Vetëm një ditë pasi fitoi kampionatin e tij të parë botëror në Formula 1 me makinën McLaren, Lando Norris u përball me një vendim të rëndësishëm për sezonin 2026. Të mbante numrin 4 në makinën e tij që e ka përdorur që nga debutimi në vitin 2019, ose ta ndërronte me numrin 1, i cili është i rezervuar për kampionin botëror në fuqi. Ai zyrtarisht ka vendosur të bëjë ndryshimin dhe të marrë numrin 1.

“Është një traditë, që nuk dua ta ndërpres. Po e bëj edhe për gjithë skuadrën”, tha Norris për 'Sky Sport News'.

“Duhet të japim gjithmonë maksimumin. Të gjithë ne si skuadër, që kemi një rol te McLaren, apo te makina ime, mund ta mbajmë me krenari nnumrin 1. Të gjithë mekanikët, inxhinierët që janë pjesë e McLaren, do të ndihen të vlerësuar. Nuk është për mua, është edhe për ta, sepse impenjohen shumë për çdo gjë. Tani mund të thonë ‘jemi numri 1’. Do të jenë më të lumtur se unë”, ka shtuar piloti britanik.

Më pas Norris foli sërish për arritjen e titullit të parë kampion në karrierë.

“Ishte një moment i pabesueshëm, një arritje e madhe për mua dhe shumë njerëz që kanë qenë pjesë e një rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Duhet të shijojmë momentin, që është i rrallë për këdo. Një moment unik, kështu që duhej ta bëja të paharrueshëm”, tha Lando Norris.