KATAR - Një javë më parë u shpall zyrtarisht kampion për herë të katërt radhazi, por holandezi i Red Bull, Max Verstappen nuk ka ndërmend të ndalet dhe këtë të shtunë ka siguruar "pole-position" për garën e parafundit të sezonit.
Nesër (e diel) duke nisur nga ora 17:00 në cirkuitin e "Losail" në Katar pilotët do garojnë dhe kërkojnë të përmbushin objektivat, teksa javës që vjen në Abu Dabi do mbyllet ky sezon në Formula 1.
Në pistën e Katarit Max Verstappen "fluturoi" dhe siguroi kohën 1’20”520, duke lënë pas pilotin britanik të Mercedes, George Russell. Më pas, në vendet 3-4, u klasifikuan dy pilotët e McLaren, me Lando Norris (i treti) që la pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri.
Një rezultat i mirë ky, pasi skuderia britanike duelon për titullin kampion për konstruktorë me Ferrarin. Pilotët e “Kokëkuqes” u renditën në vendin e pestë me Charles Leclerc dhe atë të shtatë me Carlos Sainz.
Mes tyre Lewis Hamilton me Mercedes. Mes 10 më të mirëve edhe Fernando Alonso (i teti), Sergio Perez (i nënti) dhe Kevin Magnussen (i dhjeti). Pasditen e së dielës pritet një garë e fortë, në një pistë që i lodh shumë pilotët, ku vëmendja është te titulli kampion për konstruktorë, aty ku prin McLaren me 608 pikë, ndjekur nga Ferrari me 584 pikë dhe Red Bull me 555 pikë.