Flet Ismail Kadare: S`jam
koleksionist femrash

Flet Ismail Kadare: S`jam<br />koleksionist femrash
TIRANE-  Në këtë intervistë për gazetarin Blendi Fevziu dhënë në Tiranë në emisionin Opinion, shkrimtari Ismail Kadare, flet për librin me kujtime të bashkëshortes por jo vetëm për të.

Ai rrëfen se pjesën disafaqëshe të këtij libri ku flitet për disa grindje e xhelozi, e kanë sugjeruar botuesit francezë të librit, por në to nuk ka asgjë nga ato që përfliten në shtyp.

“Emrat që dolën në shtyp janë mikesha të familjes, është turp edhe të flasim për to, – thotë shkrimtari i madh.

Ai rrëfen gjithashtu pjesën e tij për publikime të tjera të këtyre ditëve që lidhen me librin e bashkëshortes. Për SMS-të e Ramës për tu bërë President në 2007, z.Kadare tregon se nuk ishte vetëm Rama, por edhe Berisha i ka telefonuar pas mesazheve të Ramës. Më poshtë, intervista e plotë dhënë gazetarit Fevziu:



Ka filluar panairi i librit dhe është një nga mundësitë tuaja më të mira për t’u takuar me lexuesit. Ju jeni gjithmonë në Tiranë, kur zhvillohet panairi i librit…

Po. Përpiqem të jem dhe kam qenë gjithmonë në Tiranë. Është ndoshta veprimtaria kryesore ku unë marr pjesë në Shqipëri.

Kësaj here në fakt nuk jeni vetëm ju me një libër, me një ribotim që është “Mosmarrëveshja”, i ripunuar besoj?

Po, i plotësuar.

Por është edhe një libër shumë interesant i bashkëshortes tuaj, Helena Kadare “Kohë e Pamjaftueshme”. Përse Helena Kadare vendosi të shkruajë kujtimet. Ishte një shtysë e juaj, apo vendim i saj?

I saj padyshim. Ka një kohë shumë të gjatë që i ka filluar kujtimet, 15 vjet.

Ju vetë, keni vendosur të shkruani kujtime?

Jo.

Keni thënë disa herë që nuk doni të shkruani kujtime. A mbeten kujtimet e Helena Kadare korpusi kryesor i memorieve tuaja njëkohësisht?

Mbeten apo nuk mbeten kjo nuk ndryshon asgjë në vendimin tim për të mos shkruar kujtime.

Përse në fillim kujtimet e zonjës Kadare u botuan në frëngjisht dhe më pas në shqip?

U botuan kështu, natyrshëm nuk ka ndonjë arsye të veçantë.

A ishte botuesi juaj që insistoi?

Po ishte ai. Ka dëgjuar që prej kohësh që Helena po shkruan kujtime dhe tha kam qejf t’i botoj. Ky botim ishte edhe një lloj testi për to. Si janë këto kujtime, në nivel evropian ose…

Si ishte reagimi?

Shumë i mirë. Njëzëri përshtypjet ishin të mira.

Zakonisht kur shkruan kujtime është një moment delikat, sepse përfshin miq, marrëdhëniet me ta, të njohur. Si kanë reaguar ata pas botimit?

Autori është marrë me këtë. Zakonisht kanë reaguar absolutisht pozitivisht. Në këto kujtime ka edhe shumë personazhe të huaj, që janë gjallë.

Në momentin që ju tha se donte të shkruante kujtimet, - zonja Kadare thotë 15 vjet më parë gjatë pushimeve në Dubrovnik të Kroacisë – cili ishte reagimi juaj? Ishit dakord, ishit hezitues apo e inkurajuat?

Tani, ka kaluar shumë kohë por nuk kam qenë hezitues pos as entuziast të thuash nuk kam qenë, sepse e di që është një gjë shumë e vështirë.

Përse është e vështirë?

E di që kujtimet janë të vështira, sidomos kur ka kapërcime epokash, kapërcime mendësish, domethënë vizioni i botës ndryshon. Ndryshon vizioni jo aq sa tek autori i kujtimeve por tek lexuesit. Krijojnë të gjitha kujtimet, kur kalon nga një epokë që pati një thyerje dramatike në mes, tek një epokë tjetër, vështirësohet dyfish.

Ky ka qenë shkaku që edhe ju vetë nuk doni të shkruani kujtime?

Jo. Unë nuk mendoj se kam ndonjë kërkesë të brendshme si krijues, që të shkruaj kujtime. Në këtë libër, ka disa që mund të quhen kujtime ose disa tekste të mia. Aty në vend ti mendoja për kujtime, se veç mund ti botoja, janë rreth 70 faqe ndoshta, ja kam bërë dhuratë bashkëshortes, po të donte ti botojë. Ndoshta plotësonin një farë tabloje, po ajo nuk kishte qenë e pranishme.

Ju i lexuat kujtimet përpara se ato të botoheshin?

Pjesë-pjesë po. Por i kam lexuar tërësisht në frëngjisht sepse ishte më e lehtë të merrja një distancim nga to.

Pra ju lexuat botimin e publikuar në Francë, jo dorëshkrimin?

Të përgatitur po, për ta parë në mënyrë sa më gjakftohtë sepse gjuha e huaj të ndihmon për këtë gjakftohtësi.

A kishit sugjerime për të hequr apo për të shtuar?

Po, i kam thënë të heqë një pjesë.

Pse, ishin delikate, përfshinin miq, të afërm?

Jo delikate, kryesisht pjesë që lidheshin me familjen me fisin dhe m’u duk se ishin mjaft të gjata. Ndoshta më ndihmoi dhe kjo, më shtyu, duke menduar e perceptuar një njeri publik që do e merrte në dorë, por pastaj ajo me gjakftohtësi vendosi vetë për versionin në shqip dhe përgjithësisht i hoqi ato.

Meqë ju thoni se kishte disa pjesë të zgjatura për fisin për familjen, duket se në përshkrimin e saj, zonja Kadare e përshkruan pak çuditshëm familjen tuaj, familjen ku ajo hyri për të jetuar…

Kjo është e vërtetë, por ajo nuk do ta kishte ndoshta këtë liri për ta përshkruar çuditshëm, siç thoni ju, në qoftë se nuk do ta kishte pasur këtë liri prej kohësh prej meje. Unë nuk kam qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e mi, siç ndodh zakonisht në Ballkan. Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan apo thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit s’gabonin kurrë….Unë kam qenë krejt i lirë, e kam vërtetuar këtë gjë në veprën artistike kryesisht sepse nuk kam shkruar kujtime. Kam qenë i lirshëm fare. Nuk më vinte zor që në “Kronikë në gur” ka skena groteske, ku përfshihet i gjithë qyteti dhe familja ime bashkë me to, fisi im.

