Tiranë, 3 Shkurt / ATSH - Më 6 shkurt  në ambjentet e Galerisë FAB do të çelet ekspozita "Forma i Mjafton Mendimit" e artistit Gëzim Llalla.
Ne kete ekspozite do të prezantohen 40 punime, nga këto 10 punime janë mozaikë të realizuara në material gurë, qeramikë dhe beton. Çdo mozaik është ndërtuar në disa shtresa, të cilat krijojnë një bazoreliev me kalime tonale të zhdervjellëta, duke kërkuar harmoninë e ngjyrës. Çdo mozaik është shoqëruar brenda vetes me figura mitike, pjesë e historisë së kaluar të vendit tonë.
30 punimet e tjera janë aplikacion me materia: gurë, dru, akrilik.
Autori shkruan gjatë tekstit të tij se brenda çdo guri lidhen histori të ndryshme të njerëzve, komuniteteve apo individëve. Çdo gur ka një shenjë, ngjarje apo histori, qofshin këto valle dasmash, rite varrimi, lojra apo luftëra të ndritshme. Këto gurë janë pronësi të zonës, vendit apo krahinave të caktuara të vendit dhe janë nënshkruar nga individë të këtyre zonave të ndryshme, nga Çamëria deri në Kosovë. Ky gur veç bukurisë estetike që na përcjell është njëherësh edhe dokument i individit që lidhet me krahinën apo zonën që përfaqëson, me mitet apo legjendat e popullit tonë.
(Psh Një nga krijimet me titutll " Gorrishtë- Vlorë" është nënshkruar nga Besim Skënderi, banor i kësaj krahine.)
Ndërkohë, kritiku Franco Bruno, Drejtori i "C.I.C.A.L - Qendra Ndërkrahinore, Kulturore Artistike e Letrare", e qytetit të Brindisit, thekson se Llalla arrin të skalisë kompozicionin kromatik në një palatë që pasqyron me besnikëri shpirtin prej artisti. Ai di të kape aspekte kompozitive të planeve që mbivendosen duke ndërtuar një glomerat me volume e hapësira të vogla, me një teknikë jo fort të zakonshme "Mozaiku Piktoresk". Sipas tij, gjendemi përballë një dialogu me një artist të vërtetë, me aftësi të veçanta prej piktori e me talent që e dallon nga rrymat e ndryshme në pikturë. Në mënyrë të veçantë ai dallon në hedhjen e ngjyrave, e cila krijon transparencë me penelata herë delikate, herë të forta që mbivendosen duke rritur forcën krijuese në ngjyrat e zgjedhura, deri në dhënien e një imazhi kompozitiv.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 13 shkurt.
/k.m//a.ke/