Flamurtari kalon 100% në administrimin e dy firmave turke TRK dhe Atlas Jet. Pas shumë ditësh ankth te tifozët dhe ekipi kuqezi, Këshilli Bashkiak i qytetit të Vlorës miratoi kalimin e klubit kuqezi në duart e donatorëve. Flamurtari do të drejtohet nga një bord me katër anëtarë, tre nga të cilët emërohen nga donatorët dhe një tjetër nga Bashkia e Vlorës. Bordi drejtues do të ketë kompetencën për të zgjedhur administratorin e klubit si dhe drejtues të tjerë në nivele më të ulëta.

Donatorët do të marrin përsipër të gjitha shpenzimet, deri në momentin kur të mbarojë procesi i privatizimit. Kalimi i ekipit kuqezi në administrimin e turqve ka qetësuar shumë ujërat në kampin e Flamurtarit, pasi në ditët e fundit po flitej për një shtyje të procesit në Këshillin Bashkiak, por drejtuesit e futën në rendin e ditë duke miratuar marrëveshjen. Tashmë të gjithë janë të qetë në Vlorë, pasi turqit kanë premtuar ndërtimin e një ekipi konkurrues për edicionin e ri, i cili do të kerr synim kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë me pjesëmarrjen në Kupat e Europës që nuk do diskutohen.
Vllaznia në kaos
E ardhmja e kompanisë “Gea Sport” te Vllaznia ndodhet në udhëkryq. Presidenti i Vllaznisë dhe drejtuesi i “Gea Sport”, Roberto Nava mbështet plotësisht Ardian Grabovën dhe shprehet se bashkia nuk ka zbatuar asnjë pikë të marrëveshjes. Roberto Nava i ka bërë të ditur stafit të trajnerëve që s’duhet të zhvillojnë stërvitje me Vllazninë.

Të shtunën, Alesandro Grigoleto do të jetë në Tiranë për të sqaruar gjithçka për të ardhmen. Ndërsa dje Vllaznia ka shmangur penalizmin me pikë në renditje për shkak të borxhit të Ivan Deliç. Malazezi Ivan Deliç ka marrë shumën 12.500 Euro duke shmangur kështu edhe penalizmin. Klubi i Vllaznisë ka afro 20 milionë lekë borxhe, të cilat janë marrë përsipër të likuidohen nga Bashkia.


d.b/shqiptarja.com