Cili ka qenë reagimi i tyre në momentin e leximit të këtyre librave?

Këto kanë ndodhur shumë kohë përpara, kështu që reagimi i tyre ka qenë pakëz… prindërit e mi kishin gjithashtu një lloj do të thosha, vizioni të ftohtë për këto gjëra, siç e ka traditë ky qytet. Nuk e merrnin tragjikisht këtë gjë, është e shkruar, është punë e djalit, e shkrimtarit, quajeni si të doni, ne nuk përzihemi, e di ai.

Nuk ka qëlluar ndonjëherë të thoshin, që është përfshirë familja, na ke krijuar probleme me fisin…

Jo, vetëm herën e parë kur unë botova vjershën e parë, isha i vogël fare, isha adoleshent. Për të imituar, e kam thënë, sidomos shkrimtarët rusë që ishin në modë në atë kohë me emër, patronim dhe mbiemër, vura emrin e babait, Ismail H. Kadare. Ata u tallën me mua, se nuk dija të shkruaja, ishte një vjershë budallaqe të them, e njëmbëdhjetëvjeçari, pa asnjë kuptim dhe ia treguan shokët në kafene, i thanë që e bëri djali të ka vënë edhe emrin. Ai më tha, bëj ç’të duash, por emrin tim mos e vër më.

Po nuk ju penguan më fare? Nuk ju thanë, bëhu mjek, arkitekt…

Hiç fare, absolutisht, asnjëherë, sepse unë isha i vogël kur fillova të botoj në shtyp. Isha ende 12-13 vjeç dhe vetvetiu e mora atë rrugë dhe nuk më ndërhyri asnjeri.

A ka qenë atmosfera aq e çuditshme në familjen tuaj sa e përshkruan edhe bashkëshortja juaj, që gjithsecili ishte indiferent në raport me veprat e tjetrit?

Pak a shumë ishte ashtu. Ishte ashtu sigurisht dhe unë duke shkruar, sepse kjo atmosferë është e volitshme për letërsinë, ndoshta diçka mund të kem theksuar më shumë e më pak. Por një atmosferë e tillë i shkon letërsisë objektivisht.

Pra thelbi është real?

Po absolutisht.

A duket herë-herë nga vepra juaj por dhe kujtimet e zonjës Kadare që ka pak një erë marrëzie në gjithë ato raporte?

Po duket, unë e kam pranuar këtë gjë dhe në Gjirokastër, pothuajse kjo është e pranuar që e kishte këtë përmasë. Por që ishte një marrëzi e bukur. Në një sens gati, gati artistik. Njerëzit ishin të çuditshëm, sepse duke qenë shtëpi të mëdha kishin një jetë individuale shumë të theksuar.

Të izoluar brenda banesave të tyre?

Nuk mund të thuhet e izoluar, por një jetë me identitet në çdo shtëpi. Në Gjirokastër ishte e zakonshme të thuhej, se tek X e kanë kështu zakonin, tek Y e kanë ndryshe, tek Z…., po them për mbiemra tek Angonatët, Mezinatot, Shtinot.

Ishte ndryshe stili i jetës?

Kishin doket e tyre, një minikanun i vogël. Madje në Gjirokastër ka pasur edhe alfabete sekrete në familje. Një familje për shembull kishte alfabetin e saj sekret, për disa gjëra.

Nga shkrimet tuaja, kam kuptuar se kishin edhe hyrje sekrete?

Po sigurisht, hyrje sekrete kishin pjesa më e madhe e shtëpive. Tani vonë madje është zbuluar dhe hyrje sekrete në shtëpinë time. Gjatë riparimit të shtëpisë sime, tani vonë arkitekti zbuloi. Unë s’e dija, kishte humbur zanafilla e kësaj hyrjeje. Ishte një portë, po të hapej ajo të çonte në një tunel dhe tani po e shohin se ku të çonte ai tunel, shumë larg.

Pra dhe shtëpia juaj kishte hyrje sekrete?

Po absolutisht, kishte një dalje sekrete.

Kjo është ajo atmosfera pak shekspiriane që krijohen brenda…

Krijohej shumë lehtë kjo atmosferë. Gjirokastra ishte një qytet, që nga kjo pikëpamje nxiste fantazitë krijuese, ta shtynte me dorë.

A ishte pak qytet meskin Gjirokastra?

Nuk ishte meskin, ishte i çuditshëm. Një qytet i çuditshëm e përjashton meskinitetin.

Çdo të thotë i çuditshëm?

Do të thotë jashtë normalitetit. Sepse derisa çdo shtëpi kishte doket e saj, prirja për të respektuar një traditë, gërshetohej me prirjen për ta thyer atë.

Ishte e vështirë të ishe fëmijë në Gjirokastër?

Unë e kam shkruar, që ishte vështirë që të ishe fëmijë, por e kam shkruar me një vizion të mëvonshëm. Sinqerisht, se fëmijëria atje ishte pak si në teatër, ishte shumë kurioze. Shikoje gjëra të çuditshme, dhe nuk e ndjen fëmija atë që mund të quhet dramë, tragjedi. Fëmijëria ime ka kaluar në atë që quhet fundi i luftës së dytë botërore, dhe kishte avionë që vinin e iknin, ushtri mund të thuhej teatri i luftimeve.

Nuk duhet të ishte një teatër, ndoshta për një fëmijë mund të ishte teatër…

Po për fëmijët ishte teatër.

Po për të rriturit besoj ka qenë…

Po sigurisht, bombardimet janë të vështira gjithmonë, por kishte dhe në to një lloj shmangie nga rregulli, bombardohej aeroportit ushtarak. Rrallë herë kur kërcënohej qyteti që duhet të bëheshe trysni, fillonin bombardoheshin pjesët periferike, lagjet për tu treguar banorëve që ne do tu shembim tani në qoftë se nuk bëhet kjo apo ajo. Unë e kam përshkruar këtë edhe në librat e mi.

