KAJRO, 4 shkurt /ATSH-ANSA/ - Imami i Madh i Al-Azharit, shef i një prej qendrave më të mëdha të Islamit në botë, ka kërkuar që të gjithë pjesëtarët e ISIS-it të kryqëzohen si edhe t'u priten duart dhe këmbët.
Me anë të një deklarate nga Universiteti i Al-Azharit, ku përmendet djegia për së gjalli e një piloti jordanez nga grupi xhihadist, Imami i Madh Ahmed Al-Tayyeb shprehu mosaprovimin për këtë akt barbar që kërkon, sipas tij, gjithë dënimin e parashikuar në Kur'an për të gjithë ata që luftojnë kundër Zotit dhe profetit të tij.
"Ata duhet të vriten, të kryqëzohen apo t'u priten duart dhe këmbët", thekson Ahmed Al-Tayyeb.
"ISIS-i është një organizatë terroriste satanike dhe vrasja e pilotit jordanez është një veprim prej djalli, i dënuar nga të gjitha besimet", thotë ai.
"Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar ta luftojë këtë organizatë terroriste që kryen këto akte barbare që zemprojnë Zotin dhe të dërguarin e tij", përfundon Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb./ a.jor.









