte në të vertetë me jetë parimore e zakone të mira”.
Një shqetsim tjeter i vazhdueshem për Bogdanin ishte frika, se nga mungesa e librave, na po humbin gjuhën tonë. Ai vetë dha shembullin e mirë, tue mbledhë fjalë plaka e të harrueme ose tue krijue fjalë të reja e të dobishme. Mblidhte, gjithashtu, shkrime nder muret e kishave.
Pjeter Bogdani ka pase edhe një meritë tjeter: Ka krijue biblioteken ( e parë), mbasi të përparmet i dogjën turqit, si, p.sh. bibliotekën e Krujës etj.
Me 8 nandor 1677 emnohet kryeipeshkëv i Shkupit. Si i tillë interesohet edhe për shkollen e Janjevës, por ngjarjet politike e pastaj smundja e tij nuk e lane me vazhdue punen përkushtuese shkollore.
Shkolla e Rrjollit dhe e Janjevës nuk paraqiten në FESH, 2009, botim i ri.
 
 
MBI ZANIN ARKIPESHKVIA E SHKODRËS
Disa vërejtje të mijat për zanin Arkipeshkvia e Shkodrës, si edhe si duhet me e paraqitë këtë në enciklopedi:
Jo Arkipeshkvia e Shkodres (me k-në arkaike), as Arqipeshkvia (fjalë e huej) por Kryeipeshkvia e Shkodres, fjalë shqipe. Jo qëndra… e krishtërimit katolik shqiptar ( pse katolicizmi nuk asht autoqefal, por botëror), pra e krishtërimit nder shqiptarë a e krishtërimit në Shqipni). Jo e Kryeipeshkvisë Durrës-Tiranë, por e Kryeip. Tiranë-Durrës. Nuk asht shprehë mirë: “ … ku futen rregulltarë…”.  Urdhërat e ndryshem që janë në Shqipëri varen vetem për cashtje fetare prej Kryeipeshkvit, si normë, ai lajmohet për veprimtaritë e ndryshme. Urdhërat kanë organizimin e vet të mbrendshem. Fretent kanë të parë provincialin në Shkoder dhe gjeneralin e urdhërit në Romë. Kështu jezuitët etj. etj.
 