Kur ky realitet i Gjirokastrës, gjysmë i marrë siç e thoni ju, gjysmë teatral, mbërriti në një botë tjetër siç ishte Tirana, si u përball? Për shembull zonja Kadare thotë se nëna juaj qëndronte për një kohë të gjatë bashkë me gra gjirokastrite përballë hotel “Dajtit” për të parë hyrjet e daljet në hotel, çfarë ishte kjo?

Kjo ishte një gjë që unë nuk e kam marrë vesh asnjëherë. Sepse e kam pyetur nënën dhe tha ashtu, përdori një shprehje ‘ndrit sytë” domethënë i jap dritë syve. Ushqen sytë me pamje të reja të panjohura, një botë që për të ishte e çuditshme. Nuk e kam marrë vesh, mahnitej nga kjo gjë apo ishte kritikuese… ndjente kënaqësinë të rrinte atje.

Ndryshe flet për babanë tuaj që dëgjonte lajmet nga bota dhe kishte një pasion të madh, po nuk donte t’ia dinte fare për rreth?

Fare. Ai ishte një njeri që ka punuar tërë jetën në gjyq, një njeri i mësuar të rijë në sallën e gjyqit e të dëgjojë sekrete të mëdha. Gjirokastra ishte plot me sekrete dhe me gjyqe të pafundme, mistere. Më kujtohet që ime më, një lloj pakënaqësie të vazhdueshme kishte se ai nuk tregonte asgjë në shtëpi. Sa ndodhte një skandal në qytet, vinin njerëzit dhe e pyesnin, time më hë se ti di? Ai s’tregonte asgjë, ja plaste shpirtin.

Po ishte shumë e rëndë në Gjirokastër të mos tregoje asgjë?

Kjo ishte një nderim të institucioneve tradicionale. Qyteti kishte diçka arkaike, ndaj nuk ishte arkaik dhe meskin se qytetarët i nderonin institucionet.

Në përgjithësi a ishte kurioz qyteti?

Ishte. I kishte të dyja edhe shpërfillës dhe kurioz, ishte vështirë ta kanalizoje.

A qarkullonin lajmet?

Për tim atë, kurioziteti ishte një dobësi e njerëzve. Kur kalonte për shembull dhe shikonte gratë në shtëpi që bënin muhabet, kalonte me një shpërfillje dhe shkonte në dhomën e tij se i dukej si punë boshe kjo. Një punë e nivelit pa dinjitet fare.

Po si e kishte këtë pasion për lajmet nga bota?

Atë e kishte në përgjithësi. Gjirokastra ishte qytet ndërkombëtar nga kjo anë. Kishte një kuriozitet ndërkombëtar të habitshëm. Ç’bëhet? Si shkon lufta? Kush po humbet?

Edhe kuriozitete që nuk kishin lidhje me jetën e përditshme?

Për shembull paradigma të tilla si fronti i dytë, gjermani, rusi. I dëgjoja në muhabetet e tyre. Dëgjonin radion ata që kishin. Një pjesë e shtëpive kishin radio dhe merrnin vesh dhe transmetonin lajmet botërore. Por ishte dhe koha e mbushur me lajme edhe unë mendoj se kjo ka qenë edhe në qytete të tjera, por në Gjirokastër kjo ishte në nivelin më të lartë të mundshëm.

Zonja Kadare thotë që ju kishit një raport shumë të çuditshëm me paranë. Që fëmijë filluat të botonit vjersha me honorare dhe fitimet ishin më të mëdha se ato që siguronin prindërit tuaj…

Po është e vërtetë kjo.

Kjo krijoi një lloj indiference të raportit tuaj me paranë?

Kjo ma përmbysi problemin e parasë përgjithmonë. Unë mora honorare kur asnjë fëmije nuk i jepeshin.

Çfarë moshe ishit kur i morët?

12 vjeç. Dhe meqenëse nuk mund ti merrja më çoi im atë në postë dhe më tha çfarë janë këto para? Nga të vijnë? Ku di unë thashë. Ato ishin nga Komiteti Qendror i Rinisë, që ishte revista “Pioneri”. Hodhi firmën babai, se unë nuk e kuptoja, isha i vogël. Ai nuk i mori, më tha ku do t’i vesh. Unë i mbaja paratë në bibliotekën e vogël që kisha, i futja atje në fletë sipas ngjyrave. Numrat nuk i kuptoja se nuk i prishja, në Gjirokastër nuk mund të prishje para.

Dhe për çfarë shërbenin këto para?

Hiç asgjë. Herë pas here babai m’i kërkonte nëpërmjet nënës, si hua, si borxh dhe i merrte sepse unë nuk e dija se si prisheshin paratë.

Dhe ky raport vazhdoi dhe më pas?

Ky raport vazhdoi gjithmonë sepse pastaj unë erdha në Tiranë student. Kisha para dyfish sepse botoja libra, honorarët ishin kolosalë në Shqipëri në krahasim me rrogat. Ishin shumë të mëdha, model sovjetik, një nga budallallëqet e kohës dhe një vjershë paguhej nuk ta merr mendja sa shumë. Paratë i dërgoja në shtëpi, prishja sa më duheshin dhe ndihmoja familjen sepse nuk prishja dot aq shumë.

Zonja Kadare thotë se në Moskë me honorarin që morët për librin nuk dinit si ta prishnit?

Absolutisht. Ishte një shumë e madhe, mesa më kujtohet 40 mijë rubla. Mora madje më duket, paradhënie për pjesën e parë dhe nuk dija si ta prishja sepse libri doli kur ika unë dhe pjesën e dytë nuk e mora. Madje një herë kur kam kaluar në Moskë, kisha thënë do të shkoj tek ajo arka, dhe më doli nga mendja.

Dhe ky raport me paranë ka mbetur indiferent që nga ajo kohë?

Vetvetiu, të krijon një largim. Unë nuk merrem me to, merret ime shoqe me administrimin e shtëpisë. Nuk më bie rasti. Jam marrë kur duhet të firmos fatura apo gjëra.

Zoti Kadare, një nga pjesët interesante të kujtimeve të bashkëshortes tuaj është se familja e saj i bënte presion të mos martohej me ju? Pse ky mosbesim?

Shumica e familjeve do të kishin këtë mentalitet. Një shkrimtar i ri, një poet i ri, në një farë mënyre quhej një njeri joserioz. Shkrimtar, firifiu, poet.

A ishit ju joserioz?

Unë nuk kam qenë më shumë joserioz se të tjerët, sa një pjesë e të rinjve. Ishte një joseriozitet pozitiv, një i ri e ka gjithnjë këtë përmasë jo serioziteti.

E kishit problem këtë qëndrim të familjes?

Fare, hiç. Unë e përjetoja këtë gjë si një gjë, ku marrin vesh ata. Shumë familje në atë kohë, moda ishte që kërkonin dy profesione, inxhinierë dhe mjekë. Dhëndurët e tjerë quheshin joseriozë. Sidomos ne të artit, ishim të humbur.

Ishte një paragjykim i përgjithshëm ky?

Ishte pothuajse i përgjithshëm. Nuk kishte autoritete artistike ose letrare. Ishin si të thuash, të politizuar në atë farë mënyrë që nuk zgjonin asnjë interes, qoftë tek vajzat apo tek familjet. Në atë kohë, nënkryetari i komitetit ekzekutiv, ishin figura që nuk tërhiqnin asgjëkund. Ishin figura qesharake në Rusi për shembull. Ishin model demode me kasketa.

Kush ishin njerëzit e preferuar në atë kohë?

Në atë kohë njerëzit e preferuar ishin, arti kryesisht në radhë të parë, shkencëtarët e aftë. Artet dhe letërsia mbushnin atë boshllëkun e jetës.

A kishte paragjykim familja e zonjës Kadare edhe nga jeta që ju kishit bërë?

Ata nuk dinin asgjë, vetëm se kam qenë student jashtë. Një pjesë quheshin me nam të keq. Nuk e di pse. Ndoshta se disa tregonin disa gjëra të papërfytyrueshme, dëgjuesit i zmadhonin e kështu me radhë. Kur vjen nga një vend ku s’të ka parë njeri, s’të njeh njeri, njeriu ka prirjen të shpikë. Kështu ka lindur letërsia në fakt nga udhëtarë që vijnë nga larg, se ata përfitojnë nga mungesa e të tjerëve, ngjarjet i shpik, i shton, i zmadhon, deformon. Studentët shqiptarë në atë gjendje u gjendën, gjysmëdramatike – gjysmëkomike.

A ishit ju në atë kohë, qejfli femrash?

Nuk është e vërtetë. Këtë “nam” mua ma ka nxjerrë një film francez. Që ju e keni nxjerrë të parët në Shqipëri, Televizioni Klan. Unë kisha xhiruar një film që do të prishej në qoftë se nuk do të kthehej në sistemin e sotëm. Ishte shumë e vështirë, rashë në kontakt me një rrjet televiziv, ata më thanë e kthejmë ne. I morën minutat që i dhatë ju.

Po në mes të femrave jeni në fakt, a ishin të bukura?

Ashtu kanë qëlluar. Është jeta e një të riu, e rëndomtë. Nuk ka asgjë të tepruar. Unë sigurisht do të xhiroja, se vajzat i njihja.

A pati një traumë, dalja e shqiptarëve dhe shkuarja në Moskë, në raport me femrat?

Varet se në çfarë vendi kanë shkuar. Zakonisht, studentët që shkonin jashtë, misteri kryesor ishte vetë jeta. Ajo që mungonte ne Shqipëri. Çdo vend ishte më liberal se Shqipëria. Ti je i huaj, je në një vend shumë më të zhvilluar se Shqipëria.

Ishin vërtetë të gjitha vendet më të zhvilluara se Shqipëria?

Të gjitha vendet komuniste, ishin më të lirshme se Shqipëria. Pa asnjë diskutim.

Edhe jeta erotike, marrëdhëniet mashkull-femër ishin më të çlirëta?

Tepër më e çlirët se në Shqipëri.

Në Shqipëri ishte tabu?

Nuk ishte tabu, por ishte e pazhvilluar, vetë ngushtësia e vendit, ashpërsia e njerëzve që krijohej prej halleve të jetës, e zbehte.

Ç’ndodhte me këta të rinj shqiptarë që gjendeshin befas në këto vende?

Po të marrim nga vendet lindore, më të zhvilluarat ishin Polonia, Hungaria Çekia, Rusia, kishte një gjë të veçantë. Dy qytetet kryesore ku kishte studentë shqiptarë, Moska dhe Leningradi ishin si parajsë për studentët, kishin lirinë morale, sepse Rusia në atë kohë bashkë me vendet e tjera kryesonte liberalizmin. U dënuan krimet e Stalinit. Atëherë ka qenë një habi, që si është e mundur që një sistem komunist të dënojë krimet e veta. Imagjinoni të ndodhte kjo në Shqipëri, që vdiq sunduesi, vjen pasardhësi pas 6 muajsh dalin pëshpërimat e para që janë bërë krime dhe se do të dënohen. Pastaj ndodh një kongres që i dënon zyrtarisht. Imagjinoni çfarë do të ngjaste në Shqipëri po të ndodhte kjo. Studentët që shkonin nga vende të vogla të mëdha përfitonin shumë nga kjo.

Ishin femrat ruse më të disponueshme apo tërhiqeshin më shumë nga të huajt?

Vajzat ruse, kanë namin e vajzave për dy gjëra, shumë të bukura përgjithësisht dhe kryesisht ishin shumë të ëmbla dhe shumë femërore.

Edhe mendje-hapura?

Pa diskutim edhe të emancipuara. Ishte pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Tërheqja me të huajt, luanin me faktin se ishin më të çlirëta nga ana psikologjike. Kishin disa vlera të padiskutueshme universale. Mua më ka ardhur keq pardje, se një miku im më thotë se më kujtohet se kur po bëhesha gati të shkoja në Moskë, se më tha Kadareja se kujdes se janë spiune vajzat. Kurrë unë se kam thënë këtë gjë të tillë. Se unë kam guxuar të shfaq admirimin për vajzat ruse në atë kohë.

Po pasiqë u rikthyet në Moskë a gjetët të njëjtën atmosferë?

Sigurisht. Unë kam pyetur edhe të huajt kur rikthehen, se gjejnë një atmosferë disi të ndryshuar. Ata thoshin se ka një adaptim të jetës ruse ndaj asaj perëndimore, jo për mirë. Kanë një nam të mirë vajzat ruse.

A keni qenë një koleksionist femrash në atë kohë?

