A do të ndryshojë projektligji i amnistisë fiskale? Report TV zbardh dokumentin me kritika të Shoqatës së Bankave: Saktësoni detyrat e institucioneve

Mbyllja e sesionit të gjashtë të legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Shqipërisë, nuk e konkretizoi me miratim nismën e qeverisë për amnistinë fiskale.

Me kërkesë të qeverisë amnistia fiskale u shty për shqyrtim dhe miratim për në muajin shtator pasi kritikat dhe paqartësitë ishin të shumta, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga grupet e interesit në vend.

Fillimisht Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe më pas Komisioni Evropian e kritikuan nismën e qeverisë, me argumentin se përbënte rrezik për pastrimin e parave.

Ndërsa Shoqata e Bankave në vend ka ngritur një sërë pikëpyetjesh. Në një raport me 8 faqe Shoqata ka kërkuar rishikim për shumicën e neneve duke kërkuar edhe një saktësim për pozicionet dhe detyrat e institucioneve.

Ngërçi kryesor në raportin e Shoqatës së Bankave është tek ngritja e njësisë Speciale pranë Drejtorisë së Tatimeve, dhe funksioni që ajo do të ketë. Kjo njësi sipas projektligjit do të ketë për detyrë marrjen e formularit të vetëdeklarimi, verifikimin e fakteve për të ardhurat si dhe gjurmimin e çështjeve.

Për verifikimin e mëtejshëm të fakteve kjo njësi speciale do të koordinohet me bankat dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Por në analizën e bërë nga Shoqata e Bankave për projektligjin të cilin Report TV e disponon thuhet se procesi i verifikimit të pasurisë të bëhet vetëm nga njësia, e cila duhet sipas shoqatës të përcaktojë edhe normën e tatimit që do të paguaj për deklarimin.

Analiza vijon më tej duke shtuar se Njësia duhet të lëshoj një autorizim për përfituesin, i cili e paraqet atë përpara bankës, dhe vetëm pas këtij procesi të mund të bëhet depozitimi i parave.

“Mendojmë se Njësia Speciale duhet të lëshojë një vërtetim, me të cilin prezumohen të kryera prej tyre detyrimet e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji dhe banka nuk do të kërkojë informacione apo dokumentacione lidhur me justifikimin e krijimit të fondit që do të depozitohet”, thuhet në vlerësimin e Shoqatës së Bankave.

Shqetësimi tjetër i ngritur është saktësimi i mënyrës se si do të parandalohet pastrimi i parave. Bankat thonë se duhet të saktësohet roli i tyre pasi në disa pika thuhet se duhet të respektojnë kuadrin ligjor për të mos lejuar këtë fenomen negativ ndërsa nga ana tjetër subjekteve nuk do t’ju kërkohet burimi për justifikimin e pasurisë.

“Nëse klienti, të hollat e legalizuara bazuar në këtë ligj, në të ardhmen, i nxjerr jashtë vendit me transfertë bankare, në rast të investigimeve të bankave korrespondente mbi burimin e krijimit të këtyre fondeve, çfarë informacioni duhet të japin bankat?”, është kjo pikëpyetja tjetër që ngre shoqata duke kërkuar sqarime të mëtejshme për të mos lënë vend për abuzime.

Kundërshtime dhe sugjerime të lidhura kryesisht me paratë që vijnë nga bota e krimit kanë edhe të gjitha grupet e interesit, si dhomat e tregtisë ashtu edhe ekspertët e fushës. Të gjitha këto shqetësime të ngritura pritet të sjellin ndryshim në tërësi të draftit të amnistisë fiskale, dhe të përfshihen në të edhe sugjerimet e bëra. Mundësia për ndryshimin e projektligjit u pranua edhe nga Kryeministri Edi Rama, në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report TV.

"Amnistinë fiskale do ta miratojmë, është një shtyrje e përkohshme, sepse do të bëjmë ca konsultime dhe ta konsolidojmë draftin, por do miratojmë", u shpreh kryeministri.

Amnistia fiskale pritet të zgjasë një vit dhe ligjësimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara tërësisht apo pjesërisht. Me regjistrimin e pasurisë, detyrimet tatimore të subjekteve përfitues, konsiderohen të paguara rregullisht, nuk do gjobiten, nuk do ndiqen penalisht, dhe nuk do të kërkohet justifikimi i burimit të ardhurave.

Për deklarimin e pasurive do të aplikohen tre fasha tatimi. Ata që deklarohen në 4 muajit e parë do të paguajnë tatim 5%, të dytët 7% dhe të fundit që deklarojnë pasurinë paguajnë 10%.Aktualisht kush deklaron pasurinë paguan 15% tatim mbi vlerën.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë me kritika të Shoqatës së Bankave

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mashkullori: 02/08/2020 17:06

    Keta persona qe do deklarojne parate e fshehura nuk duhet te taksohen per asnje menyre me pak se tatim paguesit e sotem ,15 perqind.Perndryshe kete veprim do tentojne te bejne dhe shume te tjere,me mendimin se mbas disa vjetesh do behet nje tjeter amnisti fiskale.Edhe duke u tatuar me shume se 15 perqind perseri perfituesit duhet te nghelen te kenaqur.Keta kane qarkulluar dhe rritur kapitalin e tyre me parate e fshehura,pa u ngarkuar me barren e kredise nese do kishin marre kredi prej bankave.... Une e kuptoj nevojen e shtetit per para likujditeti,por kerkoj dhe nje shtet i cili ben leshime,por jo ne kete fare feje,duke i privilegjuar ne vend se ti ndjeke dhe t'ju shtetezoje parate e shmangura prej ligjeve ne fuqi... Le te kujtojme se Al Kapone,nje kriminel i madh ne Amerike,u ndeshkua per shmangjen e taksave,sepse si kriminel nuk ja "dokumentonin"dot krimet...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër