ATHINË, 6 janar /ATSH-ANA-MPA/ - Më pak se tri javë nga zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përfaqësuesit e dy partive kryesore greke, Samaras, kryetar i partisë konservatore "Demokracia e re" dhe Cipras, lideri i partisë së majtë ekstreme, SYRIZA, po zhvillojnë një garë të ethshme elektorale.
Mesazhin e fitores së "Demokracisë së re" në zgjedhjet e 25 janarit ka dhënë kryeministri dhe kryetar i kësaj partie, Antonis Samaras në tubimin elektoral në Komotini.
Samaras akuzoi SYRIZA-n se ndodhet në siklet, në panik dhe në dëshpërim.
"SYRIZA gjendet në siklet, në panik. Po përpiqet t'ua mbledhë zyrtarëve të saj që nuk e dinë çfarë thonë. Gjendet në dëshpërim sepse e sheh që diferenca në sondazhe të bëhet zero dhe për herë të parë po mendon mundësinë e humbjes", theksoi Samaras.
Sipas Samaras, logjika e SYRIZA-s revokon praktika të regjimit të Koresë së Veriut.
Për këtë, kryeministri përdori shembullin e deputetëve që sipas SYRIZA-s i përkasin partisë.
"Neni 60 i Kushtetutës përcakton se deputetët kanë të drejtën e pakufizuar të mendimit dhe të votojnë siç u dikton ndërgjegjja e tyre", tha kryeministri.
"Me heqjen dorë nga posti i deputetit, SYRIZA suprimoi ndërgjegjjen e deputetit. Deputetët e SYRIZA-s janë pronë e partisë! Më parë partia dhe pastaj demokracia për SYRIZA-n. Grekët duam të qëndrojmë në Evropë dhe jo në Korenë e Veriut meqenëse e do SYRIZA".
Samaras vuri në dukje se pasiguria politike që shkaktoi SYRIZA është e përkohshme dhe se normaliteti politik do të kthehet sërish.
Ndërkohë, ftesë ndaj kryeministrit Antonis Samaras "për t'iu përgjigjur një dialogu televiziv publik të hapur, të pastër, para gjykatësit superior, popullit grek", ka drejtuar Aleksis Cipras.
"Këtë presin qytetarët, me qëllim që të marrin përgjigje ndaj pyetjeve dhe agonive të tyre për të ardhmen. Këtë imponon demokracia jonë dhe është obligimi i të gjithë neve t'i përgjigjemi", deklaroi ai.
"Zgjedhjet e 25 janarit janë ndoshta më vendimtaret në historinë bashkëkohore të vendit dhe populli grek, i cili pas katër vitesh sakrificash të pafundme, do të përzgjedhë mes dy strategjive diametralisht të kundërta për ditën e nesërme, kërkon prej të gjithëve ne propozime, argumente dhe angazhime", theksoi Cipras.
"Çfarëdo që të na ndajë, kemi obligimin ndaj historisë, ndaj demokracisë, që të dalim me letra të hapura dhe me argumente para popullit grek. Në një dialog publik të hapur, të sinqertë. Dhe ke të lemë popullin grek të gjykojë se kush thotë të vërtetën e kush gënjen. Të gjykojë më të drejtën, më të dobishmen për të ardhmen e atdheut", shton lideri i së majtës ekstreme në një thirrje drejtuar kryeministrit Samaras./ a.jor.