Jo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam koleksionist

Madje nga librat tuaj, perceptohet se nuk e pëlqenit të thonit se ishit poet, madje e fshihnit?

Kjo përshtypje është krijuar nga ky film. Se të japësh 3-4 vajza rresht duket si koleksion.

Ju talleni pak me shkrimtarët sovjetikë, por a mos keni rënë edhe ju në këtë kurth dhe në vetvete ishit një lloj koleksionisti?

Po jam tallur edhe me veten. Në një libër kam nxjerrë veten se si një idiot bëra këtë gjë. Por koleksionimi është varfëri. Ato mund të kenë vërtetë femra, por që të mburresh është mjerim. Ka shumë meshkuj që duan të flasin, të reklamojnë, është në të gjithë botën si fenomen, ç’t’i bësh.

Ju nuk e keni pasur këtë pasion?

Unë këtë pasion nuk e kam pasur. Fakti që në librin tim, “Muzgu i perëndive të stepës” që e shkrova sapo u ktheva nga Moska, unë e kam ironizuar këtë gjë, e kam nënkuptuar.

Por kur keni qenë në Moskë, keni rënë edhe ju prè?

Po sigurisht që kam rënë. Është psikoza e shokëve. Çfarë është kjo psikozë? Është e shtunë, ikim e dalim për qejf. Ti nuk do se ke lënë takim me vajzën që të pëlqen shumë. Por presioni shoqëror është kaq i fortë tek të rinjtë, sa thonë: prapë ti me atë? Hajde gjejmë një tjetër. Të gjesh një tjetër, të rri mendja tek ajo. Është një budallallëk i pafund. Mirëpo të rinjtë, bien në këto psikoza. Unë e kam kuptuar që ishte një marrëzi, derisa e shkrova.

Po kur u kthyet në Shqipëri, nga gjithë kjo jetë e hapur në Moskë, si e gjetët realitetin shqiptar?

Shumë të trishtuar nga çdo pikëpamje. Të vish nga Moska në vitet ’60 që ishte një festë e vazhdueshme. Instituti Gorki në Moskë, ka qenë në qendër, fasada e jashtme e bukur, ti ishe i huaj, nuk hyje në thelbin e problemeve apo jetën e tyre.

Ju keni treguar se keni qenë edhe në shtëpitë e vajzave, në familjet e tyre….

Të gjitha vajzat të ftonin në shtëpi. Kishin shumë qejf.

Shkonit?

Po.

Ishin njerëz të ftohtë?

Jo të ftohtë, po të huaj. Ato shikonin me kuriozitet, me çudi. Rusia ishte vend i madh, nuk dallonin shumë, të huajt i fusnin në një kategori, dhe kishte paragjykim për të huajt, mosbesim. Vajzat e thyenin këtë gjë, ishin si misionare. Kishin një rast për të shprehur atë dhembshurinë e tyre, u dukej se ti je atje, ata janë të gjithë mosbesues, sikur i thonin vajzës, ç’t’u desh që u ngatërrove me një të huaj. Të them diçka që nuk e kam thënë kurrë, më kujtohet më çoi një vajzë tek shtëpia e saj. Ishin të kulturuar, shumë më shumë se ç’prisja unë. Ishin nëna, babai dhe gjyshja. Më pyetën nga je? Nga Shqipëria. Më thanë, i juaji është Gjergj Kastriot Skënderbeu?. Po i thashë. Më habiti pak, se nuk para njihej dhe shkoi në raftin e bibliotekës dhe gjeti tregimet e librin anglisht dhe e shfletoi e u kujtua. Pra kishte zbulime të papritura.

A e paragjykonin rusët Shqipërinë?

Jo, nuk e njihnin shumë. Për rusët mendimi ishte rozë për Shqipërinë, përgjithësisht. E përfytyronin pranë Italinë. Për Italinë çuditërisht kishte një respekt tradicional.

Shqipëria hynte në këtë admirim?

Donte nuk donte edhe Shqipëria hynte këtu.

Në kujtimet e saj, zonja Kadare, përmend disa incidente që ju keni pasur në jetën tuaj bashkëshortore. Nuk janë shumë, diku tek 5 faqe. Përse një person duhet të tregojë historitë, uljet dhe ngritjet e jetës bashkëshortore?

Ka disa modele kur shkruhen kujtime të tilla. Një model është ai tradicional, ballkanas. Zakonisht shkruajnë gratë për burrat, kurse burrat për gratë ndodh shumë rrallë. Kjo është universale dhe po vazhdon. Një model është që burri del si model i virtytit, mençurisë, moralitetit, etj. Është një model pothuajse i diskretituar, sepse është skematik. Çfarë janë këto familje që jetojnë si në parajsë? Që çdo gjë shkon vaj, ose tregojnë vetëm vuajtje politike. Modeli i kundërt është që burri është një horr i madh, aventurier që i ka dalë emri në 50 gjyqe, 3 divorce, etj. Ky ndodh sot dhe po është aq i mjerueshëm sa tjetri sepse shfrytëzohet skandali për njohje. Është edhe një zgjedhje e mesme që është më e besueshme, realiste dhe tregon atmosferë të vërtetë dhe të besueshme. Nuk ka familje që të mos ketë acarime, dyshime, keqkuptime. Nuk ka të tilla. Disa dihen nga çiftet, disa nuk dihen. Ju më thatë, ka pesë faqe. As 1% nuk ka në këtë libër, faqe të ashtuquajtura rozë.

Gjithsesi njerëzit nuk janë mësuar me histori të tilla kur dikush i përmend?

Nuk janë dhe histori, se unë nuk di të ketë një histori serioze atje, dramatike. Që unë shkova të jetoj me një grua tjetër, me zor u pajtuam, morëm avokatin apo bëmë skandal.

Ka rrëfime xhelozie të gruas tuaj…

Këto janë të padenja për t’u biseduar. Unë të them të drejtën nuk do të kisha dëshirë të flisja për to. Janë qesharake në krahasim me një jetë njerëzore. Si mund të quhet një keqkuptim, a, b apo c, të quhet dramë mes çiftit. Çiftet tona që vriten dhe priten për këto probleme, çdo t’i quajmë.

Shtypi botoi shumë emra pas publikimit në faqet e para…

Ato ishin përrallat më të marrëzishme që kam lexuar në jetën time. Nga më absurdet. Janë qenie njerëzore, që nuk ekzistojnë në këtë botë. Sepse janë personazhe librash. I marrin personazhet në librat e mi dhe i kthejnë në gra.

