LEZHE- Pas datës 20 të çdo muaji, në Spitalin Rajonal të Lezhës nuk mund të kryhen analizat mjekësore të rekomanduara nga mjekët. Fondi i përcaktuar për këtë shërbim është i pamjaftueshëm. Në këto kushte pacientet duhet të presin se paku 10 ditë ose t’u drejtohen laboratorëve privatë. Ata e konsiderojnë të papranueshme këtë situatë pasi nuk kanë mundësi financiare per analiza ne privat.
“Unë jam e sëmurë me veshka por më problem është për ata me diabet. Këtu po nuk pate shoqni duhet me prit 2-3 muaj për analizat ose me i bë me lek në privat”, tha një paciente.
“Shumë vështirë është, kudo duhen vetem para, para, para! Na kanë thënë me prit se analizat vonojnë, doktorët janë të mirë por s’kanë mundësi as ata se është popullsi e madhe”, shprehet një tjetër.
“Me bë një rezonancë këtu duhet me prit 3-4 muaj ose me e bë në privat me 15 mijë lek. Shteti duhet me mendu për njerezit”, tha një tjetër i sëmurë.
Në lidhje me këtë çështje, Drejtoria e Spitalit Rajonal te Lezhës bën të ditur se fondi vjetor i përcaktuar për kryerjen e analizave nga kompania koncesionare “Laboratory Networks” është 65 milionë lekë, i ndarë në 5.5 milionë lekë për çdo muaj. Te njejtat burime sqaruan se deri ne 16 mije analiza behen cdo muaj ndersa pjesa tjeter e fondit lihet në dispozicion te urgjences. Pra vetem ne sherbimin e Urgjences ofrohen 168 lloje te ndryshme analizash pa limit kohor.
Nderkohe qe mbeten pa bere nga 500 deri ne 1000 analiza ne muaj, te cilat shtyhen per muajin pasardhes. Numri eshte i larte sepse spitali i Lezhes eshte rajonal dhe u sherben edhe pacienteve nga Mirdita e Kurbini.
Kontrata parashikon që, sapo të arrihet 100% e tavanit buxhetor, kompania koncesionare “Laboratory Networks” nuk ka më detyrim të kryejë analiza rutinë. Kufiri zakonisht arrihet rreth datës 20 të çdo muaji. Që nga ai moment, pacientët përballen me të njëjtën përgjigje: “fondi ka mbaruar!”.
Në praktikë, kjo përkthehet në vonesa në mjekim dhe rritjen e semundshmerise. Por problemi nuk ndalet këtu. Sipas të njëjtave burime, kjo skemë është kthyer në mjet presioni per mjekët, te cileve u kerkohet te mos japin shume analiza se s’ka fonde.
Kontrata koncesionare për laboratorët u firmos në 24 prill 2019. Një raport i tetorit 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje të mëdha dhe më pas u paditën 7 zyrtarë që dhanë koncesionin. Në Prokurorinë e Posaçme javët e fundit janë intensifikuar hetimet për këtë koncesion, ndërsa janë zhvilluar kontrolle në të gjitha kompanitë e lidhura me Spitalin Amerikan dhe Klodjan Allajbeun që dyshohet se qëndrojnë pas koncesionit.
Komente











Nepjuni votën prap
Përgjigju