Sipas skemës së shpërndarjes, 89.9 milionë eurot e dhëna për vendin tonë do të shërbejnë për reforma në demokraci, qeverisje, në krijimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetjen e të drejtave themelore të njeriut. Ndërkohë, përkrahje do të ketë edhe punësimi, arsimi si dhe politikat sociale. Duke e krahasuar me vendet e tjera, vihet re se fqinji ynë, Serbia, ka marrë një fond dyfish më të lartë se sa vendi ynë, referuar dhe shtrirjes së saj më të madhe gjeografike.
Fondet për Serbinë janë 196.600 000 euro. Surpriza e kësaj skeme financimi ngelet Turqia, një vend që ka shprehur së fundmi humbjen e durimit të saj në pritje të dritës jeshile të anëtarësimit nga BE. “Kjo paketë shpreh angazhimin tonë të madh ndaj perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Është një investim afatgjatë për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien e vetë BE-së, si dhe do të mbështesë procesin e reformës politike dhe ekonomike të vendeve në udhën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha Johannes Hahn, Komisioneri Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.
Në rend zbritës, shteti që do të marrë më shumë fonde nga BE do të jetë Turqia me 255.1 milionë euro, e ndjekur nga Serbia me 196.6 milionë dhe nga vendi ynë me 89.9 milionë euro. Ndërkohë, për Kosovën janë miratuar plot 78 milionë euro për të mbështetur reformat në Demokraci, qeverisje, në forcimin e shtetit ligjor, energji, bujqësi si dhe zhvillim rural. Pritet edhe rikonstruktimi i hekurudhës, Maqedoni, Kosovë, Serbi. Shqipëria pritet të përfitojë edhe nga skemat e financimit shumështetërore dhe ndërlidhëse.
BE do të japë plot 155 milionë euro për të financuar projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike që synojnë të ndërlidhin vendet e Ballkanit. Këtu përfshihet modernizimi i katër linjave energjetike, ndërtimi i dy rrugëve si dhe i dy hekurudhave. Shqipëria do të përfitojë nga modernizimi i linjës aktuale energjetike me Maqedoninë, teksa pritet që të miratohet në terma afat mesëm, fillimi i ndërtimit të një linje nënujore që do të lidhë vendin tonë me Italinë. Fonde ka përfituar dhe Bosnjë-Hercegovina, me vlerë 37.200.000 euro, ndërsa fqinji ynë lindor, Maqedonia ka marrë 24.126.000 euro.
Mali i Zi ka marrë dy grante mbështetëse: një për vitin 2015 me vlerë 25.135.000 euro, dhe një për dy vitet e ardhshme, me vlerë 15.300.000 euro. BE ka shpërndarë dhe tre fonde të tjera shumëpalëshe, ku kryesisht janë investime infrastrukturore. Fonde shumëvendëshe pjesa I, me vlerë 122.555.000 euro, shumëvendëshe ndërlidhëse me vlerë 155.254.000 euro dhe masa mbështetëse me vlerë 71.557.000 euro.
Infrastruktura
Shqipëria pritet të përfitojë edhe nga skemat e financimit shumështetërore dhe ndërlidhëse. BE do të japë plot 155 milionë euro për të financuar projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike që synojnë të ndërlidhin vendet e Ballkanit.
Fondet
Vendi Shuma në Euro
Shqipëria 89.900.000
Bosnjë-Hercegovina 37.200.000
Maqedonia 24.126.000
Kosova 79.000.000
Mali i Zi 2015 25.135.000
Mali i Zi 2017 15.300.000
Serbia 196.600 000
Turqia 255.100.000
Shumëvendëshe pjesa I 122.555.000
Shumëvendëshe ndërlidhëse 155.254.000
Masa mbështetëse 71.557.000
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Dhjetor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)