Zani Kryeipeshkvia e Shkodrës
Është qendra drejtuese e veprimtarisë fetare në rajonet: Shkoder, Pult, Sapë (Zadrimë) e Lezhë, si edhe rezidenca e Kryeipeshkvit të Shkodrës. Ka edhe organet e veta me të cilat drejton këtë veprimtari. Katoliçizmi në Shqipni u përqafue që në shekujt e parë, vertetue e miratue kjo pa mëdyshje, por jeten  ipeshkvore, për sa dimë deri sot, e ka filluar në shek. III me Bassus ipeshkëv dhe në shek. IV me Senecius ipeshkëv.
Pastaj vjen një vakum historik për disa shekuj , që prêt të ndriçohet me dritë dokumentuese. Në shek. XI Ipeshkvia e Shkodrës na paraqitet si sufragane e Kryeipeshkvisë së Tivarit.
Gjatë përiudhës së pushtimit osman kisha ka jetue vështirësi të mëdha, por edhe ka pasë kuadro të tilla si Zmajeviçin primat që mbajti Koncilin e Parë, 1703, frymëzue nga Papa shqiptar Klementi XI., ka pasë Bogdanin themelues i letersisë sonë artistike, Ip.Gjergj Vladanin, ka pasë misionarë që kanë punue në fushat e arsimit, kulturës etj.
Më 1867 Ipeshkvia e Shkodrës ngjitet në rangun e Kryeipeshkvisë, me kryeipeshkëv Karl Pooten (1807-1886). Lindur në Teveren, dioqezë gjermane. Studimet i kreu në Romë më 1832, qe monsinjor apostolik në Bullgari e Vllahi, më 1844 u shugurue ipeshkev në Raguzë, po këtë vit emnohet administrator i Tivarit.
Ky gjerman i heshtun e i matun tregoi forcë organizuese e pati ide krijuese në dobi të ardhmënisë kishtare e shqiptare. Shuguroi meshtarë, u përpoq për ndertime e mjedise kulturore, zhvilloi edhe veprimtari të dobishme edhe në ato kohë të vështira me stuhi që fryenin kercnueshem me shfaqje dhune, egërsi mllefi e botkuptim fanatik e kanunor. Nën kryesinë e organizimin e tij u zhvillue Koncili II, 1871 në Shkodër.
Pasardhësi i tij Imzot Guerini nga Përcanjo Kotor, (1821-1911), më 1848 u shugurue meshtar, me 1848, në Romë mori doktoratën, qe professor etike në Loreto, më 1879 u zgjodh ipeshkëv i Pultit, pastaj vizitator apostolik në Lezhë. Drejtoi Kryeipeshkvinë e Shkodrës prej 1886 deri 1909. Më 1895 zhvilloi Koncilin III në Shkodër. Imzot Guerini (shih zërin Guerini) mund të quhet kryeipeshkvi që hapi shkolla shqipe.
Imzot Jak Serreqi (1861-1921). U lind në Shkoder në një familje me tradita në fusha të ndryshme. Studioi në Seminarin Papnuer, Shkoder me rezultate “cum laude”. Studioi edhe jashtë shteti për filozofi e teologji. Sherbeu si meshtar në fshatra te ndryshme. U emnue ipeshkev, me 1905 dhe kryeipeshkev i Shkodres me 1910. U dalluar për veprimtaritë fetare e patriotike. (shih zërin Serreqi).
Imzot Lazer Mjeda (1869-1935). Për veprimtarinë e gjenë shoqnore e kulturore, patriotike e politike, Imzot Mjeden e vlerësojnë si figurë që të ngjallë respekt, të edukon patriotizëm e të frymëzon vullnet për punë. Zhvilloi veprimtari i frymëzuem nga idealet Fe e Atdhe në Sapë, Shkup, Shkoder. Janë me shumë vlerë relacionet e letrat e tij dërguar Vatikanit etj., që demaskojnë dhunën serbe kundër shqiptarëve muslimanë e katolikë. Pati marrëdhënie bashkëpunimi me ajkën e patriotizmit shqiptarë. Drejtoi Kryeipeshkvinë gjatë viteve 1922 gjer 1935. Qe mecenat i arsimit, i shtypit, i shoqnive patriotike. Shkrou poezi të ndryshme kryesisht fetare.  (shih zërin Mjeda).
Pas këtij vjen në krye të Kryeipeshkvisë Imzot Gaspër Thaçi (1889-1946. Me 1936 u emnua Kryeip. i Shkodrës. Ndertoi e meremetoi kishë, ndihmoi shtypin, me 8 dhetor 1912 ngriti flamurin në Qelëz dhe festoi pavarësinë me fshatarët e famullisë, vuejti nga një smundje e gjatë, vdiq me 1946. Populli i bani një varrim madhështor edhe si shenj kunder diktaturës që u përpoq ta ndalonte popullin për këtë manifestim të heshtun antikomunist. Së mbrami, drejtoi Kryeipeshkvinë Ipeshkvi Ordinar Ernesto M. Ҫoba, i cili pësoi përsekucionin e eger komunist. Pati guximin të protestojë kundër nderhyrjeve të shtetit të ditaturës. I shkroi një letër Mehmet Shehut kunder nderhyrjeve antikushtetuese, që i baheshin Kishës katolike në Shqipëri. Vdiq i helmuem në burgjet e diktaturës. 
Më 1967 Partia e Punës mbylli kishat edhe Kryeipeshkvinë. Më 1993, Papa Gjon Pali II krijoi hjerarkinë e re: shuguroi kater ipeshkvij, Imzot Frano Illinë, kryeipeshkëv, Imzot Zef Simonin ipeshkëv ndihmës, Imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv, sot Tiranë-Durrës, Imzot Robert Ashten për Pultin. Nga 1998 drejton Kryeipeshkvinë Imzot Angjelo Masafra. Organi më i lartë është Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë.
 
 
NUK PËRMENDEN NË FESH, 2008-2009

Te zani Pulti nuk përmendet, kur del së pari në histori. As nuk përmendet si ipeshkvi, as indikacioni për shkollen 1367.
Te zani Sheldia shkruhet që ka shkollë 9-vjeçare, qendër shkencore etj., por nuk përmendet shkolla e parë me mësues D. Nikollë Kançin.
Te zani Shkolla e shqiptarëve në Venedik përmendet vetem si institucion arsimor, por jo me kuptimin “bashkëvëllazni” - Confraternita).
Te zani Armët… Mendoj se duhet të përmendet fisi Çefa, që dha mjeshter armëtarësh, të cilët kanë të skalitun në qarkun e pushkës shqipen dykrenare, tue deshmue kështu se flamuri i Skenderbeut përdoret si flamur kombtar shqiptar.
 
