Sytë e të gjithë shqiptarëve janë sot në stadiumin 'Fadil Vokrri' të Prishtinës, aty ku në orën 20:45 nis finalja play-off mes Kosovës dhe Turqisë. Ndeshja teke do vendos se cila mes dy skuadrave do jetë pjesë e Grupit D të Botërorit. Vetëm dhjetë vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova sheh një nga arritjet më të mëdha në futboll, teksa grupet e Kupës së Botës do ishin realizimi i një ëndrre të kahershme për 'Dardanët'.
Ekipi i Franco Fodës mposhti 3-4 Sllovakinë pesë ditë më parë në Bratislavë, aty ku ra në sy loja sulmuese. Sot përballë është Turqia, një ekip që prej vitit 2002 nuk merr pjesë në Botëror, teksa në Japoni dhe Kore të Jugut u renditën të tretët në botë.
Kosova do ketë një mbështetje të madhe sot, ndërsa stadiumi "Fadil Vokrri" duket shumë i vogël për kërkesat e shumta për bileta. Diçka më pak se 14 mijë tifozë do jenë në stadium, ndërsa 700 prej tyre janë nga Turqia. Edhe pse pa bileta, mijëra tifozë kanë udhëtuar edhe nga Shqipëria drejt Prishtinës, duke treguar një mbështetje për vëllezërit që mund të shkruajnë historinë.
Sa i takon formacionit, trajneri Foda nuk pritet të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e fundit. Me skemën 5-3-2 që mund të kthehet edhe në 4-4-2, bie në sy sulmi shumë i mirë me Muriqin e Mallorcas dhe Fisnik Asllanin e Hoffenheim.
Kosova sot i ka mbledhur të gjithë djemtë e shpërndarë 'në fole', aty ku rrënjët flasin dhe historia është vetëm një faqe larg kapitullit më të ndritur të saj. "Nëse kualifikohemi, kjo do jetë festa më e madhe pas Pavarësisë", u shpreh Muriqi, dukshëm duke shprehur rëndësinë e ndeshjes.
Formacionet e mundshme:
Kosova (5-3-2): Muric; Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni; Hoxha, Rexhbecaj; Muslija; Asllani, Muriqi Trajner: Franco Foda
Turqia (4-2-3-1): Cakir; Muldur, Akaydin, Bardakci, Kadioglu; Yuksek, Calhanoglu; Yilmaz, Guler, Yildiz; Akturkoglu Trajner: Vincenzo Montella
Stadiumi 'Fadil Vokrri' ka afërsisht 14 mijë ulëse dhe sot do duket shumë i vogël krahasuar me interesin e madh të shqiptarëve për të ndjekur nga pranë përfaqësuesen e Kosovës e cila luan kundër Turqisë për një vend në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja finale ka zgjuar interesin e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët janë bashkuar me shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm në Prishtinë. Tanimë ka nisur festa dhe tifozët dëgjohen në kor të thonë 'Kosova është zemra e Shqipërisë'.

Kosova e futbollit është një ndeshje larg nga ëndrra për të marrë pjesë në grupet e Kupës së Botës 2026. Sot në Prishtinë luhet finalja kundër Turqisë, ndërsa mijëra tifozë nga Shqipëria kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Kosovës.
Edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka motivuar 'Dardanët'.
"Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova, Forca djemtë tanë", shkruan Duka.
Kujtojmë se sot luan edhe kombëtarja e Shqipërisë, por një miqësore kundër Ukrainës (20:45 në Valencia), kjo pasi kuqezinjtë u eliminuan në gjysmëfinalen play-off nga Polonia pesë ditë më parë.
Ditëlindja e 27-të e ka gjetur Edon Zhegrovën në një ditë që mund të jetë historike për futbollin e Kosovës. Ylli dardan i Juventusit mbush 27 vjeç dhe te Kosova ka pasur festë para ndeshjes kundër Turqisë e cila luhet sot në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri'.
Kapiteni Vedat Muriqi i ka sjellë tortën e festës Zhegrovës, e këtë të fundit që ka fikur 'qirinjtë'.
'Shpresoj që sot të marrim një dhuratë të madhe, për mua dhe për të gjithë ne në Kosovë, siç do ishte kualifikimi në Botëror', tha Zhegrova, ndërkohë që shokët e ekipit dhe stafi e uruan në kor.
Sot në pikën kufitare të Morinës kanë dalë 17,539 qytetarë shqiptarë të cilët kanë hyrë në Kosovë prej orës 08:00-16:00. Gjithashtu janë regjistruar 7,816 automjete në këtë interval kohor. Shifra e lartë lidhet me ndeshjen Kosovë-Turqi ku shumica janë tifozë.
Ndërkohë janë regjistruar 5,207 qytetarë që kanë hyrë në Shqipëri dhe 2,213 automjete.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan sot kundër Turqisë në Prishtinë, në një ndeshje që mund të jetë historike për 'Dardanët'. Të gjithë shqiptarët sot janë me sytë nga futbollistët e Kosovës, ndërsa edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë bën tifo për djemtë e Franco Fodës.
"Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, po ju brohorasim, luani fuqishëm dhe bëjeni Kosovën krenare", shkruan Ambasada e SHBA-së në Kosovë në kanalet e komunikimit. Përfaqësuesit e SHBA-së në Prishtinë mbajnë veshur edhe fanellat e Kosovës teksa pozojnë.
Qindra tifozë nga Shqipëria janë nisur drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër dhe për të përkrahur Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të pajisur me flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së, tifozët shqiptarë kanë krijuar një atmosferë entuziazmi dhe mbështetjeje të madhe që në rrugëtimin e tyre drejt kryeqytetit të Kosovës.
Aktualisht, shumë prej tyre ndodhen në pikën kufitare të Vërmicës, në anën kosovare të doganës, ku po presin për të hyrë në Kosovë dhe për të vijuar udhëtimin drejt Prishtinës.
Fluksi i madh i automjeteve që vijnë nga Shqipëria ka sjellë krijimin e radhëve në kufi, megjithatë burime nga terreni bëjnë të ditur se pritjet deri tani nuk janë të gjata dhe lëvizja po vijon normalisht.
Prania e madhe e tifozëve nga Shqipëria edhe në këtë sfidë dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë shpirtërore dhe sportive mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke e kthyer këtë ndeshje në një festë të përbashkët kombëtare.
Komente











