VLORË- Një aksion blic i policisë së Vlorës, FNSH dhe forcave Shqiponja i nisur që prej mbrëmjes së djeshme dhe i përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm ka goditur grupin e rrezikshëm të Inez Hajrullës, por pa sukses për ta kapur këtë të fundit.

Në përfundim të operacionit ka blutë, është bërë i mundur arrestimi i Denis Karafilit si dhe shpalljen në kërkim të 4 miqve të tij të tjerë, Inez Hajrullës, OIsi Koçelit, Erand Hoxhjas dhe Klaus Islamajt. Operacioni i policisë solli edhe sekuestrimin e fishekëve, targave të vjedhura dhe veshje të radios si të policisë çka ka ngritur dyshimet se grupi i Hajrrullës mund të ishte duke u përgatitur për një ngjarje kriminale. Emri i Inez Hajrullës është bërë edhe më i njohur kur në vitin 2019, i shpëtoi mrekullisht një atentati në një skemë tipike eliminimesh mafioze.  Edhe Olsi Koçeli është emër i njohur për policinë,  33-vjeçari ka qenë i arrestuar më herët pasi u konstatua se qarkullonte me armë zjarri pa leje sëbashku me një person tjetër në qershor të 2022-it. Sidoqoftë, i riu nuk është një person i panjohur për policinë pasi edhe në vitin 2017 është vënë pas hekurave për ngjarjen e ndodhur më datë 15.04.2016, ku në lagjen "Ujë i Ftohte" ka plagosur me armë zjarri një 26 vjeçare, banuese ne Vlorë, për motive të dobëta. Gjithashtu Koçeli ka qenë në kërkim për kultivim e trafikim narkotikësh.

Dinamika e operacionit të policisë, si i shpëtoi Inez Hajrulla kontrolleve:

Mbrëmjen e djeshme forca të shumta policie, FNSH dhe ‘Shqiponja’ kanë bërë kontrolle të shumta të cilat nisën që prej orës 18:00 të mërkurën deri mëngjesin e sotëm. Për 30 minuta, policia bëri kontrolle në ‘terr’, ku ndërhyri në disa banesa.

Grupi i Hajrullës, u pikasën nga policia në lagjen ‘Pavarësia’ në Vlorë, ku ja bënë automjetit me të pestë personat brenda me shenjë që të ndalonte, por Denis Karafili, i cili ishte shoferi, nuk iu bind urdhrit të policisë. Mjeti tip ‘Toyota’ i drejtuar nga Karafili (i arrestuar), është larguar me shpejtësi nga vendngjarja por arratia e tij, ndryshe nga 4 miqtë e tij të bandës, zgjati shumë pak. Policia arriti të kapë 29-vjeçarin dhe shpalli në kërkim 4 të tjerët.

Gjatë kontrollit të banesave, policia sekuestroi në banesën e Olsi Koçelit dhe në biznesin e Denis Karafilit,  veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, fishekë dhe sende të tjera, që i shërbenin veprimtarisë së grupit kriminal ku këta persona bënin pjesë.

Po kush është Inez Hajrulla:

Emri i Inez Hajrullës është mjaft i njohur për shkak se ka qenë shpesh shënjestër e atentateve në Vlorë. Ai i ka shpëtuar një atentati më 10 maj të 2019-ës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Ai u ka shpëtuar më parë dhe dy atentateve të tjera në Vlorë. Inez Hajrullës i është bërë atentat me tritol edhe në vitin 2017. Ai ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje, i akuzuar edhe për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013. Hajrulla është shoqëruar dhe hetuar edhe për pengmarrjen dhe zhdukjen e Elvis Troqes. Lokali ku ndodhi në zonën që frekuentohej nga Edison Harizaj i vrarë në Durrës në 2018-ën. 27-vjeçari Hajrulla, djalë i biznesmenit vlonjat, Robert Hajrulla, njihet si person me rrezikshmëri në Vlorë.

Gjithashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Inezin në shërbim prove. Por në 28 dhjetor 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës me 8 muaj burgim për akuzën e “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga ana e policisë në 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, është shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla (Ini), ku ky shtetas është gjetur në banesë me paterica dhe me një këmbë. Ai u pyet në lidhje me rrethanat e hetimit, ku ka shpjeguar se më datë 17 korrik 2018, ka qenë në banesën e tij dhe rreth orës 16:30 ka dalë nga banesa ku ka ardhur dhe e ka marrë Denis Karafilin (i arrestuar) me automjetin “Golf 5” ngjyra e zezë dhe ka shkuar për të bërë fizioterapi, tek një klinik private në vendin e quajtur mbas “Market Conad”. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:02
Operacioni i FNSH në Vlorë, një prej të shpallurve në kërkim Inez Hajrulla, i shpëtoi një atentati në 2019

1677153778_163248434715802105901575737857InezHajrulla.jpg

Një prej të shpallurve në kërmim nga operacioni në Vlorë është edhe Inez Hajrulla. Inez Hajrulla njihet për të shkaurën e tij kriminale dhe që i shpëtoi një atentati në vitin 2019.

Çfarë ndodhi në vitin 2019:

Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, skemë tipike e eliminimeve mafioze, teksa ishte ulur në një lokal. Ai mundi t’i shpëtoj atentatit, por u plagos në mënyrë rastësore Dajko Cenodemaj që po pinte kafe. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko. Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur.

Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim Fatmir Hyseni, i kërkuar edhe si autor i ekzekutimit të Santiago Malkos, ngjarjes së ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko” disa vite më parë.

Ora 12:55
Vlorë, operacioni i policisë dhe FNSH-së, 1 në pranga dhe 4 në kërkim, pjesë e një grupi kriminal

1677153409_bvkore.JPG

Nga operacioni në Vlorë është vënë një në pranga dhe 4 janë vënë në kërkim. I arrestuar është Denis karafili ndërsa në Inez Hajrulla, Olsi Koçeli, Erand Hoxha dhe Klaus Islamaj

“Vlorë/Policia, kontrolle të shtuara, bazuar në inteligjencën informative, për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike.  

Gjatë kontrollit, kundërshtuan punonjësit e Policisë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallen në kërkim 4 të tjerë, të pestë pjesëtarë të një grupi kriminal me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit.

Sekuestrohen municion luftarak, jelek antiplumb, targa automjetesh të vjedhura, një shumë parash, veshje dhe radio si të Policisë, që u gjetën në banesën dhe në biznesin e 2 prej këtyre shtetasve.  

Në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti tip “Toyota”, pasi kishin dyshime se me të qarkullonin shtetas me precedent kriminal që mund të mbanin sende të kundërligjshme.

Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi me automjet, bashkë me pasagjerët, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.  

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të automjetit tip “Toyota”,  me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullonin me këtë automjet.     

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe me miratim të organit të procedurës u ushtruan kontrolle intensive, në ambiente të ndryshme dhe në banesat e tyre, me qëllim kapjen e këtyre shtetasve dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme, nisur dhe nga informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi kriminal dhe mund të fshihnin sende të kundërligjshme në banesat e tyre.     

Në vijim të veprimeve u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej 5 personave që qarkullonin me automjetin tip “Toyota”, konkretisht shtetasi D. K., 29 vjeç, banues në Vlorë.   

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit I. H., 30 vjeç, O. K., 33 vjeç, E. H., 32 vjeç dhe K. I., 31 vjeç, banues në Vlorë.   

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit O. K. dhe në biznesin (servis automjetesh) e shtetasit D. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje (uniforma) dhe radio si të Policisë, 1 jelek antipulmb, targa automjetesh të dyshuara të vjedhura, një shumë parash, municion luftarak, dhe sende të tjera, që dyshohet se i shërbenin veprimtarisë së grupit kriminal në të cilin bënin pjesë këta shtetas.   

Vijojnë kontrollet intensive nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë dhe Fier, për lokalizimin dhe kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.  

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.