Ndryshe nga komunikatat e shkurtra pozitive me rastin e disbursimit të kësteve të radhës, në mes të këtij viti, në një raport të posaçëm për politikën fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmirësojë të ardhurat buxhetore, pavarësisht rritjes së taksave më 2014, duke e bërë Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon dhe me rendimentin më të ulët fiskal.

Programi i ri me FMN, që nisi në vitin 2014, ndihmoi në përmbysjen e trendit të krijuar në mbledhjen e të ardhurave (që në 2013-n ishte në rënie) kryesisht me përmirësimin në mbledhjen e kontributeve dhe tatim fitimit. Qeveria shqiptare rriti normat e taksave, në mënyrë të veçantë për tatimfitimin dhe akcizat. Gjithashtu po më 2014, qeveria riktheu tatimin progresiv në vend të taksës së sheshtë, por të gjitha këto politika, me parashikimet tejet të gabuara mbi të ardhurat, e kanë përkeqësuar rendimentin fiskal, vë në dukje Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas FMN, në krahasim me shumicën e vendeve fqinje, mbledhja e taksave shqiptare është modeste për pjesën më të madhe të burimeve kryesore të të ardhurave. Në veçanti, të ardhurat nga taksa e pronës dhe mbi të gjitha nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë dukshëm më të ulëta se në rajon. Në krahasim me shtetet anëtare të BE-së, Shqipëria ka norma të larta për taksat personale dhe të korporatave. Ndërsa pragu i tatimit me zero të pagave është mesatarisht më i lartë se i fqinjëve.

Por, nga ana tjetër, efikasiteti i tatimit mbi të ardhurat i bazuar në një nivel më të lartë se mesatarja e rajonit po tregon se sistemi progresiv është më pak i efektshëm se sa regjimi taksës së sheshtë (efikasiteti i taksave është raporti i të ardhurave tatimore për çdo tatim në përqindje të PBB-së)”, thuhej në analizën e Fondit.

Të ardhurat e ulëta tatimore në Shqipëri janë pjesërisht pasojë e efikasitetit të ulët të taksave mbi pagat. Prandaj efikasiteti i taksave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat personale shihet të jetë më i ulët në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Ballkanit.

Raporti i efikasitetit të TVSH-së në Shqipëri ka rënë, nga 60% në vitin 2008, në 50% në vitin 2013, duke treguar një rritje të boshllëkut të TVSH-së, sipas shifrave të Fondit. Ndërsa gjatë viteve 2000-2008, efikasiteti i TVSH-së ka qenë në një trend rritjeje, e cila ka ndryshuar krah në vitet e mëvonshme.
FMN thotë se efikasiteti tatimor i tatimit mbi fitimin ka rënë gjithashtu, nga 0.15%, në 2011-n në 0.10% në vitin 2014. Ndërsa efikasiteti i taksave në raport me PBB ka rënë vazhdimisht gjatë 2011-2014.

Ekspertët e Fondit kanë konstatuar edhe se parashikimet e të ardhurave në Shqipëri karakterizohen nga gabime të mëdha. FMN analizon se gabimi i parashikimeve të të ardhurave, mbi të cilat bazohen buxhetet, është i afërt me 1.5% të PBB-së, duke lënë në këtë mënyrë zbuluar rreziqet për buxhetin. Për më tepër, parashikimet kanë një paragjykim sistematik dhe të konsiderueshëm. Mesatarisht gjatë tetë viteve të fundit, projeksionet e të ardhurave të buxhetit kanë qenë vazhdimisht shumë optimiste, me gati 2% të PBB-së. Gabimet në projeksione të Shqipërisë janë dukshëm më të larta se të fqinjëve.

Në vitin 2015, të ardhurat e qeverisë kanë qenë 2.5 për qind të PBB-së më pak se parashikimet e qeverisë. Nisur nga rezultat e të ardhurave më 2014, parashikimi i të ardhurave të 2015-s ishte shumë optimist. Gjithashtu vlerësimet për ndikimin e disa masave të ndërmarra në politikat tatimore ishin joreale. Përgjigjet e sjelljes së tatimpaguesve janë nënvlerësuar, të tilla si rritja e kontrabandës së cigareve që kanë kontribuar në një reduktim të madh të importeve të tyre.

Ndaj dhe performanca e dobët e të ardhurave tatimore dhe doganore në vitin 2015 ka qenë pasojë e supozimeve tejet optimiste.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)