DISA PASAKTESI
Në zanin Kolë Zezaj në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i ri, 2008 shkruhet: “Klerik katolik…shërbeu si prift në vendlindje…”. “ Lindi në fshatin Dajç të Zadrimës…”. “Bashkëpunoi me Ndre Mjeden për çeljen  e shkollës së parë shqipe në Dajç, më 2 janar 1901. Po me ndihmen e Ndre Mjedës çeli të parën shkollë shqipe në Iballë të Pukës, më 15.10.1903…”.
Shënojmë:
Kolë Zezaj nuk ka qenë prift katolik asnjëherë dhe nuk ka sherbye si prift në fshatrat e Zadrimës. Pasardhȅsit e tij janë gjallë e shëndosh e mirë edhe sot e gjithë ditën.
Nuk ka lindë në Dajç të Zadrimës, por në Shkoder.
Në tekst pohohet se ka çelë shkollën e parë shqipe në Iballë. Në kohën e Turqisë, (jemi më 1901, 1903) dhe si rregull absolut nuk ka mujtë me hapë shkolla asnjë përson privat. Vetem Kryeipeshkvi a ipeshkvi ka pasë të drejtë me plotsue dokumentat, me ia paraqitë Vezirit të Shkodrës, i cili, pasi i ka miratue, ia ka përcjellë Sulltanit që ka pru fermanin për lejimin e hapjes së shkollës “fetare” (ndonse nuk ka qenë fetare). Për miratim herë-herë ka nderhye Austro-Hungaria për shpejtim të procesit, mbasi ka pasë të drejten e protektkultit. Pra, shkollën e ka hapë Imzot Lazer Mjeda, i cili ka aktivizue të vëllanë (ende i pastabilizuem si meshtar). Mësuesit e parë kanë qenë po Ndre Mjeda e Kolë Zezaj që kanë punue me përkushtim. 
 
Tek zani (kȅshtjella) Rozafa, punue nga njȅ grup autorȅsh nȅ FESH-in e ri, botim T.2009, f.2476, lexojmȅ: “Uji qȅ dȅpërton ndȅrmjet gurȅve gelqerorȅ te hyrja kryesore ȅshtȅ lidhur me fantazinȅ popullore me qumȅshtin e gjirit tȅ nuses (Rozafȅs) qȅ iu la jashtȅ gjatȅ murosjes pȅr tȅ ushqyer foshnjen”.
Nȅ tȅ vertetȅ, nusja qȅ murohet nder themele tȅ kalasȅ, nuk ka emen tȅ përveçem,(nȅ ndonjȅ rasȅ tȅ vecantȅ), kurr nuk quhet Rozafa, por quhet me apelativin e huazuem turk Gjelinȅ, qȅ dmth nuse (çou gjelinȅ, gjelinȅ e parȅ, ustallarȅt duen bukȅ... Kȅshtu edhe gjelinȅ e dytȅ, gjelinȅ e tretȅ. Emnin Rozafa, ilirȅt tanȅ qȅ ruejshin kufijtȅ lindorȅ tȅ Përandorisȅ Romake, e morȅn te qyteti Rusaf, (a  te kȅshtjella Rusaf) nȅ Palestinȅ dhe e sollȅn nȅ vendin tonȅ, sikurse mendohet edhe për toponimet Barbalisi-Barbullush, Shirqi (San Sergius) etj.
 
 LAPSUSE
. FESH-i nȅ faqen 1351 shkruen: “Bashkȅsia e parȅ e krishterȅ qȅ besonte nȅ përsonin dhe misionin e Jezu Krishtit tȅ Nazaretit si profet i ri...”.Krishterimi nuk e mban Jezu Krishtin e Nazaretit si profet i ri, por si Zot, pjesȅ e Trinisȅ shejte: Ati, Biri, Shpirti Shejt. 
 
. Thuhet “Shkollat e para private nȅ Shqipȅri zȅnȅ fill nȅ dhjetȅvjetȅshat e parȅ tȅ shekullit XIX”.
Çudi: Po shkollat e Kurbinit, Pȅdhanȅs, Blinishtit, Veles, Janjevȅs, Rrjollit e ndonjȅ tjeter, qȅ janȅ shkolla private tȅ klerit katolik,  a nuk deshmojnȅ se nuk asht e vertetȅ sa shkruen Fesh-i. Ndoshta kȅtu duhet tȅ flitet edhe për mȅsuesit e Pultit qȅ përmenden mȅ 1367 dhe 1388. Pse tȅ mohohen kȅto shkolla, madje ku mȅsuesi do t’i mȅsojȅ nipit tȅ priftit tȅ pȅrkthejȅ edhe autorȅ latinȅ. Pse tȅ fshihen (nȅ fakt ato qȅ fshihen nuk ekzistojnȅ) ato mȅsues qȅ mȅsojnȅ privatisht klerikȅt e ardhshem, si Pjeter Budin, Mazrekun, Bogdanin etj.
 
. Për Fishtȅn: “Bashkȅpunoi dhe themeloi sȅ bashku me P. Doçin, Dom Ndoc Nikȅn dhe Pashko Babin etj. Shoqȅrinȅ letrare “Bashkimi”. Si anëtar themelues ka qenȅ P. Pashko Bardhi, jo Pashko Babi.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024