Forcat izraelite qëlluan për vdekje dy palestinezë të martën në Bregun Perëndimor, në ditën kur u varros një grua britaniko-izraelite që vdiq në një sulm që vrau edhe dy vajzat e saj. Dhuna është rritur në rajon gjatë javës së fundit, me muajin e shenjtë të Ramazanit, Pashkës hebraike dhe Pashkës së krishterë që përkojnë së bashku.
“Unë përgëzoj veprimet e ushtarëve që eliminuan dy terroristë që hapën zjarr ndaj tyre pranë Elon Moreh”, një vendbanim hebre pranë qytetit të Nablusit në Bregun Perëndimor, shkroi në Twitter ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant.
Ai shtoi se trupat kishin parandaluar një sulm ndaj civilëve izraelitë. Një zyrtar i lartë palestinez tha për mediat e huaja se ai ishte informuar për vdekjen e dy palestinezëve, të cilët nuk u identifikuan menjëherë. Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se sulmuesit e armatosur qëlluan nga një automjet në postën Elon Moreh.
Incidenti ndodhi pasi mijëra njerëz u mblodhën të martën në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor për funeralin e një gruaje britaniko-izraelite të vrarë në një sulm me të shtëna me armë zjarri ditë më parë.
48-vjeçarja, e njohur edhe me emrin e saj hebraik Leah, vdiq të hënën nga plagët e marra tre ditë më parë kur makina e saj u sulmua me armë zjarri në Luginën e Jordanit.
Dy nga fëmijët e saj, motrat e moshës 16 dhe 20 vjeç, u qëlluan për vdekje në sulm dhe u varrosën të dielën.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, në një deklaratë, i cilësoi vrasjet si të neveritshme dhe shtoi se Britania e Madhe dënon këto sulme ndaj civilëve.
Ai tha se Britania u bëri thirrje të gjitha palëve të de-përshkallëzojnë tensionet në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze dhe t'i japin fund ciklit vdekjeprurës të dhunës.
Një rritje e dhunës është shkaktuar që nga një bastisje e policisë izraelite në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit, e ndjekur nga bombardimet me raketa nga Gaza, Libani dhe Siria.