BRAZIL- Një i apasionuar pas sporteve ekstreme ka fluturuar vetëm pak metra poshtë krahut të majtë të statujës së Krishtit në Rio de Janeiro.

Së bashku me një shokun e tij, Espen Fadnes fluturoi deri në lartësinë 2 kilometra me një aeroplan para se të hidhej. Dy të rinjtë ishin të veshur me një tutë speciale për t’i lejuar të fluturojnë.

Siç mund të shihet edhe në video, Fadnes kalon vetëm pak metra poshtë krahut të majtë të statujës. Fatmirësisht, gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar dhe pa probleme për të rinjtë.

Shoku i tij, Ludo Woerth fluturoi pak metra më sipër duke e filmuar të gjithë skenën me anë të një kamere të vendosur në gjoks.

Të rinjtë vendosën të provonin këtë numër gjatë orëve të para të megjesit për shkak të kushteve të përshtatshme atmosferike, si dhe për faktin se statuja nuk ishte hapur ende për vizituesit e shumtë që ngjisin malin çdo ditë për të vështruar këtë vepër arti.