Kam përshtypjen se ju nuk keni shkruar shumë për dashurinë?

Kjo është e vërtetë. Dhe kjo tregon se unë kam qenë shumë i tërhequr nga kjo, i rezervuar. Më është bërë “vërejtje” nga kritika botërore që Kadareja merret pak me këto gjëra. Këto janë marrëzira, nuk është e denjë që ne të dy të flasim për to.

A u befasuat kur i patë?

Hiç fare. Çfarë ishin ato? Asgjë. Pse unë paskam vallëzuar me një vajzë në ditëlindje? E çfarë pastaj. Një dyshim. Mund t’i hiqte, me gërshërë dhe ja ikën.

Po pse nuk i hoqët, apo menduat se ishin të parëndësishme?

Ishin kaq joserioze në një libër, sa që nuk e menduam fare. Ishin gjëra fare normale për një çift. Ishte joserioze të merreshe me to. Unë s’e mendova fare. Botuesi francez, tha të ketë diçka, sepse publiku perëndimor nuk di asgjë ç’ndodh në këto familjet shqiptare në komunizëm. Si janë? Na mendojnë se jemi nëpër aksione, duke ulëritur tërë ditën, duke u vrarë, burgosur. Por ka dhe një jetë normale që ata janë të etur ta dinë. Dhe ndoshta kjo ka ndikuar. Ai ka biseduar me Helenën kur ka dhënë materialet që të ketë pak nga këto gjëra. Të mësojmë, sepse ishte shumë tërheqëse për ta qëndrimi i familjes së Helenës ndaj meje. Sepse në Perëndim kjo është e kapërcyer, u dukej çudi.

Pra kur patë gjithë këto emra…

Gra që nuk ekzistojnë as si emër, as si qenie, që nuk i kam njohur kurrë. Gratë që kam njohur kanë qenë mikesha të familjes, ato emra që dolën është turp të flasësh për to.

A keni qenë ju gjatë jetës tuaj një mashkull i interesuar për femrat?

Unë kam qenë një mashkull normal për femrat që më pëlqenin si çdo njeriu tjetër. Natyra ime ka qenë përgjithësisht e rezervuar, e përmbajtur dhe jo grykëse, asnjëherë. Statusi i një shkrimtari të njohur që unë e fitova shumë shpejt, të detyron të kesh një sjellje edhe më të përmbajtur.

Por ama edhe të jesh i rrethuar me admirim…

Tjetër punë ajo. Ti do të bësh sikur nuk e vëren atë admirim sepse bëhesh qesharak. Sepse në qoftë se po të ecësh në rrugë do të gjenden gjithmonë 3 vajza, që kërkojnë autografë, kërkojnë fotografi dhe në qoftë se ti ngazëllehesh nga kjo gjë, të ndritin sytë e jep shenja, ti do s’do duhet të jesh i përmbajtur. Të detyron statusi i shkrimtarit të njohur që ti të bësh sikur nuk e vëren këtë gjë, dhe të bëhet natyrë e dytë. Nuk të shkon ty ajo gjë, sepse është fare pa dinjitet. Është një detyrim, humbje lirie, që të vjen, të paguash taksën e njeriut të njohur. Në atë kohë ishin më të rrallë njerëzit e tij. Je i detyruar të vendosësh një mbrojtje.

A keni qenë në jetën tuaj i provokuar nga femrat?

Jo. Unë e di ç’do të thotë një ngacmim femëror. Është shumë e natyrshme. I kam mbushur mendjen vetes, se kjo nuk ka pse të më krijojë mua asnjë trysni të brendshme.

Zoti Kadare, pati edhe një reagim të kundërt. Pati njerëz që këto përmendje emrash, u xhelozuan se ju japin pamjen e një mashkulli të suksesshëm?

E para unë nuk kam moshë për këto. T’i kthehem kësaj historie është një budallallëk. Por ka një të vërtetë në mes, ka shkrimtarë ose krijues, të cilët përpiqen ta mbushin atë që mungon në veprën e tyre, peshën, seriozitetin, njohjen, shitjen me këto që thamë, episodet rozë, skandalet. Siç ju thashë, ka shkrimtarë që ndahen nga gratë dhe e shfrytëzojnë këtë situatë për 15 vjet shitje librash. Aq sa lexuesi thotë po boll se u ngopëm me këto, tani duam disa të tjerë që ndahen. Dhe shkruajnë gratë nga njëra anë, burrat nga ana tjetër, sa i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.

Pse kjo nuk ju ngjall ndonjë interes?

Një shkrimtar serioz nuk ka nevojë për këto, kurrë. Kjo është një varfëri. Por ka njerëz që ju duket se janë në qendër të vëmendjes me këtë, është një snobizëm i lejueshëm njerëzor. Është vanitoz. Shumë njerëz kanë qejf të jenë në qendër të vëmendjes, deri tek kriminelët dhe vrasësit, kanë kënaqësi kur dalin në televizor, deri këtu shkon puna. Është në natyrën e njeriut. Është një gjë e mjerueshme.

A keni parë ju, apo keni pasur frikë gjatë viteve të diktaturës, që keni qenë një shkrimtar i njohur, se femrat, provokimet e tyre mund të kenë qenë të futura nga sigurimi?

Më ka shkuar mendja sepse ishin histori që qarkullonin. Çdo njeriu i shkonte në mendje.

Kjo pengonte marrëdhëniet normale me to?

Nuk kishte nevojë të pengonte, por …

I ka përdorur regjimi komunist këto metoda?

Duhet t’i ketë përdorur.

Po në Bashkimin Sovjetik?

Me siguri i ka përdorur. Janë të njohura rastet, sepse rusët i kanë përdorur shumë. Ka qenë kaq e njohur kjo.

A ka pasur gra të rëndësishme në jetën tuaj?

Nuk e kam menduar këtë gjë. Në radhë të parë është gruaja ime sigurisht.

Si ka qenë jeta juaj me Helena Kadarenë?

Ka qenë një jetë përgjithësisht e pasur, harmonioze, aq sa është harmonioze një jetë e gjatë e një çifti. Mund të ketë pasur acarime si çdo familje. Ne nuk kemi pasur asnjëherë një krizë serioze. Madje serioze është një fjalë shumë e rëndë, ne nuk kemi pasur asnjëherë krize.

