Drejtuesi politik i PD në Kamëz, Flamur Noka tha se Shqipëria sot po përballet me një arsim të shkatërruar. Gjatë një takimi me mësues dhe përfaqësues të arsimit në Kamëz, Noka tha se në 8 vite nuk ka asnjë investim dhe kontribut për arsimtarët.

"Asnjë investim, asnjë kontribut, qoftë tek ju si arsimtarë për t'ju ndihmuar në punën tuaj, qoftë edhe në rritjen e pagave dhe të pensioneve. Arsimi, jo vetëm në Kamëz, por kudo është në gjendje të mjerueshme”, tha Noka.

Flamur Noka foli gjithashtu edhe për programin e PD për arsimin, duke premtuar se nuk do të ketë rroga nën 700 euro për mësuesit dhe se atyre do u rikthehet dinjiteti, që sipas tij është nëpërkëmbur në këto 8 vite.

“Reforma jonë në arsim do të bazohet në disa pika kryesore. Do të rrisim pagat për të gjithë mësuesit. Në qeverisjen e Partisë Demokratike nuk do të ketë rrogë mësuesi nën 700 euro. Ky është një zotim i studiuar dhe me Lulzim Bashën kryeministër, do të bëhet realitet. Ne do të bëjmë gjithçka që dinjiteti i mësuesit të mos nëpërkëmbet, siç ka ndodhur në këta 8 vjet. Do të bëjmë gjithçka që kushtet e mësimdhënies të jenë optimale", tha Noka.