Forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë shkatërruar pesë anije të dyshuara për trafik droge gjatë disa sulmeve të ndara ajrore, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave që autoritetet amerikane i përshkruajnë si të përfshirë në rrjete narkotrafiku dhe terrorizmi.
Operacionet janë kryer këtë javë në ujëra ndërkombëtare, në kuadër të Operacionit Southern Spear, i nisur nga administrata amerikane në muajin shtator.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, sulmet e para u kryen gjatë natës, kur tre anije që lëviznin në formacion u goditën gjatë transitit në një korridor të njohur të trafikimit të drogës.
Sipas mediave të huaja, në njërën prej anijeve u vranë tre persona, ndërsa në dy të tjerat, të dyshuarit u hodhën në det pas shpërthimit fillestar, përpara se mjetet të fundoseshin.
Operacionet vijuan me dy sulme të tjera ajrore, të cilat lanë të vrarë edhe pesë persona të tjerë të dyshuar për trafik narkotikësh.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të sakta për vendndodhjen e sulmeve, por kanë konfirmuar se ato ndodhën përgjatë rrugëve të njohura të kontrabandës në rajonin e Amerikës Qendrore, Jugore dhe Karaibeve.
Zyrtarët ushtarakë bëjnë me dije se të gjitha anijet e shkatërruara ishin të operuara nga organizata të shpallura terroriste, sipas klasifikimit të autoriteteve amerikane.
Pas sulmeve, Roja Bregdetare e SHBA-së u njoftua për të ndërmarrë operacione kërkim-shpëtimi për personat që u hodhën në ujë.
Komente








