Piku i sezonit turistik ka rritur ndjeshëm fluksin e pushuesve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrat shëndetësore verore në Shëngjin dhe Tale.

Që prej 1 gushtit, mbi 150 persona paraqiten çdo 24 orë për vizita, me numrin më të lartë të rasteve të regjistruara në Shëngjin.

Drejtori i Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, Elson Frroku, thotë se fluksi është përballuar pa probleme dhe medikamentet nuk mungojnë.

“Situata në qendrat shëndetësore si në Shëngjin vijojnë duke dhënë shërbim shëndetësor për të gjithë pushuesit. Stafi mjekësor janë në krye të detyrës çdo ditë. Referuar analizës krahasimore nga viti i kaluar është shtuar numri i pacientëve që kërkojnë shërbim mjekësor”, thotë Elson Frroku.

Një risi për këtë sezon është edhe aplikimi i tarifave për shërbimet shëndetësore ndaj turistëve të huaj.

"Risia këtë vit është vendosja e tarifave për të huajit", tha Frroku.

Qendrat shëndetësore verore në Shëngjin dhe Tale do të vijojnë punën deri në përfundim të sezonit turistik, duke garantuar asistencën e nevojshme për pushuesit që kanë zgjedhur bregdetin e Lezhës.