Zhvillimi spontan i bujqësisë, qoftë në kulturat që kultivohen, qoftë në tregjet që synohen, nuk e ka ndihmuar aspak sektorin. Për më tepër akoma edhe sot shumica e atyre që kanë në pronësi një tokë bujqësore veprojnë të vetëm çka në shumë raste i përplas në kufijtë e mbijetesës. Konferenca Kombëtare e Bujqësisë nxori në pah edhe objektivin e ri që do të ketë zhvillimi i sektorit në katër vite. Skema e re mbështetëse synon që t’i japë zgjidhje pikërisht tre çështjeve. Së pari ndjekja e modelit ekonomik të rritjes së eksporteve duke mbështetur të gjithë ato produkte bujqësore që kanë peshë në shportën totale të eksporteve, së dyti afrimi i sa më shumë fermerëve në organizma të përbashkët çka siguron qëndrueshmëri dhe prodhim më të lartë dhe së treti politikat që mund të ndërmerren për të zhvilluar ato sektorët e ndërmjetëm si agroturizmi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakuturë.
Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, ku u bë prezantimi publik i politikave për sektorin, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi tha se tashmë janë jetësuar ferma të mëdha dhe se trend janë fermerët e rinj të shkolluar jashtë, që kanë investuar kursimet e tyre në bujqësi. Ministri u ka kërkuar fermerëve të ndryshëm të grupohen në Shoqëri të Bashkëpunimet Bujqësor (SHBB) sepse në këtë mënyre mund të përfitojnë më shumë nga Skema e Mbështetjes. “Ne kemi mundësi që përmes ARZHR të mund të zbusin kostot. Mbështeten me 25% më shumë nëse aplikojnë si grup fermerësh” tha ministri. Në këtë kontekst ai solli shembullin e fermerëve të zonës së Xarrës me mandarinat.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri me dije se konceptimi i skemës mbështetëse është kryer në bashkëpunim me shumë aktorë vendas dhe të huaj. Nga ky bashkëpunim u krye identifikimi i sektorëve proritare në bujqësi, agriturizëm, agropërpunim, peshkim dhe akuakuturë po kështu u përcaktuan 15 produkte të shportës bazë ku përfshihen që nga drurë frutorë, prodhime të serave, bimë medicinale.
Përfituesit
Përpunuesit e qumështit, blegtorët, prodhuesit dhe grumbulluesit e bimëve medicinale do të kenë kriteret e tyre që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve. Një mbështetje do t’u jepet grumbulluesve të cilët kërkojnë të bëjnë qendra të reja grumbullimi në sektorin e peshkimit. Ndërkohë, përfitues të Skemës Kombëtare të Mbështetjes do të jenë dhe fermerët dhe sipërmarrësit e rinj të moshave 22–35 vjeçare, të cilët do të përfitojnë një trajtim tjetër. Gjithashtu nga kjo skemë do të përfitojnë dhe prodhuesit e produkteve artizanale.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com











