Fjori Dardha: "Prezantimi i “Fiks
Fare” është një supersfidë"

Fjori Dardha: Fare” është një supersfidë"">
Në vend të Sajmir Kodrës në studion e “Fiks Fare” tani është ulur një femër. Fjori Dardha, gazetarja, e cila me këtë rikthim në ekran duket se ia ka bërë vërtetë “Boom”. Ia ka marrë dorën thuajse menjëherë, aq sa impakti tek publiku ka qenë shumë pozitiv. Madje ky ndryshim duket se i ka bërë mirë vetë programit, pasi publiku vërtetë paskësh pasur nevojë për një femër si ajo. Në këtë intervistë të parë të saj si prezantuese e fiksit, Fjori tregon herë me humor, herë me batuta e herë me autoironi nisjen e kësaj rrugë. Sigurisht që çdo rrugë ka sfidat e saj, po Fjori ia ka nisur më mirë  nga sa mund të mendohej. E siç thotë populli, filli i mbarë, është gjysma e punës, ndërsa Fjori duket sikur nuk ka një javë po një jetë që prezanton fiksin. Siç do thoshte ndoshta ajo vetë në ndonjë nga statuset e saj në Facebook; “S’ke ç’i bën, kur ekrani të do të do, pale kur të duan dhe njerëzit”!

Fjori ke nisur të jesh pranë “Doktorrit” në emisionin investigativ “Fiks Fare” nga kjo e hënë. Si je ndjerë?

Të gjithë ndjehen të rëndësishëm, kur dalin në ekranin e “Top Channel”. Kur prezanton një program në TCH, natyrisht, që ndjehesh edhe më i rëndësishëm. Por, për hir të së vërtetës, më duhet të them se jam ndjerë më shumë e vlerësuar, sesa e rëndësishme, sepse të prezantosh “Fiks Fare” është një sfidë, ndërsa ta prezantosh siç duhet, është një supersfidë!



Ke pasur frikë duke qenë se do të ishe në vend të Sajmirit, një figurë e unifikuar deri diku me këtë emision?

Nuk do të isha e sinqertë, po ta mohoja këtë. Jo më shumë për faktin se “Fiks Fare” është identifikuar për më shumë se një dekadë me Sajmirin dhe Doktorin, sesa për shkak të specifikës që ka ky program; për shkak se “Fiks Fare” është një nga programet më të ndjekura nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, si dhe për shkak të shkëputjes time disa vjeçare nga ekrani. Besoj se këto janë arsye të mjaftueshme që frika, ankthi dhe emocionet janë ndjesitë më të shpeshta, që kam përjetuar gjatë kësaj jave.

Me “doktorin” duket se je përshtatur në mënyrë të frikshme që ditën e parë. Kjo gjë duket vetëm nga ekrani, apo kështu është edhe jashtë studios?

Sinqerisht, më vjen shumë mirë, që është krijuar ky perceptim tek publiku, sepse është shumë e vështirë të krijohet një çift televiziv harmonik, veçanërisht për një program si “Fiks Fare”. Këto pak ditë që kam njohur nga afër Gent Pjetrin, Doktorrin e Fiksit, jam ndjerë shumë mirë nga përkujdesja, butësia dhe afërsia e treguar prej tij. Po përpiqemi të kalojmë sa më shumë kohë bashkë, në mënyrë që të njohim dhe të kuptojmë sa më mirë natyrën e njëri-tjetrit. Besoj shumë se do t'ia dalim mbanë shumë shpejt.

Kë ke pasur si këshilltarë të themi në këtë javë të parë?

Në të tilla raste, ata që japin këshilla janë shumë dhe unë jam përpjekur t'i mbaj shënim të gjitha, veçanërisht kritikat, por këto ditë jam përpjekur të bëj gjithçka për të kuptuar çdo këshillë të drejtorit të “Fiks Fare”, Filip Çakuli dhe të Zv. Drejtores  Denisa Haxhiaj. Janë këta të dy, që po më japin mbështetje pa rezerva, kritika pa rezerva, sugjerime pa rezerva, besimin dhe inkurajimin që më duhet.



Di që janë bërë audicione, “kishe piketuar” ndonjë emër si rival të fortë?

Konkurenca sjell gjithmonë cilësi, kështu që më duhet të falenderoj nga zemra Michelle Hunziker dhe Alessia Markuzzi që ishin të zëna me programet e tyre në Mediaset. (Hahahahahaha)

Si ndodhi që shkove për të bërë prova për “Fiksin”, kush ta çoi në mendje?

