Një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë në datën 19 shkurt në Durrës. Burime për Report TV bëjnë me dije se nëna kishte shkuar rreth orës 02:00 të mëngjesit në spital, ku kreu lindje natyrale. Pas rreth 4 orësh, foshnja ka ndërruar jetë.

Sipas Spitalit, përgjatë procesit të lindjes gjithçka ka shkuar mirë. Monitorimi i rrahjeve të zemrës së foshnjës dhe parametrat e nënës kanë qenë në kushte normale.

Ndërkohë prindërit e foshnjës që ndërroi jetë kanë bërë kallëzim në komisariatin e Durrësit duke akuzuar mjekun gjinekolog për neglizhencë, shkruan Report TV. Por sipas protokollit, gjinekologu merret vetëm me nënën, ndërsa me fëmijën merret mjekja neonate.

Po sipas burimeve, oficeret e policisë gjyqësore u kanë kërkuar prindërve të bëjnë autopsinë, por këta të fundit s’kanë pranuar. Policia e Durrësit nuk ka nisur ende njoftim zyrtar për ngjarjen ndërkohë që Prokuroria ka tërhequr dosjen dhe ka nisur verifikimet përkatëse, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.