Formula/ Si ndryshon
çmimi në 9 bashki të vendit

Formula/ Si ndryshon<br />çmimi në 9 bashki të vendit
TIRANE- Me ndryshimin e projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, do të ketë dhe një rishikim të skemës për kompensimin financiar. Në draftin e qeverisë propozohet që toka do të ketë vlerën sipas zërit kadastral që ka pasur në momentin e shpronësimit. Pra, nëse në dosjen e paraqitur në AKKP toka rezulton se ka qenë bujqësore, ajo do të ketë çmim për këtë kategori, pavarësisht se me ndryshimet demografike ajo aktualisht mund të jetë truall. Ky përcaktim ndryshon tërësisht shumën financiare që do të përfitojë një subjekt.

Duke qenë se në qytete, harta e çmimeve nuk ka të përcaktuar vlerën e tokës bujqësore, livadh apo pyjore, atëherë si referencë do të merret çmimi në zonën më të afërt me sipërfaqen e kërkuar. Gazeta publikon sot çmimet në disa nga qytetet e vendit, ku mund të bëhet dhe krahasimi i shumës që do të përfitojë secili projekt.

Në zonën e Beratit, në rrethinat e qytetit, që do të jenë dhe referencë në përcaktimin e kompensimit, çmimi i tokës bujqësore shkon në 205 lekë m2, ndërsa vetëm në Kamçisht toka ka një vlerë 111 lekë m2. Po ashtu toka livadh shkon në 114 lekë dhe ajo pyjore shkon në 85 lekë m2. Vlera e truallit në Berat kap një shifër prej 31 mijë lekë dhe deri në 45 mijë lekë. Kështu në rast se toka e një subjekti aktualisht është truall, por në momentin e kompensimit është bujqësore, vlerësimi do të jetë sipas zërit “bujqësore”.

Po ashtu dhe në zonën e Korçës, ku në zonat për rreth Bashkisë çmimi shkon në 102 lekë m2, ndërsa toka truall prek shifrën me të paktën 75 mijë  lekë m2. Në Pogradec, pavarësisht zonës turistike, çmimi i kompensimit për sipërfaqet që kanë qenë tokë bujqësore do të jetë jo më shumë se 200 lekë m2.

Përsa i përket Krujës, ku vlera e tokës truall shkon në 3978 lekë, vlera e tokës bujqësore prek çmimin e 151 lekë për m2. 

Rillogaritja
Nga efekti i rishikimit të çmimeve nuk do të preken vetëm dosjet që janë ende pa u miratuar nga AKKP. Por pritet të ketë dhe një shqyrtim të vlerës që kanë tokat e marra në bazë të ligjit 7501. Në këtë rast subjektet e shpronësuar do t’u llogaritet vlera që ka toka e përfituar në bazë të këtij ligji, për t’iu zbritur më pas dhe nga sipërfaqa e cila ende nuk është kompensuar.

E njëjta formë do të jetë dhe për ata pronarë që mund të kenë përfituar nga kompensimi fizik, me sipërfaqe toke apo me objekte. Prona e marrë do të vlerësohet me këto çmime për të parë më mas dhe nëse kanë ende për të përfituar apo jo. Megjithatë skema do të zbatohet vetëm pasi projektligji të miratohet në Kuvend.

 
Metodologjia do të vlerësohet në bazë të kontratave
Ligji: Harta e pronave, miratimi çdo vit nga Qeveria


Harta e vlerave të pronës, përllogaritet çdo vit përmes metodologjisë së vitit 2012, e cila bazohet te vlera e tregut të pasurive të paluajtshme. Kjo metodologji parashikon llogaritjen e çmimit mesatar të pronave duke u bazuar tek kontratat e shitblerjeve për çdo zonë kadastrale në territorin e vendit. Për këtë qëllim, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjatë 3-mujorit të fundit të çdo viti, bën grupimin përfundimtar të të dhënave për kontratat e regjistruara për një periudhë 1-vjeçare (njëvjeçare), për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, sipas zonave kadastrale të çdo qarku.

Në datën 15 nëntor të çdo viti, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dërgon zyrtarisht pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të dhënat e përpunuara, në mënyrë të unifikuar, në vlerë të plotë.

“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, përpunon të dhënat e dërguara zyrtarisht nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke i grupuar ato sipas zonave kadastrale, nënndarjes brenda zonës kadastrale apo bashkimeve të dy apo më shumë zonave kadastrale, për qëllim të përllogaritjes së vlerës së pasurive të paluajtshme, sipas llojit të pasurisë, ndarjes dhe nënndarjeve të saj dhe i propozon Ministrit të Drejtësisë vijimin e procedurave për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave”, thekson Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 658, datë 26.9.2012, ku përcaktohet metodologjia e përllogaritjes së hartës së vlerës së pronave.

Ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse harta e çmimit të tokave të miratuar në vitin 2014 do të ndryshojë apo jo. Megjithatë deri në daljen me një vendim të ri, harta e çmimeve që zbatohet nga institucionet shqiptare është ajo e miratuar në gushtin e vitit të shkuar. Metodika ka të parashikuar si çmimet për trojet, tokat bujqësore, livadhet por dhe tokat bujqësore. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur

Igli Tare bën gati kthimin si drejtues: Në kohën dhe klubin e duhur