Një mega-vilë në Malibu, e projektuar për të zgjatur të paktën 1000 vjet, ka dalë në treg me çmimin rreth 35 milionë dollarë.
E quajtur Simka, kjo pronë është ndërtuar me rreth 5.580 metra kub beton super të përforcuar dhe është projektuar qëllimisht për t’u rezistuar rreziqeve të Kalifornisë, përfshirë zjarret masive, tërmetet, cunamet, rrëshqitjet e dheut dhe erozionin bregdetar.
Me jetëgjatësinë që tashmë është kthyer në simbol statusi për super të pasurit, kjo fortesë luksoze prej rreth 2.790 metrash katrorë e çon mentalitetin e bunkerit në një nivel krejtësisht të ri dhe blerësit me para të mëdha tashmë po tregojnë interes.
Njeriu pas kësaj mega-vile me 10 dhoma gjumi dhe 20 tualete është Kris Halliday, një arkitekt autodidakt me misionin për të ndërtuar godina të bukura që zgjasin shumë më tepër se një jetë njerëzore.
“Shumica e shtëpive ndërtohen me një ide për të rezistuar 50 vjet,” i tha Halliday The Post. “Simka u ndërtua me një filozofi 1000-vjeçare.”
Arkitekti u rrit në zonat e thella rurale të Australisë, duke ndërtuar shtëpi së bashku me të atin. Ai e la shkollën e mesme herët për të filluar punën, fillimisht si nxënës në prodhimin e mobiljeve, për të hapur më vonë biznesin e tij në rinovimin, projektimin dhe ndërtimin e pronave në nivel ndërkombëtar. Ai e quan Simkan “kulmin e punës sime”.
Halliday vendosi ta projektonte dhe ta ndërtonte Simkën pa një ekip arkitektësh apo dizajnerësh. Projekti nisi në vitin 2020 dhe ai s’ka ndërmend të ndërtojë më një të tillë.
“Çdo gjë është 10 herë më e vështirë me beton sesa me dru, dhe 10 herë më e shtrenjtë.”
Sfida e ndërtimit të një shtëpie kaq madhështore dhe jetëgjatë ishte monumentale. U desh gërmimi deri në rreth 8 metra thellësi në shkëmbinjtë e Malibusë dhe pesë vite të asaj që Halliday e quajti “një betejë teknike, logjistike dhe strukturore”.
Halliday tha se ndërtimet e reja, të shtrenjta por të dobëta përreth tij në Kaliforni, i sillnin ndër mend përrallën e “Tre Derrkucëve”.
“Kam parë këto shtëpi të ndërtuara shumë lirë në LA që shiten për çmime qesharake,” tha ai. “Gjithmonë kam thënë se në zjarrin e ardhshëm, ato do të digjen. Nuk ka kuptim. Si mund të kërkosh këto çmime për shtëpi kaq të dobëta me strukturë druri?”
Toka e zgjedhur nga Halliday ndodhet mbi nivelin e detit dhe është e mbrojtur nga erozioni.
Brenda shtëpisë prej rreth 2.790 m², brutalizmi ndërthuret me filozofinë Zen. Ambientet prej betoni zbuten nga mure xhami, dysheme prej druri frashëri dhe pamje të hapura nga oqeani.
Dera kryesore hapet drejt një oborri të brendshëm me frymëzim japonez dhe një pellg me krapë koi, me pamje nga Oqeani Paqësor në sfond.
Kuzhina është e pajisur për të mirëpritur 200 persona, ndërsa dhoma e ngrënies ka dy frigoriferë vere nga dyshemeja deri në tavan. Në katin përdhes ndodhen gjithashtu një dhomë private çaji japonez dhe një kinema rreth 6 metra.
Pothuajse të gjitha mobiliet minimaliste janë dizajnuar dhe porositur personalisht nga Halliday, deri te sediljet e kinemasë.
Suita të mëdha zënë katin e sipërm, si dhe një dhomë për fëmijë me krevate marinari të integruar. Niveli nëntokësor përfshin një spa luksoze, një dhomë terapie me dritë të kuqe, një palestër me pamje nënujore të pishinës, dhoma shtesë për mysafirë dhe akses në një garazh për 25 makina.
Ndoshta elementi më mbresëlënës është pishina shumëkatëshe prej rreth 54 metrash, me një dritare nënujore që bashkohet vizualisht me Paqësorin.
Ideja e dizajnit ishte që prona të kishte mjaftueshëm ambiente për mirëqenie dhe argëtim, në mënyrë që të mos kesh kurrë nevojë të largohesh nga kjo pronë ultra e sigurt.
Komente







