HOLANDË - Lando Norris fitoi të dielën Çmimin e Madh të Holandës, duke marrë një fitore të rëndësishme në sezonin e Formula 1. Piloti i McLaren zhvilloi një garë të fortë në pistën e Zandvoort, ndërsa podiumi u plotësua nga Andrea Kimi Antonelli dhe George RussellMercedes.

Gara nisi me një incident të madh, pasi Max Verstappen doli nga pista që në xhiron e dytë dhe përplasi makinën. Aksidenti solli flamurin e kuq dhe ndërprerjen e përkohshme të garës, duke ndryshuar menjëherë dinamikën e saj.

Pas rifillimit, Antonelli arriti të parakalojë Norris dhe mori kryesimin. Piloti i Mercedesit e mbajti vendin e parë deri në xhiron e 41-të, kur hyri në bokse, duke i hapur rrugë Norrisit të rikthehej në krye.

Britaniku hyri në bokse shtatë xhiro më vonë, ndërsa Lewis Hamilton mori përkohësisht kryesimin. Megjithatë, Norris u rikthye fuqishëm dhe në xhiron e 54-t kaloi fillimisht Antonellin dhe më pas Hamiltonin, duke marrë sërish komandën e garës.

Një xhiro më vonë, Antonelli parakaloi Hamiltonin dhe u ngjit në vendin e dytë. Ndërkohë, George Russell arriti të pozicionohej në vendin e tretë, duke siguruar një tjetër podium për Mercedesin.

Hamilton tentoi deri në fund të rikthehej në zonën e podiumit, por një periudhë e Virtual Safety Car, vetëm dy xhiro para përfundimit, ia vështirësoi mundësinë për të parakaluar Russellin.

Në fund, Norris kaloi vijën e finishit i pari dhe siguroi fitoren në Zandvoort. Antonelli u rendit i dyti, ndërsa Russell kompletoi podiumin. Verstappen, ndërkohë, u detyrua ta mbyllte shumë herët garën para tifozëve të tij.

Formula 1 do të rikthehet pas dy javësh me Çmimin e Madh të Italisë në Monza, një prej pistave më ikonike të kampionatit.

Pas 12 garave të këtij sezoni është Mercedes që kryeson renditjen për skuderitë me 425 pikë, ndjekur nga Ferrari me 338 pikë. Ndërkohë për pilotë kryeson italiani Andrea Kimi Antonelli i Mercedes, i cili ka grumbulluar 242 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës Russell dhe Lewis Hamilton i Ferrarit me nga 183 pikë secili. Pas tyre vjen kampioni në fuqi i Formula 1, Lando Norris, me 159 pikë.