Madje është përdorur edhe fjala divorc së fundmi nga shtypi…

Kemi qeshur të dy kur e pamë që u përdor fjala divorc.

A jeni i lumtur sot pas shumë vitesh nga njohja me të?

Sigurisht që jam i lumtur. Ndonëse nisi kështu si e rastësishme, ka qenë shansi im në jetë.

Në kujtimet e saj, zonja Kadare tenton të sqarojë edhe një opinion që ka qarkulluar në Shqipëri para viteve ’90, që ju nuk keni qenë asnjëherë modest, por mendjemadh e gati – gati arrogant. A është e vërtetë që ju jeni pak i ftohtë në raportet me njerëzit, shoqërinë?

Kjo ka dy anë. Unë mund ta kem këtë cen apo mungesë. Njerëzit kështu ndahen, në disa më të ngrohtë apo të ftohtë. Gjatë gjithë perandorisë komuniste, ne shkrimtarët i jemi nënshtruar një trysnie e presioni të neveritshëm në lidhje me modestinë. Çdo tirani në botë nuk duron dot dinjitetin e krijuesit, shkrimtarit, filozofit, artistit, piktorit, fizikantit etj. Nuk duron dot autoritet paralel ndaj shkrimtarët kanë qenë nën survejimin e pushtetit si konkurrent, si forcë alternative. Dhe kjo shprehej me parullën e neveritshme të modestisë, se shkrimtari duhet të jetë modest, duhet të shkojë në popull, të mësojë nga populli. Më fal, çdo të mësojë nga populli një shkrimtar, nuk ka gjë më qesharake. Çfarë do të mësosh? Kjo vetvetiu të krijon një reagim kundër kësaj. Unë jam shkrimtar, çfarë je ti që më jep këtë këshillë. Po jam mendjemadh meqë e quan mendjemadh ti, sepse jam dinjitoz dhe duhet të quhem mendjemadh.

Të njëjtën akuzë keni pasur edhe me politikën. Zonja Kadare thotë se ju keni qenë indiferent ndaj politikës, ose i ftohtë në marrëdhënie me politikanët…

Kjo është një cilësi që buron nga brenda, nga profesioni. Në qoftë se ti je një krijues serioz, ti krijon një botë paralele, do apo s’do krijon një konflikt të heshtur, të mbuluar me strukturat shtetërore. Kështu që do të jesh vetvetiu i ftohtë në këtë. Unë nuk jam kundër politikës.

Ju intereson personalisht politika?

Më intereson aq sa i intereson qytetarit në përgjithësi, aq sa lidhet me fatet e vendit, me të cilat letërsia do apo nuk do lidhet. Por unë jam kundër modës, që politika është e poshtër, prostitutë, që politikanët janë kështu ose ashtu. Është një fatkeqësi në qoftë se politikanët janë kështu apo ashtu. Në fund të fundit, për mua si njeri i qytetëruar, shkrimtar, krijues, politika është një gjë normale. Politika vjen nga fjala police që është qytetari, ndërgjegje qytetare, dihet se në antikitet kur janë vënë rregullat e para të demokracisë, themelet ishin dy institucionet e mëdha që drejtonin qytetin. Ishin demagogët, që ishin politikanët në atë kohë dhe hipokritët që ishin aktorët, quheshin të tillë se luanin. Kjo është burimi dhe nuk ka pse të jesh kundër kësaj. E keqja është e këto janë deformuar.

Ka pasur në shtyp kritikë ndaj jush që thonë se ju keni tentuar të hyni në politikë para viteve ’90. A është e vërtetë kjo?

Kjo nuk është fare e vërtetë. Janë fantazi e njerëzve që ngrihen dhe ngrysen me ëndrrën për të pasur pushtet. Dhe ai s’mund ta besojë kurrë që ka njerëz që nuk duan pushtet. Dhe unë nuk jam i vetmi, ka plot të tillë. Mirëpo ai që jeton me këtë, nuk e beson dot kurrë. Kohët e fundit, se më ngjallet mua herë pas here ky thashetheme, thuhet se Kadare do të bëhet President. Thotë që jo, po aty e ka mendjen, shprehen. 1000 vjet sikur të jetoj mua s’do më shkojë mendja kurrë për këtë gjë dhe nuk më ka shkuar kurrë. Jo se jam njeri i jashtëzakonshëm nga ana morale apo etike, por sepse nuk është natyra ime kjo.

Ç’domethënë nuk është natyra juaj?

Nuk është natyra ime.

Ka shkrimtarë që janë bërë presidentë….

Po ka sigurisht. I vetmi i suksesshëm në këto kohë është Haveli, që ka qenë një shkrimtar me aktivitet letrar të admirueshëm. Është presidenti Evropian që meriton admirimin tonë dhe një statujë në mes të Tiranës, për qëndrimin që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ishte dramaturg shumë i mirë. Ju siguroj që mua kurrë nuk më ka shkuar mendja për këto poste. Jam i bindur edhe i stërbindur që edhe po të ma kërkojnë, edhe sikur të ma quajnë krim, unë nuk do ta pranoj këtë gjë dhe do ta marr përsipër se do të më falni por krim nuk e marr dot përsipër.

A është e vërtetë që Edi Rama jua ka kërkuar disa herë këtë?
Jo jo, nuk është e vërtetë. Kujtimet e time shoqeje janë keqinterpretuar. Gjatë një vere, në vitin 2007 kanë marrë njëri pas tjetrit për të ma propozuar këtë gjë, tre njerëz. Kanë qenë Edi Rama me e-mail, meqenëse nuk kishim muhabet bashkë, e quajti jokomode të më drejtohej direkt në telefon. Iu drejtua Helenës, e kishte më lehtë. Pas gjysmë ore, ose 40 minuta, ka marrë Sali Berisha me të njëjtin propozim. Madje ende sot unë nuk e di, a kishte ndonjë konsulencë të përbashkët apo jo. Edi Ramës, iu dha përgjigje nga Helena, se nuk ka asnjë shans. Berishës ia dhashë vetë, se do të më kuptoni, nuk është për mua, mos kini shpresë tek kjo gjë, hiqni çdo parashikim. I treti ishte At Zef Pëllumbi në prag të vdekjes. “Biri jem”, – tha, “pranojeni për të mirën e kombit”. Me një zë që unë edhe sot nuk e harroj, se ishte shumë prekëse, që një njeri që ndahej nga kjo botë kishte merak për kombin dhe i dukej se unë mund t’i jepja një zgjidhje. Unë i dhashë një përgjigje jo, por shumë më të zbutur sigurisht se sa të tjerët, ai me zor merrte frymë. Njerëz që kanë qenë aty tek shtrati i tij kur ai ma bëri këtë kërkesë, ma pohuan për kënaqësinë time atë interpretim që i dhashë unë. Këtu u mbyll kjo histori përgjithmonë. Por historia nuk mbyllet në kokat e të tjerëve. Ndaj përfitoj nga ky rast ta them se është një vendim i prerë dhe i stërprerë.

