Nëse një fluturim anulohet për shkak të mungesës së përkohshme të karburantit në aeroport, kompania ajrore nuk do të jetë e detyruar të paguajë dëmshpërblim për pasagjerët. Kjo është një nga masat që Bashkimi Europian po përgatit, sipas draftit të udhëzimeve të Brukselit për të përballuar situatën aktuale gjeopolitike, e cila ka sjellë ndërprerje të furnizimeve me karburant për avionë nga Gjiri Persik.

Dëmshpërblimet

Sipas Komisionit Europian, mungesa “lokale” e karburantit mund të konsiderohet si “rrethanë e jashtëzakonshme”, çka përjashton kompanitë ajrore nga detyrimi për të paguar kompensimin prej 250 deri në 600 euro për pasagjer, në varësi të distancës së fluturimit të anuluar.

Megjithatë, rimbursimi i biletës mbetet gjithmonë i detyrueshëm. Sipas ekspertëve të sektorit, në këto raste mund të mjaftojë edhe publikimi i një “Notam”-i, njoftimi zyrtar për operacionet ajrore.

Çmimi i biletave

Në një tjetër pikë të draftit, që ende mund të ndryshojë, Komisioni Europian sqaron se kompanitë ajrore “nuk mund të rrisin në mënyrë retroaktive çmimin e biletave të blera tashmë” për të kompensuar rritjen e kostove të karburantit, të cilat pothuajse janë dyfishuar krahasuar me fundin e shkurtit.

Paketat turistike

Për paketat turistike, Brukseli shpjegon se organizatori “mund ta rrisë çmimin deri në 8%” për shkak të rritjes së kostos së karburantit, por vetëm nëse udhëtari njoftohet “të paktën 20 ditë para nisjes”.

Përdorimi i karburantit amerikan

Komisioni Europian thekson se “situata në përgjithësi mbetet e qëndrueshme dhe aktualisht nuk ka prova konkrete për mungesë karburanti”. Por paralajmëron se, nëse konflikti zgjatet, mund të ketë ndërprerje në furnizime, veçanërisht për karburantin e avionëve. Për këtë arsye, Brukseli rikujton se nuk ka asnjë ndalim për përdorimin e jet fuel amerikan “Jet A”, i cili ndryshon lehtë nga standardi ndërkombëtar “Jet A1”.

Asnjë lehtësim për oraret aeroportuale

Komisioni Europian nuk ka ndërmend të ndryshojë rregullat për oraret e rezervuara të ngritjeve dhe uljeve në aeroporte.

Kompanitë ajrore do të detyrohen të përdorin të paktën 80% të këtyre orareve, edhe pse çmimet e karburantit kanë arritur nivele rekord dhe fluturimet janë bërë më pak fitimprurëse.

Masa të tjera në shqyrtim

Situata mbetet në zhvillim. “Nëse kriza aktuale do të përshkallëzohet deri në një skenar me mungesë të mundshme karburanti”, bën të ditur Komisioni Europian, “mund të merren masa të tjera për të garantuar vazhdimësinë e operacioneve të kompanive dhe funksionimin normal të zinxhirëve të furnizimit brenda BE-së”./CorrieredellaSera