TIRANË, 18 Shtator/ATSH- Nini Mano/- Energjia, turizmi, menaxhimi i ujrave, sistemi bankar, bujqësia ishin ofertat, që prezantuan rreth 30 përfaqësues të bizneseve të mëdha nga Izraeli dhe diaspora hebreje për investime në Shqipëri, në Forumin e Biznesit, organizuar sot, në hotel "Sheraton", ku merrnin pjesë zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, drejtues të bizneseve të mëdha shqiptare, etj.
Forumi i Biznesit organizuar nën kujdesin e "Meinl Bank" me Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe AIDA, piketoi kërkesat e biznesit hebre për të hyrë në tregun shqiptar me investime.
Julius Meinl V, President i Kongresit Hebre Euro-Aziatik (KHEA) paraqiti biznesin familjar të grupit "Meinl", 130-vjeçar, pjesë e të cilit është dhe banka e investimeve "Meinl Bank", me aktivitet në shumë vende të Europës Qëndrore, Juglindore, Rusi, etj, ndërsa një filial i saj tashmë ndodhet dhe në Shqipëri. Meinl parashtroi interesin për investime në turizëm, pasuri të patundshme, qëndra tregtare biznesi, ndërsa ofroi edhe ndihmë për formalizimin e tregut të parasë "cash" që ndodhet në Shqipëri. Ronald Lauder, President i Kongresit Botëror Hebre ardhur nga SHBA, një biznesmen amerikan, koleksionist arti, filantrop dhe aktivist politik, ndërsa vlerësoi rolin e shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve në Luftën e Dytë Botërore dhe harmoninë mes besimeve fetare në Shqipëri, u shpreh i gatshëm për të investuar në vendin tonë.
"Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme. Ne besojmë tek shqiptarët dhe duam të ndihmojmë", tha Lauder, përfaqësues i kompanisë "Estee Lauder". Sipas tij, "Shqipëria mund të ecë shumë mirë me turizmin, që kërkon plotësimin e infrastrukturës së nevojshme". Teksa ofroi fushat e mundshme për investime, miliardieri Lauder theksoi nevojën për njohje më të mirë të potencialeve që ka vendi ynë në SHBA dhe kërkoi prezencën e një përfaqësie biznesi në SHBA, me qëllim që t'i bëjë të njohur biznesit amerikan fushat me interes për investime të mëdha në Shqipëri.
Ministri i Energjitikës dhe Ujrave të Izraelit, Silvan Shalom bëri të ditur një vizitë të ardhshme së afërmi të kryeministrit Edi Rama në Izrael, bashmë me ministra dhe biznese shqiptare.Ai shfaqi interes ndaj energjisë dhe sidomos menaxhimit të ujrave në Shqipëri, duke i konsideruar pasuri të mëdha që ka vendi ynë, si dhe paraqiti kompani hebreje mjaft të fuqishme, ndër të cilat dhe "Lauder". Duke konsideruar Shqipërinë si "qendër të zhvillimit", Shalom u shpreh se "duhet të rriten marrëdhëniet me Izraelin".
Ndërsa çmoi praninë e 40 bizneseve izraelite në Shqipëri, Shalom u shpreh për rritjen e mëtejshme të tyre. "Të punojmë bashkë për të sjellë më shumë investime të mëdha izraelite në Shqipëri, të cilat kanë interes për vendin tuaj", tha Shalom.
Drejtori Ekzekutiv i Bordit të "Meinl Bank", Peter Wenzierl prezantoi këtë bankë që ka një fond të madh investimesh, si dhe sektorët që paraqesin interes për investime në Shqipëri. "Jemi të interesuar për sektorin e ujrave, pasurive të patundshme", tha ai, ndërsa u shpreh kritik për burokracinë që po manifeston Bashkimi Europian, duke u shprehur se "Shqipëria ka nevojë të ecë shpejt drejt integrimit në Europë".Zevendëskryeministri Niko Peleshi njoftoi "projekte të konceptuara dhe të filluara" në energji, ujëra, infrastrukturë. "Duam të fusim Shqipërinë në një shpejtësi të re, me një zhvillim të ri ekonomik" i'u drejtua biznesit izraelit, Peleshi. "Hajdeni të investoni në Shqipëri, sepse dhe për ne janë të nevojshme", tha ai.
Zv/kryeministri thelloi idenë e një modeli të ri, duke paraqitur nevojën për rritjen e IHD-ve, pasi remitancat kanë rënë, privatizimi masiv ka mbaruar, nuk mund të lejohet një borxh pa limit.
"Na duhen investime private vendase dhe të huaja për rritjen ekonomike të vendit, mirëqënie, punësim", tha Peleshi, ndërsa bëri të ditur se brenda vitit përfundon kuadri i ri ligjor i çliruar nga burokracitë për IHD, si dhe reforma e re ligjore në energjitikë.
Energjia, turizmi, infrastruktura, zhvillimi i zonave ekonomike, bujqësia, shërbimet financiare, mbeten fushat me interes për rritjen e IHD-ve në Shqipëri, theksoi ndër të tjera Peleshi.Ministri Edmond Haxhinasto theksoi fushat me interes që ka qeveria për një zhvillim të shpejtë, mes të cilave, infrastruktura e hekurudhës, porteve, energjitika dhe sistemi financiar, ndërsa u shpreh mikëpritës ndaj Bankës "Menl" për të hedhur hapa konkretë në Shqipëri.
Sipas tij, sot vendi ynë afron siguri edhe me legjislacionin për investimet e huaja, përvecse është pjesë e shumë organizmave ndërkombëtarë.
Drejtore e AIDA-s, Manjola Gjoni prezantoi për biznesin hebre potencialet që Shqipëria ka, fushat dhe kushtet e favorshme, që orientojnë IHD-të ndaj vendit tonë.
Më pas, drejtues të bizneseve nga dy vendet zhvilluan takime B2B./m.m/