Pas publikimit një ditë më parë të 4 varianteve të modeleve të fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur një sondash në faqen e saj facebook për të pyetur qytetarët se cila nga mënyrat e fletës së votimit është më e lehtë për ta dhe preferojnë.
Sondazhi do të jetë i hapur për 6 ditë dhe kanë të drejtë të votojnë të gjithë. Si shembull është marrë qarku i Tiranës që ka numrin më të madh të kandidatëve dhe fleta e votimit duhet ketë 36 emra kandidatësh përveç partive politike.
Kjo është hera e parë që ndodh, pasi më parë fleta e votimit nuk ka pasur shumë ndërlikime apo teknikalitete, por me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka ndryshuar edhe mënyra e votimit.
Sondazhi vjen pas shumë debateve për fletën e votimit, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjedhur të pyes dhe marrë përshtypjen nga qytetarët, që do të jenë dhe votuesit, para se të marrë një vendim përfundimtar se si do të duket fleta e votimit për 25 prillin.
Hapja e listave ka bërë që qytetarët të kenë mundësi për të votuar si për partinë, por edhe për kandidatin.