Edhe pse sezoni turistik nuk është hapur ende zyrtarisht, Saranda po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fluksi i turistëve është i dukshëm si në shëtitore ashtu edhe në port, ku këtë vit ka pasur edhe shtim të mbërritjeve të kroçerave.
“Prevalojnë francezët deri në këtë moment, mosha të reja. Kemi holandezë kemi nga Britania e Bashkuar, gjë që vitet e kaluara kanë qenë sporadik, ndërsa sivjet shohim prezencë më të mire dhe padyshim edhe nga zona Skandinave. Sot kemi edhe një kroçere e cila ë është kroçerja e shtatë”, tha Arben Çipa, kreu i operatorëve turistikë.
Kreu i operatorëve turistikë Arben Çipa thotë se bizneset e shërbimit vlerësojnë se turistët e rinj shpenzojnë më pak se grupet tradicionale të pushuesve.
“Restorantet kanë shprehur një pakënaqësi në lidhje me konsumimin ose me shpenzimet e turistëve. Madje do të thosha se çmimet janë rritur që prej vitit të kaluar dhe jemi treguar pak më të logjikshëm dhe më kujdesshëm në lidhje me këtë çështje këtë”, shton ai.
Furnizimi me ujë të pijshëm gjatë muajve të verës vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore për qytetin.
“Shërbimi i ujit të pijshëm është diçka që nuk kemi kapacitetet. Normalisht do të lindin pakënaqësi kur nuk përmbushin kushtet dhe kërkesat e e qytetarëve. Pra, kapacitetet e prurjeve janë të kufizuara dhe mendoj se në qoftë se do të kemi probleme siç po shohim në zona të caktuara në këtë moment, problemet do të zmadhohen dhe do të jenë të dukshme për periudhën e korrikut dhe gushtit, pasi pritshmëritë e vizitorëve janë, janë të mëdha”, thotë Çipa.
Nga ana tjetër, investimet në infrastrukturë kanë ndryshuar ndjeshëm pamjen e Sarandës dhe veçanërisht të Ksamilit, i cili konsiderohet një nga shembujt më të suksesshëm të zhvillimit turistik në jug të vendit.
Komente









