Duke filluar që nga mëngjesi i sotëm, të gjithë kandidatët mund të nisin plotësimit të formularit A3 që është publikuar on-line, me kuotat përkatëse për të 303 degët. Sipas udhëzimit të MASH, aplikimet do të mbyllen me datë 02.11.2012 ora 24:00.

Kush përfiton
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit kanë të drejtë të plotësojnë këtë formular të ri të shtesave, maturantët që nuk kanë konkurruar më parë me formularin A2, por që në këtë raund do të konkurrojnë për herë të parë me formularin A3. Në këtë grup përfshihen kandidatet që kanë rezultuar fitues në provimet e maturës shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2; kanë rezultuar fitues në provimet e maturës në sesionin e vjeshtës 2012; kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe, mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të parë në IAL e vendit tonë; ata që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë, duke ruajtur renditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë. Këta maturante nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin. Nëse në përfundim, maturanti që është shpallur fitues në raundin e parë, nuk arrin të klasifikohet në një preferencë më të lartë, mbetet fitues në programin ku është regjistruar dhe vijon studimet e ciklit të parë.

Fituesit
Bëhet fjalë për rreth 6500 vende të lira dhe fituesit do të shpallen me datë 8 nëntor. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 8.11. deri 12.11.2012, nga ora 08:00, deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatët duhet të paraqesin: Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IALP-ve përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund. Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme.

(ad.ti/shqiptarja.com)