Kjo është pyetja që më kanë bërë absolutisht të gjithë ata që më njohin nga afër. Dhe unë e kam treguar pa u lodhur dhe gjithë qejf se një javë më parë, të shtunën vonë më telefonoi Denisa Haxhiaj, Zv. Drejtorja  e “Fiks Fare”, e cila më ftoi që të merrja pjesë në audicionin e të dielës dhe pastaj të tjerat dihen. Të dielën Zoti qenka vërtetë pushim dhe në humor!

Impakti tek njerëzit ka qenë shumë pozitiv, qindra komente në uebe dhe rrjetet sociale. Si të ka bërë të ndihesh kjo mikëpritje masive? E ke ndjekur më parë “Fiks Fare”?

Së pari, nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që s'e ka ndjekur Fiksin. Së dyti, më vjen shumë mirë, kur dëgjoj të tilla konsiderata pozitive dhe dashamirëse! Shpresoj shumë dhe besoj se do t'ia dalë të jem çdo herë në lartësinë e kësaj mikëpritjeje të publikut.

Ka ndonjë gjë që nuk të pëlqen apo nuk të ka pëlqyer tek ky emision?

“Fiks Fare” është për mua si dashuri me shikim të parë. A mundet që t'i gjesh kaq shpejt defekte dashurisë?!



A ia ke frikën vetes se mund të thuash ndonjë gjë që s’duhet thënë, për ndonjë “të paprekshëm” nisur nga lirshmëria që kemi parë në komentet e tua në rrjetet sociale?

Mesa e kam ndjekur dhe kuptuar unë “Fiks Fare” në këtë program nuk ka nga ata që ju i quani të paprekshëm! Dhe gjatë kësaj jave e kam provuar vetë këtë. Kështu që, ju siguroj se do të më shihni po aq të lirshme sa në faqen time të Facebook-ut.

Të jesh i drejpërdrejtë dhe autoironik, ka shumë njerëz të tillë rreth e qark nesh?

Ky nuk është një sport dhe aq i përhapur këtu, por nëse ju duhen statistika, INSTAT-i ende nuk është shkrirë( hahahahahah). Megjithatë, përtej shakasë, miqtë e mi të ngushtë i kanë të dyja këto cilësi, që sipas meje, e bëjnë një njeri më të sinqertë dhe më të mirë.

Në Facebook do vazhdosh të jesh po aq aktive në ato çka mendon edhe pse tashmë je pjesë e një televizioni të madh e do duhet “pak etikë” për pëlqimet dhe mospëlqimet e ndonjë personaliteti mediatik apo politik?

Në çdo vend dhe në çdo moment unë përpiqem të jem vetvetja, sepse nuk funksionoj dot ndryshe. Besoj se kjo është arsyeja kryesore përse unë po bëj këtë intervistë me ju si prezantuesja e re e “Fiks Fare”.

Dimë që je nëna e një djali ende të vogël, ka bërë ndonjë reagim ai kur të ka parë në ekran?

Nuk e di si sillen fëmijët e tjerë, kur shohin mamin e vet në ekran për herë të parë, por Abeli im, që është 18 muajsh, është nervozuar dhe ka qarë aq shumë, sa ka detyruar prindërit e mi të mbyllin televizorin. Ky ishte reagimi i tre ditëve të para, por tani ka ndryshuar plotësisht dhe është bërë tifozi më entuziast i “Fiks Fare”.

Dhe pyetja e fundit si një vëzhguese e hollë e medias në Shqipëri, cili është sipas teje fenomeni më negativ?

Duke qenë se kjo është intervista ime e parë për ju si prezantuese e “Fiks Fare”, më duhet të kërkoj mirëkuptimin tuaj, që të mos përmend asnjë negativitet. Do të kemi mjaft raste të tjera (hahahaha).



Shkrimi u botua në numrin e datës 05.10.2013 të suplementit "THASH&THEM" të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)

25/4
  • Sondazhi i ditës:
    11 Nëntor, 07:59

    A besoni se situata e pensionistëve do të ndryshojë?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Gaza/ Bombardime izralite në Rripin verior, humbasin jetën 16 palestinezë

Lufta në Gaza/ Bombardime izralite në Rripin verior, humbasin jetën 16 palestinezë