FMN: Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet ndjeshëm këtë vit

FMN: Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet ndjeshëm këtë vit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.7% në vitin 2019, duke u ngadalësuar ndjeshëm në raport me 2018-n, ku rritja vlerësohet në 4.2%. Statistikat e reja të FMN-së janë publikuar në raportit e sotëm të “Pasqyrës Ekonomike Globale”. Lajmet nuk janë të mira as nga ekonomia globale dhe sidomos ajo europiane, nga e cila ne varemi dukshëm, teksa FMN pret që rritja të jetë më e ulët për 70% të globit. Italia, drejt të cilës shkojnë gati gjysma e eksporteve shqiptare pritet të rritet me vetëm 0.1% në 2019-s, sipas FMN-së, duke e ulur pritshmërinë me 0.5 pikë përqindje në krahasim me raportin e janarit. Për Shqipërinë, në krahasim me raportin e tetorit, FMN ka rritur vlerësimin për ekonominë në  2018-n, nga 4 në 4.2%, ndërsa ka mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për 2019-n.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, rritjen më të madhe në 2019-n pritet që ta ketë Kosova, me 4.2%, më pas renditet Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%. Për Turqinë, FMN parashikon një rritje negative prej -2.5%, ndërsa nga vendet e Europës Lindore, performancën më të mirë pritet që ta ketë Polonia, me 3.8%. Në afat të mesëm, FMN nuk është shumë optimiste për zgjerimin ekonomik të vendeve të rajonit. Ekonomia shqiptare nuk pritet të rritet më shumë se 4% deri në vitin 2024, së bashku me atë të Kosovës, ndërsa për shtetet e tjera, shifra do ë variojë midis 2.9 dhe 3.8%.

Sipas institutit shqiptar të statistikave, INSTAT, në vitin 2018, sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia e vendit u rrit me 4.06%, duke u përshpejtuar në raport me 3.8% vitin e mëparshëm. Rritja ishte mbi 4% në tre tremujorët e parë, për shkak të performancës së energjisë, që rriti prodhimin e ndikuar nga moti me reshje, ndërsa në të katërtin, kur ishte thatësirë, treguesi u ul ndjeshëm në 3.1%. Për shkak të mungesës së efektit të energjisë dhe ngadalësimit të investimeve, teksa dy projektet e mëdha gazsjellësit TAP dhe HEC i Devollit janë drejt mbarimit, institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia të ngadalësohet në 2019-n.

Projeksionet globale, FMN pesimiste
Një vit më parë aktiviteti ekonomik po përshpejtohej pothuajse në të gjitha rajonet e botës dhe ekonomia globale parashikohej të rritet në 3.9 për qind në 2018 dhe 2019. Një vit më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar, thekson FMN në raportin e “Pasqyrës Ekonomike Globale” të muajit prill: shkallëzimi i tensioneve tregtare mes SHBA-Kinë, stresi makroekonomik në Argjentinë dhe Turqi, problemet me sektorin e automobilave në Gjermani, politikat më të forta kreditore në Kinë dhe politika e shtrënguara financiare, kanë kontribuar në një zgjerim ndjeshëm më të ulët global, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2018. Me këtë dobësi që pritet të vazhdojë në gjysmën e parë të vitit 2019, FMN parashikon një rënie të ritmeve të rritjes në vitin 2019 për 70 për qind të ekonomisë globale.

Rritja globale, e cila arriti kulmin në afro 4 për qind në 2017, u zbut në 3.6 për qind në 2018 dhe parashikohet të bjerë më tej në 3.3 për qind në 2019. Megjithëse një zgjerim global prej 3.3 për qind është ende i arsyeshëm, perspektiva për shumë vende është shumë sfiduese, me pasiguri të konsiderueshme në periudhën afatshkurtër, sidomos kur normat e rritjes në ekonomitë e pëparuara po konvergojnë drejt potencialit modest të tyre afatgjatë. FMN pret një përmirësim të ekonomisë globale në gjysmën e dytë të 2019-s dhe përshpejtim në 3.6% në 2020.

Euro zona
Eurozona u ngadalësua më shumë se sa pritej, thotë FMN, si rrjedhojë e një kombinimi faktorësh (1) dobësimin e besimit të konsumatorit dhe të biznesit; (2) vonesat që lidhen me futjen e standardeve të reja të emetimit të karburantit për automjetet me naftë në Gjermani; (3) pasiguria e politikës fiskale, rritja e diferencave të interesave sovrane dhe ngadalësimi i investimeve në Itali; dhe (4) protestat në rrugë që penguan shitjet me pakicë dhe ndikuan shpenzimet e konsumit në Francë. Rritja e shqetësimeve për një Brexit pa marrëveshje ka të ngjarë gjithashtu të peshojë mbi shpenzimet e investimeve brenda zonës së euros. Pas një rritje të dukshme në vitin 2017, eksportet e ekonomive të Eurozonës u ngadalësuan ndjeshëm, pjesërisht për shkak të tregtisë së dobët brenda zonës së euros, gjë që përkeqësoi më tej besimin e dobët në të gjithë zonën e monedhës së përbashkët. Zona Euro pritet të rritet 1.3% në 2019-n, duke e ulur pritshmërinë me 0.3 pikë përqindje, sipas FMN./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja