Por largimet e politikanëve nga njëri kamp në tjetrin për analistët e shumtë konsiderohet si një e drejtë politike e tyre, duke marrë parasysh që jetojmë në një vend pluralist.
Ndërkohë që edhe pse në ditët e para të prezantimit të kandidatëve për deputetë në qarqe të ndryshme, shpesh herë po lakohet termi tradhëtar, i cili në fillim dhe më shumë për Islamin, ky term u përdor dje edhe për Gjovalin Kadelin. Në një koment për gazetën Shqiptarja.com si dhe për TV A1 Report analistët komentojnë zhvillimet politike në vend duke u nisur që nga çelja e fushatës së Partisë Demokratike në Tiranë, te mungesa e figurave të njohura të djathta dhe risia, përfshirja e ish-socialsitëve në listat e djathta.
DRITAN HILA
Për analistin Dritan Hila lëvizjet e fundit politike në vend shikohen si e drejtë e deputetëve që i bëjnë kush për interesat e veta e kush për pozicionin politik që pretendon të ketë në të ardhmen. Ai kritikon përdorimin e termave të ndryshme nga krerët e partive më të mëdha në vend. Termin tradhëtar, anailisti Hila e konsideron si term thjesht për të ndezur tonet e fushatave. “Përsa i përket fenomenit të largimit të deputetëve nga njëri kamp në tjetrin, që në rastin konkret kemi të ish socialistëve, zoti Islami ka të drejtën e zgjedhjes së tij politike.
Përsa i përket z.Kadeli dhe Dogjani është zgjedhja e tyre për të mos ndërprerë mandatin e tyre në politik, e cila ka kostot e saj. Ndërkohë që kur flasim për terma të ndryshëm që po përdoren si “tradhëtar” them se jetojmë në një shoqëri pluraliste, ku kryetarët e dy partive të mëdha kanë bërë kompromise me njëri- tjetrin, duke tradhëtuar në një farë mënyre qëndrimet e mëparshme të tyre përpara se të bënin kompromiset.
Kalimet nga një anë politike në një tjetër duhet të jenë të kuptueshme, pasi çdo njëri ka të drejtën të mbajë anën e vetë. Por kuptohet që jemi në një fushatë elektorale dhe në një farë mënyre kush bën fushatën është i predispozuar që ta ngarkojë emocionalisht atë për të elektrizuar edhe votuesit”, shprehet për gazetën Shqiptarja.com, analisti Dritan Hila.
ARTAN HOXHA
Në një koment të shkurtër për gazetën Shqiptarja.com, analisti Artan Hoxha duke komentuar termat e përdorur për të larguarit nga partitë, thekson se këto terma përdoren nga njerëz që nuk ia kanë konceptin e demokracisë në një vend si Shqipëria. Për Hoxhën, kreu i PS, i cili së fundmi ka përdorur termin “tradhëtar” për të larguarit nga opozita, është thjesht një term komediani për në fushatën elektorale, kundër këtyre figurave.
“Në politikë kush përdor termin tradhëtar mund të konsiderohet pa frikë një idiot që nuk e ka konceptin e demokracisë në politikë. Por nga njëra anë mund të jetë dhe një komedian që flet në këtë mënyrë thjesht për fushatë elektorale. Nuk mund të thuash për një person që “qenka i lavdishëm kur vjen te unë” dhe ta quash “tradhëtar një tjetër që largohet nga ty”, shprehet analisti Artan Hoxha. Sipas analistëve, për të gjithë forcat politike ka ardhur koha, që të jenë racionalë ndaj shifrave, që raportojnë për numrin e pjesëmarrësve në mitingje, pasi mund të prodhojë efekte të kundërta.
LUTFI DERVISHI
Rrjeti social Facebook, duket se është dhe rruga më e mirë për të shprehur opinionet jo vetëm nga mbështetësit e kandidatëve të partive të ndryshëm, por edhe vetë partive në vend. Në faqen e tij në Facebook, Lutfi Dervishi shkruan kuptimin e termit tradhëtar.
