Udhëtimet jashtë vendit me avionë charter ka sjellë përplasje në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës. Duke iu referuar këtij të fundit si “shpifaraku më i ulët në historinë e Shqipërisë”, Rama ka nxjerrë statistikat duke bërë krahasim me vitet kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Rama thotë se shpenzimi i Berishës për një udhëtim jashtë vendit në vitin 2012 ishte 226.893 lekë të reja. Ndërsa për vitin 2020, Edi Rama thotë se shpenzimet e një udhëtimi ishin 193.331 lekë të reja. Në një postim në Twitter shkruan se ndjen neveri për ata që i cilëson si ‘gjobaxhinj dhe rublaxhinj të opozitës’ pasi tallen me publikun. Rama sqaron se udhëtimet e tij i kanë kushtuar taksapaguesve më pak se gjysma në kohën kur Berisha ishte kryeministër.  

“Si të mos ndjesh neveri për rublaxhinjtë e opozitës dhe gjobaxhinjtë e ekraneve, përhapës gënjeshtrash e shpifjesh, katranë me bojë që tallen me publikun! Shpenzimi mesatar vjetor i Kryeministrit për udhëtimet jashtë

2012 - 226.893Lek të reja

2020 - 193.331Lek të reja

Pra në 2 vite e 9 muaj të përdorimit të avionin promocional Albania me një marrëveshje të favorshme me Air Albanian, udhëtimet e mia u kanë kushtuar taksapaguesve mesatarisht më pak se gjysma e shpifarakut më të ulët në historinë e Shqipërisë, kur fatkeqësisht ishte kryeministër!” – shkruan Rama.

Një ditë më parë, Berisha u shpreh se kur ishte kryeministër, ka marrë vetëm 3-4 herë charter për konferenca biznesi dhe bileta i ka kushtuar rreth 2000 euro. Për herët e tjera shprehet se udhëtonte vetëm me linjë tregtare dhe asnjë me klas të parë apo biznes klas.

Për Ramën thoshte se udhëtonte me familjen dhe ka shpërdoruar paratë e taksapaguesve. Këtyre akuzave, kryeministri iu përgjigj duke thënë se Berisha që e cilësonte “Hiena non grata” udhëtonte 4-herë më shtrenjtë se paratë e shqiptarëve merrte edhe familjen me vete.

Por Berisha u shpreh se me familjen e tij s’ka udhëtuar kurrë me charter. Gjatë konferencës për gazetarët ish kryeministri Sali Berisha njoftoi se PD e Rithemelimit do të depozitojë në Kuvend edhe kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për Air Albania.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:31
Fluturimet me charter/ ‘Rithemelimi’: Sheiku Ahm- Ed Bin Rama Al Surrel më shumë udhëtime se Xhorxh Bush! I shkëputur nga realiteti

 

Opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bërë më shumë fluturime me çarter se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush. Kjo sipas deputetit të PD-së, Luçiano Boçi është tregues se si Rama është totalisht jashtë realitetit shqiptar.

“Sheiku Ahm- Ed Bin Rama Al Surrel, me çarter pas fundshpine, ka reaguar me breshëri pasi hakerat i zbuluan numrin e fluturimeve me avion-taksi.  Siç e ka zakon kur kapet ngushtë, ai fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore. 137 fluturime ka kryer zotëria e tij me avionin kryeministror, dhuratë e Erdoganit, pajë për zhbërjen e shkollave dhe llahtarisjen e fëmijëve shqiptarë.

 Dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One. Njeriu më i fuqishëm i botës ka kryer dy herë më pak fluturime në dy mandate se lideri më i pafuqishëm i Europës. Këtë të fundit nuk e thotë PD, ndaj i kërkojmë të mos zemërohet, por e thotë media e njohur Politiko.eu.

 Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri ynë është në hava-limanin  e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet.Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij”, tha Boçi.