Arrestimi nga policia e Tiranës, i Mirsad Kuçanës dhe më pas lënia në burg e tij nga gjykata ka sjellë reagimin e vëllait të Mirsadit, Suad Kuçana.

Ky i fundit jeton në Gjenevë të Zvicrës dhe gjatë një komunikimi në telefon, Suad Kuçana, se vëllai i tij Mirsadi ka kryer një veprim të nxituar duke mos iu  bindur policisë, por sipas tij ky veprim, nuk është në kushtet ekstreme për t’u mbajtur në burg vëllai i tij.

Suadi, rrëfen se jeton së bashku me Mirsadin në Zvicër dhe kishin ardhur në Shqipëri për të kryer një vizitë tek dentisti, pasi shërbimet mjekësore për rregullimin e dhëmbëve, i kryejnë në Shqipëri dhe jo në Zvicër.

Mbëritja në Shqipëri është bërë ditën e enjte në datën 12 mars, pasi skishin lënë takim me dentistin.

Por si pasojë e mbylljes së qëndrave mjekësore nga qeveria, Suadi është vendosur në Zvicër disa ditë më pas ndërsa vëllai i tij Mirsadi ka qëndruar dhe për pak ditë në Shqipëri dhe më pas do rikthehej sërisht në Zvicër.

Por ndalimi nga policia në datën 17 mars 2020, ka prishur të gjitha planet e tij, për tu rikthyer në Zvicër, ku kishte planifikuar dhe festën për ditëlindjen e vajzës së tij, që mbush 1 vjeç.

Sipas vëllait, Mirsadi nuk ka respektuar urdhrin e policisë për tu shoqëruar dhe më pas vetëkarantinuar, pasi ishte identifikuar prej tyre si individ që kishte hyrë në Shqipëri nga Zvicra dhe rregullorja e kërkonte që ai të mos lëvizte por të vetëkarantinohej.

Suad,si ka ndodhur ngjarja mes vëllait tuaj, Mirsad Kuçanës dhe forcave të policisë që kishin ngritur një postobllok?

Ka qenë një mosmarëveshje mes punonjësve të policisë dhe vëllait.

Unë së bashku me Mirsadin, kemi ardhur në Shqipëri nga Zvicra për të kryer disa shërbime dentare.

 Mbëritjen në Shqipëri, e kemi bërë të enjten e kaluar. Pasi kemi mësuar se klinikat dentare, janë mbyllur me urdhër të shtetit, unë jam larguar në drejtim të Zvicrës me avjon, ndërsa Mirsadi, ka qëndruar disa ditë në Shqipëri.

 Ditën e ngjarjes, Mirsadi ka qënë në Tiranë për të marë një letër, pasi i duhej vëllait tjetër.

Ka patur vëllai autorizim nga policia, për të lëvizur me makinë nga Durrësi në Tiranë?

Lëvizja e tij me makinë ka qënë brenda orarit të lejuar nga vetë shteti. Ai nga Tirana po kthehej në Durrës, për në shtëpi.

Cili ka qënë debati me policinë rrugore?

Në zonën e sheshit “Shqiponja”, vëllai është ndaluar nga një postobllok policie dhe pikërisht nga ana e policëve i është bërë me dije se duhet ta shoqëronin ata, në mënyrë që ai të vetëkarantinohej. Kjo është e gjithë e vërteta dhe debati dhe ska asnjë lidhje historitë që shkruhen, jo ngjarja e Dajtit apo shoku i këtij apo i atij. Ajo është një ngjarje e mbyllur, ku vëllai ka marë pafajësi në Gjykatën e Apelit Tiranë. Pasi u provua se ishte në vendin dhe momentin e gabuar.

Pse nuk i është bindur urdhërit të policisë tek sheshi “Shqiponja”?

Është e vërtetë që nuk i është bindur. Ka qënë një veprim i nxituar i tij, por kjo nuk do të thotë që shteti të marë masa ekstreme për vëllain duke e mbajtur në burg, vetëm se nuk dëgjoi policinë. Policia i ka kërkuar të vetëkarantinohej pasi ishte person që kishte ardhur nga jashtë dhe kështu e kërkonte rregullorja. Vëllai në këtë moment ka bërë një veprim të nxituar duke vendosur të iki e më pas të ndiqet deri në Vorë nga policia.

Po sendet se sekuestruara si frangat, kartat bankare dhe makina?

Frangat zvicerane janë të tijat dhe Mirsadi i ka pasur me vete që kur është kthyer në Shqipëri. Makina nuk është në pronësi të tij, por në emër të kompanisë zvicerane ku Mirsadi vijon të punojë ende në Zvicër si emigrant.

Ndërsa kartat bankare janë të tij, karta që ai i përdor për shërbime të ndryshme pagesash në Zvicër.