“Ai që del kundër atdheut, popullit etj., duke u bashkuar me armikun, duke bashkëpunuar me të ose duke bërë punën e tij; ai që bëhet armik, duke kryer veprimtari spiunazhi kundër popullit a vendit të vet, duke nxjerrë të fshehta të rëndësishme, duke u arratisur në një vend tjetër etj.; ai që nuk u qëndron besnik parimeve, ideve a një çështjeje të madhe; ai që shkel betimin, ai që tradhton.
Tradhtarët e popullit (e atdheut). Tradhtarët e klasës punëtore. 2. Ai që shkel besën a fjalën e dhënë; ai që pret dikë në besë. Tradhtar i mikut të vet”, shkruan Lutfi Dervishi në adresën e tij në Facebook.
ALEKSANDËR ÇIPA
Për Aleksandër Çipën, "hapja e fushatës zyrtare të demokratëve për 23 qershorin konfirmoi se Berishës i mungojnë projektet elektorale". “Fushata e një force politike kërkon, që logjikën e rotacionit ta dominojmë me logjikën e nevojës së mbetjes në pushtet, me mitingun hapës të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Partia Demokratike ishte mobilizuar për të sjellë në mitingun e vet një përfaqësi jo vetëm nga elektorati kyeqytetas, por nga e gjithë hapësira e shpërndarjes administrative të nëpunësisë, e cila pse jo, ndodhet në rrethanat e fatit ekzistencial të ruajtjes së vendit ose jo.”- thotë Çipa.
Mungesa e ish-kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli në aktivitetin e çeljes së fushatës se PD dhe përfshirja e kandidatëve gati-gati të panjohur në bazë të preferencës së krryeministrit Berisha e ka përcjellë qartë mesazhin, që listat nuk janë hartuar në bazë të meritokracisë. “Mungesa e zotit Rusmaili bie në sy për faktin se ai ka qenë njeriu më patetik i kauzave të mbrojtjes juridike të PD-së dhe në përgjithësi i të djathtës në qeverisjen e dy mandateve rresht.
Nga ana tjetër ka qenë një interpret me një valencë të lartë polemizimi në përballje me rivalët apo qoftë homologëve të tij të së majtës”, ka komentuar për A1 Report, Aleksandër Çipa, duke shtuar se “përsa i përket përfshirjes në këtë listë të përfaqësuesve të rinj, të cilët nuk kanë një back-ground politik dhe aq më tepër një investim në jetën e tyre politike kjo është një çështje, që ka shembur përfundimisht kriteret e meritokracisë”.
ARJAN VASJARI
Ndërsa për Arjan Vasjarin, "firot në radhët e demokratëve justifikohen me këmbënguljen për një mandat të tretë". Vasjari nga ana e tij komenton se “këtë herë ka më pak entuziazëm, e kjo mund t’i vishet shumë faktorëve, e këtu të mos harrojmë, që Partia Demokratike ka qeverisur që prej vitit 2005. Pra jemi në fund të mandatit, që do të thotë se PD ka firot e saj elektorale”. Ajo që Vasjari nënvizon është një përpjekje, ndoshta edhe e përligjur e Partisë Demokratike, që të pretendojë prej shoqërisë, prej publikut, që të marrë në konsideratë dy mandate.
Pra është një përpjekje për të mos i ndarë mandatet; mandatin e parë dhe të dytë. “Performanca ekonomike e qeverisë së Partisë Demokratike është një performancë tashmë e pranuar edhe nga zoti Berisha edhe nga të tjerë të PD-së për shkak të një krize globale, të impakteve të saj në ekonominë shqiptare”, ka deklaruar Vasjari. Vasjarin, mungesa e zotit Rusmaili, mungesa e ekspertëve ligjorë të PD-së, e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve e bën të mendojë se “këto subjekte, këto individë kanë qenë pjesë e një black liste (liste të zezë) të PD-së”.
“Dhe besoj, jam i prirur të besoj, që shkaku i vetëm ka qenë përplasja apo të themi dalja nga shinat, nga binarët e rregullit të Partisë Demokratike në çështjen e goditjes apo refuzimit për të korrektuar ligjin e shërbimit informative”. Ndërkohë, Vasjari ka bashkangjitur “një numër shumë të madh individësh të koptuar, të rekrutuar në këto lista, të cilët nuk kanë asnjë domethënie intelektuale. Ai ka propozuar që "me një dozë të arsyeshme sinqeriteti, them që t’ju japim shansin t’i provojmë".
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)