Fondacioni Mane dhe Fundjava Ndryshe vijuan turin për shpërndarjen e 1000 karrigeve me rrota në të gjithë Shqipërinë. Themeluesi i Fondacionit Mane, Samir Mane, dhe përfaqësuesi i Fundjavës Ndryshe, Eni Demirxhiu, takuan persona të këtij komuniteti dhe familjarë të tyre në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër për t’i dhuruar karriget me rrota.

Pamje nga takimi në Shkodër

Samir Mane theksoi se “Fondacioni Mane u angazhua që asnjë para dhe tetraplegjik të mos mbetet pa karrige me rrota, si një mjet që këtyre personave u jep pavarësi. Përpjekjet tona vazhdojnë për të siguruar një jetë me dinjitet dhe integrim në shoqëri për këdo”.

Samir Mane gjatë fjalës së tij në takim

Përfaqësuesi i Fundjavës Ndryshe, Eni Demirxhiu tha: “Misioni jonë do të vijojë edhe në qytetet e tjera ku nuk kemi qenë akoma për të pajisur çdo para dhe tetraplegjik në Shqipëri me një karrige me rrota. Ky është një premtim i përbashkët i joni dhe i Fondacionit Mane”

Ceremonia për të pajisur personat nga gjithë qarku me karrige me rrota u përshëndet edhe nga përfaqësues të pushteti vendor dhe të shërbimit social. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, deklaroi se "duke marrë shkas nga ky projekt objektivi jonë është shndërrimi qyteti të Shkodrës në një hapësirë pa barriera për të gjithë qytetarët.”

Samir Mane, Eni Demirxhiu, Benet Beci

Ky projekt është një shembull i mirë se si nismat e organizatave mund të bashkohen me punën e përditshme të strukturave qendrore apo vendore, në të mirë të ndikimit afatgjatë për kategori të ndryshme shoqërore.

Në emër të Shoqatës së Para-Tetraplegjikëve, për degën e Shkodrës, Sajmir Beqiri shrehu mirënjohjen për kujdesin e treguar. Ai falënderoi të dy fondacionet që sot kanë shpërndarë falas karrige me rrota edhe ne Shkodër.

Vlerësimi i dhënë nga të pranishmit tregon se nisma të tilla konsiderohen kontribute jetike për mirëqenien e njerëzve dhe përfshirjen në shoqëri. Fondacioni Mane vazhdon bashkëpunimin me institucione, partnerë dhe vullnetarë për të sjellë një të ardhme ku kujdesi dhe dinjiteti të jenë të mundur për të gjithë.