TIRANE - Prokurorët e Krimeve të Rënda dhe oficerët e policisë vijojnë prej më shumë se një jave të mbledhin prova dhe dëshmi në lidhje me atentatin mafioz ndaj Dritan Lamajt, Shefit të Komisariatit nr.6, që u vra me 24 shkurt. Megjithëse Policia e Shtetit mbetet te konkluzioni se i arrestuari i Selanikut, Arben Frroku, është personi i vetëm i dyshuar për krimin e rëndë, grupi i hetimit e ka zgjeruar rrethin. Eshtë gati lista me mbi 30 emra, të cilët do të dëshmojnë në fazën e hetimeve paraprake.

Personat e konfliktuar me Lamajn
Referuar burimeve të besuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëhet me dije se personat për të cilët janë lëshuar fletë-thirrjet janë që të gjithë të skeduar si persona që kanë pasur konflikte në kohë të ndryshme me Dritan Lamajn, ndërsa pjesa më e madhe e tyre bëhet me dije se janë banorë të zonave nën juridiksionin e Komisariatit nr.6. Burimet, për shkak të sekretit hetimor, nuk tregojnë emrat e personave të listuar, por saktësojnë se nga të thirrurit asnjë nuk është ndonjë emër i dyshuar, por janë vetëm persona të cilët për shkaqe të ndryshme, kanë pasur konflikte me Dritan Lamajn dhe efektivët e komisariatit që ai ka drejtuar. Gjithashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se po heton intensivisht në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit mbi punën thuajse 1-vjeçare të Komisariatit nr.6, përfshi këtu operacionet policore si dhe goditjet e flagrancës të grupeve kriminale apo të individëve të veçantë.

BMW u shua me ujë

Grupi i hetimit vijon punën me anë të ekspertimit të atyre pak provave që kanë mundur të sigurojnë në vendin e ngjarjes. Një nga shpresat më të mëdha të hetimit ishte makina nga ku u lëshua breshëria e kallashnikovit për t’i marrë jetën Dritan Lamajt. Por, fatkeqësisht ekspertët kanë dështuar pikërisht në provën më të besueshme të tyre. Zjarrëfiksja që ka shuar flakët e automjetit ka prishur çdo gjurmë që mund të ketë pasur në makinë. Në BMW-në e grabitur në Durrës dhe të përdorur në atentatin mafioz ndaj Kryekomisarit është gjendur vetëm një gëzhojë pavarësisht mundësisë së ekspertimit, sërish nuk mund të përbëjë provë që mund të vendosë ndonjë fat për hetimin e vrasjes. Makina aq shumë e përfolur që u përdor për atentatin dhe që u gjend vetëm në momentin që iu vu flaka në afërsi të një prone të Arben Frrokut, ka dyzuar ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në autorësinë e dy emrave që publikoi Policia e Shtetit vetëm pak orë pas lamtumirës së fundit të kryekomisarit. Makina që u gjend në Domje rreth 24 orë pas ekzekutimit, ishte një ndër elementët e parë të saktë përveç emrit kryekomisarit të vrarë, që iu vu në dispozicion policisë nga dëshmitarët okular të vendit të ngjarjes. Policia, po natën e vrasjes, bëri me dije se është vënë në ndjekje të makinës që ishte nisur në drejtim të Durrësit, por pa mundur të ndalojë atë dhe as autorët.

RENEA blindon Tiranën pas vrasjes
Pas ekzekutimit të Dritan Lamajt, në kuadër të punës intensive për të zbardhur një nga vrasjet më tronditëse, jo vetëm për Policinë e Shtetit, është urdhëruar që Forcat Speciale RENEA, të mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe efektivë të komisariateve, të dalin në rrugë. Operacionet janë të detajuara dhe kanë për synim kontrolle lokalesh nate, kazino si dhe banesa të personave me precedentë të njohur kriminalë. Detajet e nisjes së këtij operacioni janë bërë me dije dy ditë më parë, ndërsa goditja e parë e dhënë në disa zona të Tiranës ka sjellë mbi 50 persona të arrestuar dhe të shoqëruar, shumë prej të cilëve janë mbajtur në pranga për mbajtje armësh pa leje. Zyrtarisht policia ka bërë me dije se arrestimet janë në kuadër të parandalimit të krimeve të rënda, ndërkohë që, sipas burimeve jo zyrtare policore, saktësohet se forcat speciale do të jenë në rrugë për disa netë me radhë në goditje të personave të armatosur si dhe të të dyshuarve për vepra të rënda penale.

Operacioni
Siç njofton policia e Tiranës, operacionet janë përqendruar kryesisht në territorin e tre komisariateve, në zonat thuajse më problematike të kryeqytetit. Në harkun kohor të vetëm 6 orëve blutë në mbështetje të RENEA-s dhe të FNSH-së kanë ndërmarrë kontrolle në rrugë kryesore, kryesisht Kombinat dhe Unazën e Re e deri në Kamzë. Për pasojë kanë mundur të arrestojnë, ndalojnë dhe të shoqërojnë 50 persona, ndër ta dy sipas tyre si persona me precedentë të mëparshëm kriminalë të cilët në momentin e ndalimit për kontroll mbanin pistoleta me vete. Sipas të dhënave ky operacion do vijojë edhe në vazhdim ndërsa në fokus do të jenë zonat problematike në të cilat kanë ndodhur krime të rënda dhe që policia nuk ka mundur të shkojë të autorët. Burimet bëjnë të ditur se po punohet edhe mbi bazë të fortë informacionesh, ndërkohë që përveç ambienteve problematike në shënjestrën e policisë tashmë do të jenë edhe automjetet disa prej të cilave rezultojnë të jenë të vjedhura. Grupet speciale policore do të qëndrojnë në terrenin e përcaktuar nga ekspertët e policisë së Tiranës, ndërsa bëhet me dije se po punohet intensivisht edhe për të mundësuar gjetjen e provave të tjera në lidhje me vrasjen e Dritan Lamajt, ndaj edhe përqendrimi më i madh është pikërisht në zonën nga ku mendohet që kanë lëvizur vrasësit e tij natën e ekzekutimit.

Pamjet filmike, autorët të maskuar
Prokuroria prej ditësh përpiqet të zbardhë ndonjë detaj nga pamja fizike e dy personave që kanë qëlluar mbi Dritan Lamajn. Sekuestrimi i pamjeve ka bërë të mundur dallimin e një detaji; vrasësit, ose më saktë, autori i vrasjes dhe shoferi i makinës ka? në qenë të maskuar. Pamjet tregojnë dy persona ku në të gjithë sekuencën e fiksuar, dominon ngjyra e zezë, si në rroba ashtu edhe në fytyra. Ekspertët e shqyrtimit të këtyre pamjeve vijojnë të punojnë për të mundësuar ndonjë tipar fizik të trupit të atentatorit, personit që ka qëlluar, i cili në pamjet filmike shfaqet në një fragment përballë kamerës, por veshja krejtësisht me të zeza e bën të vështirë krijimin e identikitit.

*Marrë nga Shekulli Online

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)