BERLIN, 12 shtator /ATSH-AFP/ - Kancelari austriak, Werner Faymann dënoi ashpër kryeministrin hungarez, Viktor Orban duke e krahasuar trajtimin e rezervuar për refugjatët që kalojnë tranzit nga Hungaria me periudhën naziste.
"Të bllokosh refugjatët në trena me shpresën se ata do të shkojnë shumë larg, të zgjohen kujtimet e periudhës më të errët të kontinentit tonë", theksoi ai për të përjavshmen gjermane "Der Spiegel" publikuar sot.
Hungaria, mbështetëse e një linje të ashpër kundër imigrantëve, është dënuar nga partnerët evropianë, veçanërisht kryeministri i saj populist, që shpreson të bllokojë kalimin e refugjatëve nga vendi i tij drejt Austrisë, më pas në Gjermani që prej 15 shtatorit në sajë të një barriere të dyfishtë me tela me gjemba në kufirin serb.
Viktor Orban theksoi gjithashtu se refugjatët sirianë, që mbërrijnë në masë në Evropë dhe kalojnë tranzit nga Hungaria nuk vijnë nga zonat e luftës, por kampet e vendosura në këto vende kufitare.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane "Bild", Orban kishte theksuar se refugjatët nuk vinin në Evropë sepse ata kërkonin siguri, por sepse dëshironin një jetë më të mirë se në kampe.
"Ata duan një jetë gjermane, ndoshta një jetë suedeze", tha ai.
"Por ky është një fakt, nuk ka të drejtë themelore për një jetë të mirë, vetëm një të drejtë për sigurinë dhe dinjitetin njerëzor", theksoi Orban.
Gjatë periudhës naziste në vitet 1933-1945, regjimi i Adolf Hitlerit dërgoi gjashtë milionë hebrenj, si dhe kundërshtarë të politikës, në kampet e vdekjes. Ata u dërguan me trena në kampet e vdekjes. Gjatë verës së vitit 1944, hebrenjtë e Hungrisë u dërguan drejt kampeve të Aushvicit./
/ec/  a.jor.