Ju keni pasur një takim shumë të përfolur me Enver Hoxhën. A mos duket se nga ky takim, ndryshe nga komentet shumë kritike që ju keni bërë, del shumë pozitiv dhe me ngjyra rozë në kujtimet dhe mënyrën si keni rrëfyer?

Ka dy rrëfime, është e vërtetë ajo që kam shkruar unë. Por ju harroni dhe të gjithë harrojnë se ai kujtim është shkruar kur Enver Hoxha ishte gjallë në ’84-ën. Komiteti Qendror i PPSH organizoi një thirrje që njerëzit që kanë takuar Enver Hoxhën të shkruajnë. Pra e detyruar. M’u drejtuan dhe mua, që “shoku Kadare ju e keni takuar dhe duhet të lini një përshtypje”, pa asnjë ndërhyrje se si duhet bërë kjo. Unë kam shkruar rreth 10 faqe dhe i dorëzova. Ato janë botuar disa herë dhe janë shkruar në këtë kushtëzim, që ai do t’i lexonte. Unë nuk mund të shkruaja që përpara meje ishte ai, njeriu sundues prej të cilit varej fati, etj. etj. kam shkruar në mënyrë kronikale atë që ndodhi. Çfarë bisede bëmë? Unë nuk kam folur në atë takim, ai foli vazhdimisht, ato që ka thënë janë të vërteta, ato që kam thënë unë për ato që tha ai, po ashtu janë të vërteta.

Ju mendoni se ishte vetë Enver Hoxha i interesuar për t’i lexuar këto mendime?

Këtë nuk e di. Gjëja e parë që mendova kur shkrova, ishte që disa do t’i lexojnë. Ime shoqe ka përshkruar pak a shumë që është e njëjta gjë.

Por ju jeni përfshirë në komentet në atë që mund të quhet deviacioni seksual i Enver Hoxhës, homoseksualizmin e tij. Madje keni pasur edhe një replikë me Arshi Pipën…

Kjo është bazuar e gjitha në moskuptim, keqkuptim, apo mashtrim nuk e di. Unë nuk jam marrë kurrë me këtë gjë. Në këtë gjë më ka futur një replikë me Arshi Pipën. Sepse ai për të më bërë nder, sipas mendjes së tij, që në vitet ’80 shkroi që Kadare në “Kronikë në gur” ka folur indirekt, tërthorazi, por pothuajse hapur për homoseksualizmin e Enver Hoxhës. Kjo nuk është e vërtetë, as më ka shkuar ndër mend. Libri është, është botuar pesë herë, si paskam folur, ku është? Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend. Thashethemet kanë qarkulluar. Në mendjen time, kjo ka qenë gjëja më e parëndësishme, në të gjitha kuptimet. E para është e pavërtetuar dhe kjo nuk i heq apo vendos asgjë personazhit historik. E çfarë po të ishte? Hiçgjë. Për një mendje të prapambetur do të ishte ndonjë gjë. Unë kurrë nuk jam marrë me këtë, sepse të merresh me këtë gjë, do të thotë që të mos merresh me thelbin e një sundimi. Kjo gjë, jo vetëm që s’i bën dëm, por ka mundësi të krijojë simpati për të në Evropën e sotme. Sepse kjo të jep idenë e një njeriu të ndryshëm, që ka guximin t’i kapërcejë tabutë. Ky thashethem nuk është përhapur aq shumë, sepse nuk është marrë me seriozitet, por aq sa është përhapur po njerëzit thonë po mirë, paska qenë interesant. Sigurisht për një mentalitet provincial do të thoshin që ou, pa shiko s’e dinim. Unë nuk jam marrë kurrë me këtë. Më duket e padenjë si bisedë, se na tregon vogëlsinë tonë para historisë. Të kujton pak a shumë anekdotat për Skënderbeun, Ismail Qemalin. Pse ky qenka faji i tij (Enver Hoxhës)?

Në kujtimet e zonjës Kadare thuhet se ju jeni takuar në vitin 1981 me Martin Camaj, i arratisur. Si u takuat me të?

Është meritë e tij. Unë kam qenë në Frankfurt i ftuar nga panairi i librit dhe ishte hera e parë që Shqipëria pranonte të çonte një delegacion. Ishte e shkruar që prania ime ishte e detyrueshme. U pranua. Drejtori i panairit më thirri për takim kokë më kokë në drekë dhe shpjegoi misterin. I jam drejtuar vetë, – tha, – Enver Hoxhës, duke i thënë shpresë për botimin e veprave të tij. Ky drejtor, djallëzor, iu drejtua me këtë shkresë dhe këtu shpjegohet misteri pse Shqipëria mori pjesë. Pas kësaj filloi botimi i veprave të tij në Zvicër dhe u botua një pjesë e veprave të tij. Martin Camaj erdhi në Frankfurt dhe në një konferencë u paraqit dhe më tha, unë jam Martin Camaj, a më njeh? Po i thashë. Biseduam në këmbë 3-4 minuta. Jam shumë i gëzuar që ju takoj tha, kaq. Më vonë unë kam pasur shkëmbim mendimesh me të, nëpërmjet ish ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, Verner Daun, ai filloi të vinte në Paris më sillte lajme prej tij, i çonte mendimet e mia atij. Dhe jam i lumtur t’i transmetoj mendimin tim për novelat e tij. Ai u gëzua shumë dhe na ftoi për drekë. Caktuam dhe drekën, por ai vdiq një javë para saj dhe nuk u takuam kurrë.

Si erdhi lajmi në Shqipëri që ju u takuat me të?

Nuk e di se si u mor vesh. Unë them se veç prej atyre që quheshin miqtë gjermanë se nuk ka njeri tjetë

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion